Historiku i UEJL
Në pranverë të vitit 2000, duke u përkrahur nga donatorë ndërkombëtarë, Komisioneri i lartë i OSBE -së për pakicat nacionale, ka iniciuar diskutimet për themelimin e një universiteti të ri në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pas miratimit të Ligjit për Arsim të Lartë, nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, i cili lejoi krijimin e universiteteve nga themelues që nuk kanë të bëjnë me shtetin dhe i cili përkrahu mësimin në gjuhën shqipe, filloi planifikimi i krijimit të universitetit në fund të vitit 2000. Ndërtimi filloi në mars të vitit 2001 dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) u hap gjashtë muaj më vonë. Në nëntor të vitit 2002, numri i studentëve arriti në 2250, ndërsa në tetor të vitit 2003, numri i studentëve arriti në 3700.
Që nga themelimi, në tetor të vitit 2001, ka arritur ta dëshmojë veten si universitet lider i cilësisë, financiarisht i qëndrueshëm dhe tashmë i marrë si model i arsimimit të lartë shumëetnik dhe shumëgjuhësor në Evropën Juglindore. Aq më tepër, UEJL e ka dëshmuar veten edhe në kombinimin e qëlluar të përvojës së universiteteve amerikane dhe evropiane, duke vazhduar që të përfitojë nga bashkëpunimi akademik i sponsorizuar nga Komisioni i BE-së dhe USAID-i, si dhe donatorë të tjerë.
Universiteti dhe studentët kanë përfituar edhe nga bursat që janë dhënë nga Holanda dhe Instituti Shoqëria e Hapur. Historia e këtij universiteti është magjepsëse për shkak të mënyrës se si UEJL e ka arritur këtë pozicion, duke luftuar kundër pasigurisë ekonomike dhe politike në rajon. Tani, UEJL ndihmon institucionet tjera dhe komunitetin në promovimin e bashkëpunimit me qëllime hulumtimi dhe lëvizshmërinë e studentëve dhe të stafit. Universiteti është i pajisur me shumë mundësi të cilat u shërbejnë studentëve në arritjen e qëllimeve në kuadër të disiplinave që ata i kanë zgjedhur.
Duke dashur që të gjithë të diplomuarit të përfitojnë shtyllë akademike sa më solide, universiteti po ashtu ofron përkrahje dhe këshilla praktike sa i takon karrierës dhe ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrje private dhe publike, që të mund të inkuadrojë studentë në punë praktike të vazhdueshme dhe të munden t'i shfrytëzojnë maksimalisht njohuritë dhe aftësitë e fituara në UEJL.