Bordi i Universitetit
Anëtarët e Bordit të Universitetit

Dr. Klaus Tohtermann
Klaus Tohterman (Klaus Tochtermann), ka diplomuar dhe doktoruar në shkencat kompjuterike në Universitetin e Dortmundit (Gjermani). Pas studimeve të postdoktoraturës në Texas A&M University, në SH.B.A., në vitin 2000, ai u vendos në Austri. Nga viti 2000, deri në vitin 2010, ai ishte drejtori i institutit kryesor kërkimor të Austrisë për menaxhimin e njohurive, Know-Center. Në vitin 2006, ai u emërua profesor ordinar në Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Teknologjisë në Grac. Që nga viti 2010, ai është drejtor i ZBW - Leibniz Qendrës së Informacionit për Ekonomi në Kiel dhe Hamburg (Gjermani). Ai gjithashtu mban pozitën e profesorit ordinar për Infrastrukturat e Informacionit Digjital në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Christian-Albrechts-University Kiel (Gjermani). Nën udhëheqjen e tij ZBW mori Çmimin ndërkombëtar LIBER për Inovacionin Bibliotekar, në vitet 2011, 2012 dhe 2013. Në 2014 ZBW- së iu dha çmimi "Biblioteka e Vitit në Gjermani". Klaus Tohterman vazhdimisht ka mbajtur ligjërata të shumta si profesor i ftuar jashtë vendit, të tilla si në Universitetin e St. Gallen-it (Zvicër) ose UITM-së në Kuala Lumpur (Malajzi). Ai është anëtar i komiteteve të shumta të ekspertëve shkencorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Edward P. Joseph
Ligjërues në “Johns Hopkins SAIS”, Edward P. Joseph ka shërbyer në terren në të gjitha konfliktet e luftës në rajon: Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në korrik 1995, në të njëjtën kohë me rënien e “zonës së sigurt” të Srebrenicës, Edward-i dhe një koleg i OKB-së koordinuan evakuimin e Zhepës fqinje. Edward-i ka dëshmuar në dy raste të Tribunalit të Hagës për ndërveprimet me Ratko Mlladiçin dhe komandantëve të tjerë të lartë serbë.
Në prill 2012 si Zëvendës Shef i Misionit të OSBE-së, Edward negocioi marrëveshjen e parë të rëndësishme të pasluftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare serbe në Kosovën e pavarur.
Në vitin 2023, Edward-i mori 'Çmimin e Paqes në Mostar' për shërbimin e tij gjatë kohës së luftës dhe të pasluftës. Redaktorët e “Foreign Affairs” zgjodhën artikullin e tij, “Ballkani, i ndërprerë” si “përzgjedhjen më të mirë të vitit”. Dy dokumente të fundit të “SAIS Review” paraqesin ide origjinale për të tejkaluar ngërçet politike ndërmjet: Kosovës dhe Serbisë; si dhe Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Ish pilot helikopteri i Ushtrisë Amerikane, Edward-i u dislokua me NATO/IFOR në Bosnje-Hercegovinë, duke fituar “Medaljen e Lavdërimit për Shërbim të Përbashkët”. Edward ka diplomë baçelor dhe master nga Universiteti Johns Hopkins dhe doktor i jurisprudencës nga Shkolla e Drejtësisë e Universitetit të Virxhinias. Ai flet kroatisht/serbisht.

Dr. Veli Kreci
Prof. Dr. Veli Kreci ka një karriere të gjatë në arsimin e lartë dhe para se t’i bashkohej Universitetit të Evropës Juglindore, ka qenë ndihmës drejtor i Qendrës për studime pasdiplomike për politikë dhe menaxhim publik (GCPPM), projekti i GSPIA në Maqedoninë e Veriut. Ai e ka ushtruar postin e prodekanit për studime pasuniversitare në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore. Aktualisht është drejtor i Institutit Hulumtues “Maks van der Shtul” dhe profesor i asociuar në fushën e politikave publike në Universitetin e Evropës Juglindore. Në vitin 2019, punoi si profesor i titulluar në Universitetin e Seattle, WA Seattle.
Doktoratën në shkencat politike e ka kryer në Universitetin e Evropës Juglindore, ka magjistruar në çështjet publike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Pitsburgut dhe ka përfunduar studimet deridiplomike në shkencat politike në Universitetin e Stambollit. Ai ishte bashkëpunëtor hulumtues në Universitetin e Pitsburgut, GSPIA në 2009 dhe Fullbrajt (Fulbright) bashkëpunëtor post-doktoral në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare të Middlebury në Monterey, 2013-2014. Dr. Kreci është hulumtues lider dhe koordinator i disa projekteve hulumtuese akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dr. Visar Shehu
Dr. Visar Shehu, i ka kryer studimet e magjistraturës në shkencat kompjuterike në Universitetin Indiana- Purdue University në Indianapolis dhe ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore. Është anëtar i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore që nga viti 2006. Aktualisht punon si profesor i asociuar. Që nga viti 2016, ka shërbyer si koordinator për hulumtim dhe mobilitet në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore. Është autor i shumë artikujve shkencor në fushën e tij dhe ka menaxhuar projekte hulumtuese në fushat e analizave të të dhënave dhe edukimit STEM. Dr. Visar Shehu është i përfshirë në mënyrë aktive në krijimin e bashkëpunimit të fortë midis industrisë dhe akademisë. Në këtë cilësi ai është themelues i dy ndërmarrjeve të zhvillimit të softuerit që operojnë me sukses ndërkombëtarisht me zyra në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, SHBA dhe Zvicër. Dr. Visar Shehu është emëruar anëtar i Bordit në vitin 2020.

Elmedina Abdulahi
Elmedina Abdulahi është bibliotekiste e lartë e arrirë me ekspertizë të gjerë në menaxhimin e bibliotekave dhe avokimin kulturor. Që nga viti 2019, ajo shërben si përgjegjëse e Bibliotekës "Maks van der Shtul" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, Maqedonia e Veriut. Rrugëtimi i saj akademik përfshin diplomë master në administratë publike nga i njëjti universitet dhe diplomë baçelor në etnologji nga Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Karriera e Elmedinës përfshinë angazhimin e saj proaktiv në forume profesionale dhe konferenca ndërkombëtare në SHBA dhe Evropë, duke avancuar shkathtësitë e saj në shkencat bibliotekiste dhe trashëgiminë kulturore. Ajo është bibliotekiste e licencuar nga Biblioteka Universitare Kombëtare “Shën Klementi i Ohrit” në Shkup dhe Universiteti “CNRS Luminy” në Marsejë, Francë.
Si mirënjohje për kontributin e saj, Elmedina është nderuar me çmime si “Bibliotekarja e Vitit” në vitin 2022 dhe “Biblioteka e Vitit 2020”. Udhëheqja e saj shtrihet përtej akademisë, ku ajo promovon në mënyrë aktive zhvillimin e komunitetit dhe avokimin për mjedisin jetësor përmes përfshirjes së saj në organizata të ndryshme joqeveritare. Në vitin 2024, Elmedina u nominua si "Gruaja Evropiane e Vitit" nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, duke nënvizuar ndikimin e saj si në sferën profesionale ashtu edhe në atë shoqërore. Ajo vazhdon të luajë një rol kryesor në krijimin dhe mbështetjen e nismave të bibliotekave në të gjithë rajonin, duke kontribuar në avancimin e burimeve kulturore dhe arsimore.

Dr. Sonja Topuzovska
Sonja Topuzovska ka përfunduar studimet baçelor, master dhe doktoratës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Fakulteti i Mjekësisë në Shkup, R. Maqedonisë së Veriut. Prej vitit 2013 është profesorë ordinar e biokimisë mjekësore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Fakulteti i Mjekësisë në Shkup. Aktualisht është prorekt ore për mësimdhënie në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Nga viti 2008 e deri më sot ka qenë anëtare dhe kryetare e disa komisioneve dhe organeve të Fakultetit të Mjekësisë, pjesëmarrëse në përgatitjen e akteve të Fakultetit të Mjekësisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2013 ka qenë anëtare e Komisionit Financiar në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 ka qenë kryetare e Komisionit për Vetëvlerësim në Universitet dhe nga viti 2009 e deri më sot është anëtare dhe aktualisht kryetare e Këshillit Profesional për Studime Doktoratës në Universitet. Ajo është specialiste në biokiminë mjekësore dhe interesi i saj kërkimor është në fushën e biokimisë mjekësore dhe klinike. Ajo është anëtare e disa shoqatave profesionale kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2019, Shoqata Mjekëve të Maqedonisë i ndau mirënjohjen më të lartë për rezultatet e arritura në profesion, shëndetësi dhe punë – Karta Trifun Panovski.
Dy herë ka qenë prodekane për mësimdhënie (2009-2016) dhe nga viti 2016 deri në vitin 2023 ka shërbyer dy mandate si dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup- Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi". Gjatë kësaj periudhe, ajo kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin dhe përmirësimin e mësimdhënies, kërkimit shkencor, kujdesit shëndetësor dhe aktiviteteve aplikative të Fakultetit.

Dr. Gligor Bishev
Gligor Bishev është kryetar i Këshillit Fiskal të Maqedonisë së Veriut, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Sparkasse Shkup dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Finance Think Tank. Diplomoi dhe mbrojti doktoraturën në Fakultetin Ekonomik në Shkup në degën e ekonomisë monetare dhe bankare. Ka qenë në studime kërkimore, vizita dhe kurse trajnimi në Institutin e Vjenës për Studime Krahasuese Ndërkombëtare, Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, Institutin e FMN-së, Bankën e Anglisë, Bankën Qendrore Austriake, Bankën Qendrore të Francës dhe Zvicrës.
Ai e filloi karrierën e tij si bankier qendror, duke u bërë zëvendësguvernator dhe nënkryetar i Këshillit të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut. Ai vazhdoi si bankier komercial: Drejtor ekzekutiv dhe Kryetar i Bordit Drejtues të Stopanska Banka Shkup dhe Sparkasse Banka Shkup.
Ai ishte pjesë e ekipit që krijoi monedhën maqedonase, programet e stabilizimit, reformat e sektorit financiar, rehabilitimin e sektorit bankar, vendosjen dhe zbatimin e standardeve makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, menaxhimin e rreziqeve bankare, emetimin e euro bonove në tregjet financiare ndërkombëtare.
Z. Bishev për shumë vite ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik në Prilep dhe në studimet pasuniversitare në Fakultetin Ekonomik në Shkup. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Bankave të Maqedonisë së Veriut, Nënkryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë, anëtar i Bordit Këshillimor të Biznesit në Fakultetin Ekonomik në Lubjanë, anëtar i Bordit Këshillimor të Biznesit në Kolegjin Amerikan, Bashkëkryetar në Tryezën e Dytë të Punës në Paktit Evropian të Stabilitetit, anëtarë i rrjetit hulumtues ndërkombëtar të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare Krahasuese dhe këshilltar i jashtëm i pesë kryeministrave të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ka botuar 380 studime shkencore, analiza, punime në revista shkencore dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit. Ai ishte anëtar i ekipit të ekspertëve që përgatiti Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024 – 2044.