Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!
Export

Programi:

Kriminalistikë dhe Siguri (2025/2026)

Cikli i studimeve: Cikli i dytë (Pasdiplomike)
Fakulteti: Drejtësia
Kodi i programit: CS60
Viti akademik: 2023 / 2024
Titulli: Magjistër në Kriminalistikë dhe Siguri
SETK: 60 (1 vit) Akreditimi
Vendimi: Vendimi për fillim me punë

Qëllimi i programit studimor të ciklit të dytë (studime master) në Kriminalistikë dhe Siguri është të përgatitë studentët për një karrierë të suksesshme në polici dhe organet e tjera të administratës shtetërore. Me anë të lëndëve të ofruara në këtë program, studentët do të kenë mundësi:
• Të fitojnë njohuri të thelluara teorike dhe të zhvillojnë aftësi profesionale për zgjidhjen e sfidave komplekse të sigurisë;
• Të kenë një pasqyrë dhe kuptim për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe të agjencive të zbatimit të ligjit;
• Të fitojnë njohuri të thelluara nga shkenca e forenzikës.
Programi ofron trajtim të thelluar teorik të lëndëve, që kombinohet me trajnim praktik unik në Laboratorin Forenzik të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, ku studentët fitojnë përvojë praktike në analizën forenzike. Në laborator, studentët marrin pjesë aktivisht në aktivitete praktike të ndryshme nga fusha e shkencës forenzike, si: ekzaminimi i gjurmëve biologjike, testimi i shpejtë i drogës, simulimi i këqyrjes së vendit të ngjarjes, daktiloskopia dhe aplikimi i teknikave të tjera forenzike. Me anë të këtyre ushtrimeve, studentët zhvillojnë aftësi të avancuara në analizën forenzike dhe aktivitetet hetimore, që janë të rëndësishme për punësimin e tyre të ardhshëm dhe kontributin e tyre në luftimin e kriminalitetit dhe ruajtjen e drejtësisë. Përveç kësaj, programi i përgatit studentët edhe për punë hulumtuese në fushën e Kriminalistikës dhe shkencave të Sigurisë, duke i’u  hapur rrugë për një karrierë akademike.

Të diplomuarit nga programi i Masterit në Kriminalistikë dhe sigurisë do të jenë të pajisur me njohuri të avancuara dhe aftësi praktike që hapin mundësi karriere në sektorët publik dhe privat. Ata mund të ndjekin karrierë në agjencitë e zbatimit të ligjit, kompani sigurie, agjenci inteligjence dhe organizata shtetërore që merren me parandalimin dhe lufrimin e krimit dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, mundësitë ekzistojnë në laboratorët e shkencës forensike, shërbime hetimore private, këshillim juridik, menaxhim rreziku dhe kompani të sigurisë kibernetike. Të diplomuarit mund të gjejnë mundësi punësimi dhe në organizata ndërkombëtare që fokusohen në drejtësinë penale, të drejtat e njeriut dhe krimin transnacional. Me ekspertizë në analizën e sjelljeve kriminale, hetimin e vendeve të krimit dhe menaxhimin e sigurisë, ata janë të përgatitur mirë për të përballuar sfida komplekse në fushën e drejtësisë penale dhe sigurisë.

Njohuritë dhe të kuptuarit

- Ka njohuri të avancuara teorike dhe praktike mbi sistemin e sigurisë nacionale  dhe i riprodhon njohuritë mbi qëllimet dhe standardet e sigurisë;
- Ka njohuri dhe kuptime specifike mbi masat dhe veprimet preventive dhe represive të sigurisë në kuadër të menaxhimit me situata të krizës dhe mbi prioritetet në fushën e sigurisë;  
- Ka njohuri të detajuara mbi kuptimin dhe pranimin e parimeve themelore të etikës profesionale në fushën e sigurisë;
- Ka kuptim specifik mbi teknologjitë dhe metodologjitë e hulumtimit në fushën e sigurisë;

Aplikimi i njohurive dhe të kuptuarit

- I identifikon dhe i zbaton politikat, procedurat dhe rregullat në fushën e sigurisë;
- I identifikon dhe i analizon çështjet më komplekse në fushën e sigurisë, duke marrë pjesë aktivisht në të gjitha fazat e implementimit të politikave, të procedurave dhe të vendimeve në fushën e sigurisë dhe në krijimin e standardeve të sigurisë në organizata dhe institucione të fushës së sigurisë;
- I interpreton dhe i diskuton çështjet bashkëkohore komplekse, që ndërlidhen me rreziqet, sfidat dhe kërcënimet në fushën e sigurisë;
- Formulon plane, raporte dhe dokumente strategjike në lëmin e menaxhimit me situata të krizës dhe të shfrytëzimit të teknikave e të mekanizmave kontrolluese të standardeve të sigurisë;
- I zbaton njohuritë e përfituara nëpërmjet hulumtimit të procesit të zgjidhjes së çështjeve komplekse dhe praktike të sigurisë;

Aftësitë për të vlerësuar

- Merr vendime për zgjidhjen e rasteve më komplekse praktike nëpërmjet hulumtimit të krijimit të politikave, procedurave dhe vendimeve nga fusha e sigurisë;
- I vlerëson dhe i dallon standardet e sigurisë të organizatave dhe të institucioneve nga fusha e sigurisë;
- Ka mendim më të zhvilluar kritik përmes metodës së analizës dhe të krahasimit.

Aftësitë e komunikimit

- Përdor terminologji adekuate për çështje komplekse dhe specifike në sferën e sigurisë.
- Angazhohet aktivisht në argumentimin dhe në debatin shkencor.
- I përdor gjuhët zyrtare të universitetit dhe ka shkathtësi të avancuara të teknologjive të informimit në punën shkencore.

Aftësitë e të mësuarit

- Zhvillon rregullore të punës kërkimore që përdoret në profesionin e tij.
- Zhvillon një praktikë të mësimit të vazhdueshëm, duke u angazhuar në trajnimin e personave që punojnë në shërbimet diplomatike-konsullore të shtetit.

Semestri 1

  • [MCCR2040] [6 SETK] Kriminalistika
    Qëllimi kryesor i këtij lënde është që studentët të mësojnë bazat e Kriminalistikës si një shkencë e pavarur dhe të fitojnë njohuri të avancuara për shkencën mbi zbulimin dhe të provuarit e krimit. Objekt i studimit të kësaj lënde janë parimet themelore të Kriminalistikës, metodat, degët kryesore të saj si Teknika, Taktika dhe Metodika kriminalistike. Përmes kësaj lënde, studentët aftësohen për të identifikuar dhe analizuar problemet që lidhen me këtë shkencë. Studentët do të fitojnë njohuri lidhur me Traselogjinë, Daktiloskopinë, Ballistikën dhe Teknikën regjistruese. Gjithashtu ata do të fitojnë njohuri teorike dhe praktike lidhur me aktivitetet taktike hetimore dhe ato operative si dhe lidhur me metodikën e zbulimit të formave të ndryshme të kriminalitetit.
  • [MCSS2030] [6 SETK] E Drejta Policore
    Përmes kësaj lënde, studentët do të fitojnë njohuri rreth organizatës së policisë, pushtetit të policisë, të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës së oficerëve të policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në përputhje me kornizën ligjore nacionale dhe ndërkombëtare. Qëllimet e programit të lëndës janë që studentët do të: • Fitojnë njohuri themelore rreth së drejtës policore, burimeve të së drejtës policore, kornizës ligjore, pushtetit të policisë dhe organizimit të brendshëm të policisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut; • Kenë njohuri të detajuara për të drejtën policore në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe njohuri krahasuese për të drejtën policore në shtete të tjera; • Të zhvillojnë aftësi për të menduar në mënyrë kritike; • Të jenë në gjendje të kryejnë analiza dhe kërkime për koncepte dhe ngjarje specifike që lidhen me të drejtën policore; • Të kenë aftësinë për të prezantuar rezultatet e kërkimit, për të punuar në grupe dhe për të debatuar; • Të jenë në gjendje të aplikojnë teorinë në raste praktike në jetën reale.
  • [CM253] [6 SETK] E Drejta Penale e Aplikuar
    Me studimin e lëndës E drejta penale e zbatuar, studenti do të njihet me institutet dhe normat penale, si dhe me parimet mbi të cilat bazohet e drejta penale. E drejta penale, si degë e së drejtës pozitive, përfaqëson një sistem normash me anë të të cilave disa sjellje të caktuara njerëzore shpallen vepra penale, për këto vepra përcaktohen dënime dhe masa të tjera ndëshkuese nga shteti dhe përcaktohen kushtet dhe mënyrat për aplikimin e tyre.
  • [MCCR3020] [6 SETK] Krimi i organizuar
    Qëllimi i kësaj lënde është që studentët të fitojnë njohuri shkencore dhe të thelluara për krimin e organizuar si një shkencë juridiko-penale. Subjekti i studimit të krimit të organizuar si një disiplinë shkencore e re është shfaqja dhe zhvillimi i vetë krimit të organizuar. Fushat e studimit të krimit të organizuar përfshijnë shfaqjen, format, shkaqet dhe pasojat e krimit të organizuar, si dhe rregullat shoqërore dhe shtetërore si mënyra për luftimin e krimit të organizuar. Përmes kësaj lënde, studentët do të njihet me rëndësinë, objektin dhe metodologjinë e shkencës për krimin e organizuar. Ata do të dallojnë teoritë e ndryshme për krimin e organizuar dhe arsyet e tij, si dhe formën dhe tipologjinë kriminale. Ata do të mësojnë gjithashtu për aspektet kriminalistike të krimit të organizuar, si dhe për etiologjinë ose shkaqet e krimit të organizuar.
  • [6 SETK] Lëndë zgjedhore
    • [MCCR1040] Kriminologjia
    • [MCCR2010] Penologjia
    • [CM159] Delikuenca e të Miturve
    • [EMMS3030] Kriminaliteti kompjuterik
    • [EM513] Kriminaliteti Ekonomik

Semestri 2

  • [MCCR1120] [6 SETK] Metodologjia e Hulumtimit
    Studentët do të aftësohen për: • Të aplikuar metodat kryesore juridike dhe tjera të hulumtimit. Të mbledhin material relevant hulumtues në mënyrë kritike dhe kreative dhe të citohet në mënyrë selektive nga autorët në përgjigjet e tyre. • Të kuptojnë shtrirjen e procesit të hulumtimit dhe qasjen ndaj metodave të ndryshme të hulumtimit shkencor dhe të jenë në gjendje t’i kritikojnë ato. • Të studiojnë marrëdhënien mes teorisë juridike dhe praktikës së hulumtimit përmes një qasjeje të avancuar. • Të aplikojnë aftësitë dhe njohuritë që i kanë fituar përmes tezave të tyre. • Të shmangin plagiatizmin. • Të kenë njohuri të avancuara për metodat e hulumtimit në shkencat juridike si dhe standardet e citimit.
  • [CM296] [24 SETK] Punimi i magjistraturës
    Pas dhënies së provimeve, studenti mund të fillojë me procedurën e paraqitjes, së punimit dhe mbrojtjes publike të temës së magjistraturës. Studenti e zgjedh mentorin, me udhëzimin e të cilit e përgatit aplikimin e tezës së magjistraturës. Aplikimi patjetër duhet të lejohet nga Këshilli mësimor-shkencor i fakultetit. Pas punimit të versionit final të tezës së magjistraturës, Këshilli mësimor-shkencor formon komision tre anëtarësh, i cili përgatit raport, me çka pranohet ose refuzohet teza e magjistraturës. Raporti pozitiv miratohet nga Këshilli mësimor-shkencor dhe caktohet dita e mbrojtjes publike.
Google+