-
[CPA-101] Hyrje në administrimin publik
Administrata publike paraqet një fushë të veçantë me interes shkencor. Lënda: Hyrje në Administrimin Publik duhet t’u ofrojë studentëve njohuri mbi konceptet themelore të administratës publike. Kujdes i posaçëm do t’i kushtohet ofrimit të njohurive për evoluimin e administratës publike, si dhe të reformave të parapara të administratës publike në vendin tonë. Gjithashtu, studentët do të kenë mundësi të njoftohen dhe në mënyrë kritike ta analizojnë zhvillimin dhe fenomenet në administratën publike. Meqë lëmi i studimit është objekt i ndryshimit të pandërprerë, kujdes i veçantë do t’u kushtohet zhvillimeve të reja si dhe teorive klasike të studimit të administratës publike. Materia hulumtuese e kësaj lënde konsiston në: përkufizimet dhe njohuritë themelore për parimet dhe institucionet e administratës publike, rolin dhe rëndësinë e administratës publike në shoqërinë e organizuar, gjenezën dhe zhvillimin historik të administratës publike, strukturat organizative të administratës publike, funksionimin e institucioneve të administratës publike, shërbimet e administratës publike, vendimmarrjen në AP.
-
[CPA-201] Lidershipi Publik dhe Zhvillimi Organizativ
Kjo lëndë ka për qëllim t’i njoftojë studentët me mënyrën se si liderët dhe udhëheqësit i zhvillojnë dhe si i zbatojnë arritjet e misionit dhe vizionit në një organizatë të dhënë në sektorin publik; zhvillimin e vlerave të nevojshme për sukses afatgjatë dhe zbatimin e tyre nëpërmjet aktiviteteve dhe shprehive të përshtatshme; si liderët dhe udhëheqësit janë personalisht të përfshirë në sigurimin, që sistemet e menaxhimit të sigurisë, do të zhvillohen dhe zbatohen. Gjithashtu, i njofton për mënyrën se si organizata e realizon misionin dhe vizionin e saj përmes një strategjie të qartë të bazuar në pikëpamjet e të gjitha palëve të interesuara, të mbështetur nga të gjitha politikat relevante, planet, qëllimet dhe proceset.
-
[CPA-302] Hyrje në politikat publike
Lënda ka për qëllim t’u mundësojë studentëve që t’i kuptojnë më lehtë politikat publike, parimet për krijimin e tyre, udhëheqjen e një politike konkrete, analizën, implementimin, vlerësimin dhe zhvillimin e saj. Menaxhimi i politikave publike është disiplinë për zgjidhjen e problemeve të cilat rezultojnë në njohuri nga metodologjitë dhe teoritë themelorë të shkencave sociale, të profesioneve sociale dhe të filozofisë së politikave.
-
[CLE-101] Fillet e së Drejtës
Qëllimi i programit të lëndës:
Studentët të pajisen me njohuri themelore për shtetin dhe të drejtën;
Aftësimi i studentëve për formësimin teorik të formave të ndryshme të shtetit;
Vështrimi kritik i së drejtës si një fenomen shoqëror;
Inkurajimi i vështrimit analitik te studentët për problemet me të cilat sot ndeshet shteti dhe e drejta në kushtet e globalizimit dhe integrimeve evroatlantike;
Në fund të lëndës studentët do të jenë në gjendje të dallojnë format themelore të shtetit dhe së drejtës;
Т’i shpjegojnë konceptet themelore për shtetin dhe të drejtën dhe ndërlidhjen e tyre me jetën praktike;
T’i fitojnë njohuritë themelore, hyrëse dhe të përgjithshme për shtetin dhe të drejtën të cilat do të jenë doemos të nevojshme për studime të mëtejshme në shkencat bazale juridike.
-
[ELE-708] Hyrje në kriminalistikë
Përmes kësaj lënde studentët do të fitojnë njohuri të thelluara nga kriminalistika. Kjo disiplinë, në kuptimin e gjerë të fjalës, kontribuon në luftën kundër kriminalitetit përmes zbulimit dhe parandalimit të tij. Kjo lëndë mësimore do të përpunohet në mënyrë teorike dhe praktike (përmes konsultimeve, literaturës së propozuar, debateve dhe diskutimeve me studentët). Qëllimi i këtij programi është përgatitja dhe aftësimi i studentëve për përdorimin e mjeteve dhe metodave kriminalistike që përdoren për zbulimin dhe sqarimin e veprave penale si dhe për parandalimin e kriminalitetit.
-
[C2298] E drejta e punës
Studimi i lëndës E drejta e punës studentëve do t’u mundësojë:
-të njihen me korpusin e çështjeve dhe problemeve të cilat janë pjesë përbërëse e së drejtës së punës, duke u nisur nga premisa fundamnetale se secili nga ne një ditë do të themelojë marrëdhënie pune dhe pikërisht për atë arsye njohja e të drejtave nga marrëdhënia e punës paraqet edhe një mori çështjesh në luftën për jetë më cilësore;
-të njihen me aspektet e ndryshme të realizimit të të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive nga marrëdhënia e punës, si dhe me institucionet juridike nga lëmi i punës;
-t’i studiojnë marrëdhëniet e punës në praktikë përmes – procedurës së punësimit, lidhjen e kontratës për punësim, realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave nga marrëdhënia e punës te punëdhënësi dhe organet kompetente; procedurën e përgjegjësisë së të punësuarve; pushimin e marrëdhënies së punës, përkatësisht pushimin e vlefshmërisë së kontratës për punësim;
-të përpunojnë aktet konkerete në lidhje me të gjitha institutet të cilat janë përfshirë me rregullativën ligjore pozitive nga lëmi i marrëdhënieve të punës në RMV;
-të mundësohen forma të ndryshme të pjesëmarrjes së studentëve dhe të inkorporohet mundësia për përvetësimin e numrit sa më të madh të mundshëm të poenave të parashikuara për aktivietin.
-
[EFE-132] Liritë dhe të Drejtat e Njeriut
Lufta për të drejtat e njeriut fillon me përpjekjet historike për t'i identifikuar ato. Me kalimin e kohës, korpusi i të drejtave dhe lirive të njeriut që mbrohen me ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare është zgjeruar, por kjo nuk do të thotë se ato respektohen në praktikë. Në fillim, të drejtat e njeriut konsideroheshin si çështje të brendshme të shteteve (sipas parimit te sovranitetit absolut të shtetit) dhe vetëm në kohërat më të reja ato fituan statusin e normave kogente. Kjo lëndë e studion zhvillimin e doktrinës për të drejtat e njeriut, llojet dhe kategoritë e të drejtave të njeriut dhe dokumentet kryesore që i rregullojnë dhe që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Kjo lëndë ka për qëllim: t’i njoftojë studentët me konceptin e të drejtave ndërkombëtare të njeriut, me zbatimin e tyre dhe me ndikimin që ato kanë në formulimin e politikave kombëtare. Kjo do t'i inkurajojë studentët të reflektojnë në mënyrë kritike mbi raportin mes të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj kombëtare, do t'i vetëdijësojë ata për ndryshimet ndërkombëtare në këtë drejtim dhe për mënyrën se si këto të drejta ndikojnë në jetën e njerëzve në botë. Lënda do t’i nxisë që të kontribuojnë në përparimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
-
[CLE-203] Shkrimi dhe Arsyetimi Ligjor
Qëllimi i lëndës është që të ofrojë njohuritë themelore të shkrimit dhe arsyetimit juridik studentëve të vitit të parë. Në këtë lëndë, do të përfitohen njohuritë e shkrimit dhe arsyetimit juridik, parimet dhe udhëzimet themelore për të, duke zbatuar metodat e ndryshme të shkrimit juridik të akteve juridike normative (rregulloret, ligjet, vendimet, aktgjykimet, kontratat, testamentet, etj) dhe të akteve juridike jonormative (CV, kërkesa, konkursi, aplikimi, njoftimi, padia, etj).
-
[EARTL-01] Teknologjia Reproduktive e Asistuar dhe e Drejta
Kjo lëndë ka për qëllim të theksoj faktin se në shoqërinë bashkëkohore, tanimë nuk ekziston një model universal i familjes dhe prindërisë. Me studimin e lëndës ‘Teknologjia Reproduktive e Asistuar dhe e Drejta’, studentët do të fitojnë njohuri rreth teknologjive të reja për reproduktimin artificial, të cilët janë pjesë e politikës bashkëkohore të natalitetit. Studentët, në detaje do të mësojnë për të gjitha metodat e reja të reproduktimit të qenies njerëzore, duke përfshirë: inseminimin artificial, in- vitro fertilizimi, amësia surrogate, lindja e fëmijës nga një grua me spermë të donuar, reproduktimi post human, ko-prindëria (bashkëprindëria), ngjizja e fëmijës nga tre persona, krioprezervimi i gameteve ose embrioneve. Nëpërmjet kësaj lënde, studentët do të njoftohen se ekzistojnë edhe forma tjera, të cilat shkenca i ofron, por ende konsiderohen procese të ndaluara: klonimi, zgjedhja e gjinisë së fëmijës, përmirësimi i kapaciteteve fizike, intelektuale të fëmijës së ardhshëm (eugenika), etj. Përmes studimit të kësaj lënde, pritet nga studentët, që ta zhvillojnë mendimin e tyre kritik me anë të debateve për dilemat e shumta morale, etike dhe juridike lidhur me këto teknologji të reja për reproduktimin e qenies njerëzore.
-
[ELE-408] Dhuna në Familje
Dhuna në familje është një fenomen shoqëror me përmasa dhe shtrirje të gjerë edhe në shoqërinë bashkëkohore. Ajo, është e pranishme në të gjitha shtetet e shoqëritë, pavarësisht zhvillimit dhe emancipimit të tyre. Imunë ndaj këtij fenomeni nuk është as vendi ynë e as rajoni në të cilin jetojmë. Andaj, studentët e drejtësisë përmes kësaj lënde fitojnë njohuri rreth asaj se çfarë është dhuna në familje, format në të cilat ajo manifestohet, rregullimet ligjore në vend, rajon dhe në sferën ndërkombëtare, si dhe mënyrat e parandalimit të saj. Përmes kësaj lënde, studentët në fund të lëndës, do të jenë në gjendje ta identifikojnë dhunën në familje, t’i identifikojnë veprat penale që inkriminohen në Kodin Penal si dhunë në familje, si dhe të zhvillojnë mendim kritik rreth kësaj problematike. Kjo lëndë e aftëson juristin e ardhshëm që gjatë ushtrimit të profesionit të tij si gjykatës, prokuror apo avokat t’i trajtojë në mënyrë sa më adekuate çështjet nga kjo sferë që kanë ndjeshmëri të lartë, si dhe të ofrojnë ndihmë dhe mbrojtje sa më adekuate për viktimat e këtyre veprave penale.
-
[CCS-101] Hyrje në shkenca kompjuterike
Kjo lëndë paraqet një hyrje të gjerë dhe të integruar në konceptet themelore të shkencave kompjuterike. Lënda mbulon tema, siç janë: historia e llogaritjes; logjika dhe sistemet digjitale; hyrje në arkitekturën kompjuterike, algoritme të thjeshta, zgjidhje problemesh dhe struktura të të dhënave; hyrje në gjuhët e programimit, sistemet operative, bazat e të dhënave, rrjetat, inxhinieria e softuerit dhe ueb-it; llojet e aplikacioneve, përfshirë edhe përshkrimin e disa programeve specifike (procesorë teksti, baza të dhënash, shfletues, etj.); procedimi i të dhënave tradicionale dhe multimediale.
-
[CCS-102] Teknologjitë e Internetit
Qëllimi kryesor i lëndës është që t’u jep studentëve njohuri praktike mbi mekanizmat themelorë, shërbimet dhe protokollet e rrjetit global - Internetit. Lënda ofron mësimin e arkitekturës së përgjithshme të uebfaqeve efikase, skalabile dhe të sigurta. Studentët, do të fitojnë njohuri të thella teknike të XML, XHTML (listat, tabelat, figurat, multimedia dhe formularët), CSS (formatimi, stilet dhe layout-i), si dhe JavaScript (variablat, kushtet, ciklet dhe funksionet).
-
[CCS-402] Probabiliteti dhe Statistika e Zbatuar
Qëllimi i kësaj lënde është t’i pajisë studentët me njohuritë themelore nga probabiliteti dhe statistika që kanë zbatim të drejtpërdrejtë në fushën e shkencave kompjuterike. Qëllimi është që të mësohet se si bëhet përpunimi i të dhënave statistikore, ligjshmëritë e tyre, paraqitja e tyre, ligjet për dhënien e konkluzioneve përkatëse bazuar në të dhënat e përpunuara, etj. Po ashtu, qëllimi është që të mësohen parimet themelore nga fusha e probabilitetit dhe se si mund të zbatohen ato parime në fushat e ndryshme nga jeta e përditshme posaçërisht në lëmin e shkencave kompjuterike.
-
[ECS-500] E-tregtia
Lënda ka për qëllim t’i mësojë studentët me konceptet themelore dhe me terminologjinë e e-tregtisë (e-commerce):
●historinë e e-tregtisë;
●e-botën: e-biznesin dhe e-tregtinë;
●modelet e biznesit për e-tregtinë;
●sistemet e pagesave online;
●marketingun online;
●e-infrastrukturat.
-T’u mësojë teknologjitë kryesore, të cilat janë të detyrueshme për të drejtuar e-tregtinë në ditët e sotme, duke përfshirë: shërbyesit (serverët), aplikacionet (software), lidhjet e internetit, portat e pagesës dhe sigurinë e tyre, “cookies”, etj.
-Të bëhet aplikimi i konceptit “e-commerce” nga teoria në praktikë, duke bërë analizë të duhur në modelet e biznesit dhe teknologjive, si dhe marrjen e vendimeve në zgjidhjet më të përshtatshme.
-Të sqarohet kuptimi i procesit të krijimit të një dyqani ueb dhe lidhja e tij me sistemet e pagesës (porta pagese / payment gateway).
-Studenti të jetë në gjendje ta aplikojë këtë ide të e-biznesit në letër, të krijojë modelin e biznesit dhe të përgatisë financat.
-Studenti të jetë në gjendje t’i dallojë mjetet e ndryshme në internet për marketing dhe të jetë në gjendje të zbatojnë disa prej tyre në praktikë.
-Shqyrtimi mbi sigurinë e informacionit, etika dhe çështjet sociale si dhe mënyrat për të trajtuar çështje të veçanta.
-Studenti të jetë i njohur me internet dhe “cloud” shërbimet.
-
[CISM2021] Hyrje në sistemet e informacionit
Qëllimet e kesaj lënde janë:
Të mësohen konceptet themelore dhe terminologjia e sistemeve të informacionit:
- Konceptet themelore të sistemeve të informacionit: hardueri, softuerie, rrjetet;
- E-World: e-biznes dhe e-commerce;
- Zhvillimi i proceseve;
Të mësohen sistemet e informacionit dhe të teknologjive që përmirësojnë vlerat e biznesit dhe proceset e ndryshme brenda organizatave;
Aplikimi i IS koncepteve në disiplina të ndryshme drejtuese, gjatë analizës, interpretimit, vlerësimit dhe vendimeve;
Kuptimi i procesit të ridizajnimit të organizatave duke përdorur sistemet e informacionit;
Përshkrimi i rolit të sistemeve të informacionit në vendimmarrje;
Shqyrtimi i sigurisë së informacionit, etikës dhe çështjeve sociale;
Njoftimi me internetin, tregtinë elektronike dhe e-biznesin;
Përgatitja e studenteve për të punuar në projekte të vogla, puna individuale apo grupore, të cilët nga natyra mund të bien në këto kategori: studimet e rastit, projektit kërkimor shkencor, projekte zhvillimore ose projekte praktike.
-
[ECS3060] Etika profesionale e TI
Lënda siguron qasje gjithpërfshirëse në çështjet aktuale etike me rastin e shfrytëzimit të teknologjive të informacionit (TI). Vlerëson një sërë çështjesh të shtruara në vitet e kaluara dhe ato të tanishmet me të cilat ballafaqohen shfrytëzuesit e TI-së, duke filluar nga liria e të shprehurit, privatësia, pronësia intelektuale, hakerimi, dhe vazhdon me epokën e re, shfrytëzimin etik të rrjetave sociale dhe komunitetet online. Trajtohen dilemat etike dhe përgjegjësitë etike të profesionistëve të TI-së, si dhe promovohet vlerësimi kritik dhe shfrytëzimi I përgjegjshëm i TI-së.
-
[EFE-129] Gjuhë shqipe me kulturë shkrimi
Lënda Gjuhë Shqipe me Kulturë Shkrimi është një sintezë e rregullave dhe udhëzimeve, të cilat janë të parapara për t’i përmirësuar shkathtësitë e të shprehurit me shkrim dhe me gojë në gjuhën shqipe. Përmirësimi i këtyre shkathtësive, para së gjithash, parashihet që të realizohet përmes familjarizimit me rregullat drejtshkrimore dhe disa norma morfologjike e sintaksore të gjuhës shqipe që shihen si të nevojshme që të arrihet përdorimi i drejtë i gjuhës. Më pas, theks i veçantë i kushtohet motivimit të studentëve për ligjërim të rrjedhshëm, rritjes së vetëdijes për përdorimin e gjuhës së pastër dhe standarde shqipe. Gjithashtu, hapësirë të veçantë zë edhe nxitja e vullnetit për përmirësim të procesit të të shkruarit, duke i vetëdijesuar studentët për dallimet e llojeve të teksteve të shkruara, por edhe për vetëdijen për integritet akademik në punimet serioze kërkimore(plagjiaturën), duke mos lënë pas as përfshirjen e terminologjisë specifike të fushave të ndryshme në të cilat janë të orientuara studentët. Të gjitha këto tema janë paraparë që studentëve t’u ofrohen si njësi mësimore të kombinuara, gjegjësisht si rregulla, udhëzime e ushtrime që plotësohen mes veti.
-
[EFE-105] Gjuhë gjermane 1-4
Me përfundimin e lëndës, nga studentët pritet që të kenë fituar njohuri të duhura në përputhje me Kornizën Evropiane të Gjuhëve (të përcaktuara saktësisht në nivele). Përveç kësaj, pritet që studentët të bëhen më të pavarur dhe më të përgjegjshëm ndaj mësimit të gjuhës. Deri në fund të lëndës, studentët do të jenë në gjendje që në mënyrë kritike të reflektojnë mbi tema të ndryshme dhe të japin përfundime. Studentët, gjithashtu do të jenë në gjendje t’i shprehin mendimet dhe opinionet e tyre në formë të shkruar dhe gojarisht në gjuhën gjermane.
-
[EEL-613] Multikulturalizmi në Mësimdhënien e Gjuhës Angleze
Qëllimet e programit të lëndës:
Aftësi komunikimi:
Studentët pritet të jenë në gjendje të prezantojnë opinionet e tyre në lidhje me kulturën dhe globalizimit dhe e gjithë kjo reflektohet në procesin e arsimimit. Pritet të diskutohen tema lidhur me tolerancën, mirëkuptimin, dhe akomodimin e diversitetit. Ata, gjithashtu, do të punojnë drejt përgatitjes të eseve, ku do të trajtohen çështjet e relativizmit kulturor, stereotipeve, paragjykimeve, si dhe zhvillimi i koncepteve të bashkëpunimit ndërkulturor dhe arsimimit multikulturor.
Aplikimi i njohurive dhe të kuptuarit:
Krijimi i modeleve arsimore për bashkëpunim multikulturor dhe zbatimi i tyre në procesin e mësimdhënies së gjuhës angleze si gjuhë e dytë. Zhvillimi i një strategjie arsimore që do të tregohet e suksesshme në situata ku mund të ketë tensione në mesin e studentëve për shkak të mungesës së tolerancës.
Aftësitë për të vlerësuar:
Përpunimi i portofolit individual të bazuar në parimet e arsimimit multikulturor dhe kapacitetit, si dhe identifikimi i rasteve kur ka mungesë tolerance, duke synuar zhvillimin e frymës së bashkëpunimit ndërkulturor.
Njohuri dhe mirëkuptim:
Njoftim me parimet themelore të kulturës, relativizmit kulturor, arsimimit ndërkulturor dhe multikulturor dhe adresimi i këtyre çështjeve në kuadrin e mësimdhënies së gjuhës angleze si gjuhë e huaj.
Aftësitë e të mësuarit:
Njoftim me modelet efikase për promovimin e multikulturalizmit në procesin arsimor, ku gjuha angleze do ta ketë rolin më të rëndësishëm, si gjuhë neutrale për studentët, pavarësisht nga përkatësia etnike.
-
[EFE-108] Studime Ndërkulturore
Pasi ta kenë përfunduar lëndën, studentët, do të mund t’i identifikojnë çështjet globale dhe problemet nga perspektiva e kulturave të ndryshme, dinamikën e komunikimit në kulturat tjera, ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet vlerave të tyre dhe ato të kulturave tjera, si dhe ngjashmëritë dhe dallimet e praktikave të komunikimit të tyre dhe të kulturave tjera. Aq më shumë, nga studentët pritet që të bëhen më të vetëdijshëm për stereotipat që shoqëria i ka për kulturat e ndryshme dhe, si pasojë, më mirë do ta kuptojnë vendin e tyre në komunitetin global. Studentët, do të fillojnë të mendojnë në mënyrë kritike mbi tema rreth etnisë së tyre, identitetin gjinor, klasën, fenë, origjinën kombëtare, moshën si dhe karakteristika të tjera demografike dhe ndikimin e tyre në procesin e komunikimit. Pas përfundimit të lëndës studentët do të fitojnë aftësi të të komunikuarit të nevojshme për punën në grupe përmes pjesëmarrjes së tyre në hulumtime dhe gjithashtu do të fitojnë aftësi për t’i prezantuar këto projekte kërkimore.
-
[E2539] Arsyetimi dhe Mendimi Kritik
Pas përfundimit të suksesshëm të lëndës, studentët, do të jenë në gjendje që ta përmirësojnë mënyrën e tyre të të menduarit, përmes të kuptuarit të strukturave të brendshme të procesit të të menduarit dhe duke i rishikuar ato në kuadër të standardeve individuale dhe akademike. Ata, do të zhvillojnë strategji të vendimmarrjes, të bazuara në reflektim, arsye dhe logjikë. Përmes kësaj lënde, studentët, do të mësojnë se në bazë të cilave tendenca, ngjashmëri dhe supozime bazohen reflektimet e tyre, si dhe cilat kushte dhe pasoja lindin nga mënyra e tyre e të menduarit. Ky mendim reflektues, nënkupton një rishikim aktiv, të kujdesshëm dhe të vazhdueshëm të të gjitha besimeve individuale në lidhje me fundamentin që i mbështesin ato dhe konkluzionet që dalin prej tyre. Studentët pritet të fitojnë njohuri dhe aftësi për të marrë vendime të kapshme, të nevojshme në mjedisin e përditshëm në lidhje me profesionet e tyre të ardhshme.
-
[EPRNM-02] Marrëdhëniet me Publikun dhe Mediat e Reja
Lënda, do të fokusohet në zhvillimin e aftësive komunikuese dhe të teknikave që janë të domosdoshme për funksionimin efektiv në epokën e globalizimit. Studentët, do ta përpunojnë procesin e globalizimit, aspektet sociale, aspektet politike, ekonomike dhe kulturore të fenomenit modern, si dhe pasojat dhe ndikimet në sferën e komunikimit, të cilat njëherësh karakterizuan edhe një epokë të postmodernizmit, veçanërisht ndikimin e mediave të reja sociale, strukturën dhe funksionin e tyre, multilinugalizmin në rrjetet sociale, efektet dhe pasojat në realitetet moderne të komunikimit në botë.
-
[ECM-602] Media dhe Shoqëria
Mediat dhe Shoqëria paraqet hyrje të studentëve në një disiplinë, e cila i studion marrëdhëniet komplekse mes mediave dhe shoqërisë, rolin e mas mediave si teknologji ndërmjetësuese gjatë komunikimit masiv dhe global. Qëllimi i veçantë i lëndës janë implikimet politike, sociale dhe kulturore të mediave mbi shoqërinë.
-
[CBE-101] Hyrje në ekonomi dhe biznes
Qëllimi kryesor i kësaj lënde është ta zhvillojë kuptimin bazik të koncepteve dhe teorive kryesore ekonomike, të cilat përdoren për analizë të çështjeve ekonomike. Kjo lëndë është e dizajnuar në atë formë që t’u mundësojë studentëve të pajisen me njohuri për parimet bazë, me konceptet dhe teknikat në fushën e ekonomisë si shkencë, si dhe në analizat ekonomike. Kjo lëndë siguron hulumtimin e parimeve të mikroekonomisë dhe makroekonomisë, duke u fokusuar në implementimin e dijes në sjelljen e vendimeve në një ambient global.
Pas mbarimit të lëndës, studentët duhet të aftësohen: ta përdorin modelin e ofertës dhe kërkesës dhe ta përcaktojnë ndikimin e ndryshimeve të kërkesës dhe ofertës mbi çmimin dhe sasinë; ta definojnë PBB (GDP) dhe të kalkulojnë matjen, përdorimin dhe kufizimin e PBB (GDP), si një mjet i mirëqenies ekonomike; ta definojnë inflacionin dhe ta kalkulojnë atë, të njihen me pasojat dhe si të përshtaten në to; si dhe t’i përshkruajnë rolet dhe mjetet e bankës qendrore.
-
[CBE-103] Parimet e menaxhmentit
Qëllimi i kësaj lënde është që studentët që njoftohen me bazat e menaxhmentit, gjenezën dhe përkufizimin e tij, si dhe me parimet themelore në të cilat do të bazohet puna e secilit menaxher të ardhshëm. Ndjekja e kësaj lënde ka për qëllim që studentët të përfitojnë njohuri themelore nga fusha e funksioneve bazike në menaxhment si planifikimi, organizimi, koordinimi, motivi dhe kontrolli.
Të mësuarit e kësaj lënde studentëve do t’u mundësojë:
-T’i mësojnë bazat e menaxhmentit dhe të aftësohen për to që të japin shembuj konkretë.
-Të aftësohen ta shohin këtë lëndë si nevojë për fitimin e njohurive, të cilat do të jenë në kontekst të zbatimit në praktikë të asaj që kanë mësuar.
-Të mendojnë në mënyrë efikase që do t’u ndihmojë të përballen me problemet afariste në jetën e tyre të mëtutjeshme.
-
[EBEM-503] Komunikimi afarist
Qëllimi i kësaj lënde është që t’i njoftojë studentët me konceptet e komunikimit të biznesit. Përmbajtja e programit është si në vijim: në vitet e fundit gjithnjë e më shumë kompani i përdorin teknikat e komunikimit të biznesit si një mjet kyç për t'iu përgjigjur konkurrencës gjithnjë e më të ashpër në tregun global. Kjo lëndë është një përpjekje për t’i përmirësuar aftësitë e komunikimit të studentëve me tregues teorikë dhe para së gjithash me demonstrime praktike të mënyrës së drejtë të komunikimit në një mjedis organizativ me të punësuarit dhe menaxherët, si dhe mbajtjes së takimeve, intervistimin, se si të përgjigjen gjatë intervistës, negocimi dhe motivimi i të gjithëve në rrethin tyre.
-
[EBE-408] Menaxhimi i Projekteve
Qëllimi lëndës është që të inkuadrohen studentët në botën e projekteve moderne dhe t’i ballafaqojë ata me mundësitë dhe me sfidat e jetës reale ekonomike në krijimin e projekteve të përshtatshme për nevojat reale. Qëllimet specifike të lëndës janë: si të përcaktohet një projekt i caktuar (duke përdorur disa faza) dhe të theksohet roli i rëndësishëm i menaxherit të projektit (të kuptohen nevoja, fusha e veprimit, aktivitetet për implementim, kompleksiteti i dizajnit modern, etj.). Studentët duhet të trajnohen se si të aplikojnë mjete dhe teknika moderne të menaxhmentit modern të projektimit me rastin e transformimit të nevojës, ose të idesë krijuese në një projekt real e të dokumentuar, i cili do të bëjë të jenë më inventivë për vete dhe më kompetitivë në tregun më konkurrues të punës.
-
[EBE-403] Plani i Biznesit
Qëllimi i lëndës është që t’u ndihmojë studentëve për të kuptuar sjelljen e vetëdijshme të ndërmarrjes në kushtet bashkëkohore të afarizmit.
-
[EBE-409] Etika dhe përgjegjësia shoqërore e korporatave
Qëllimi i lëndës është që të zhvillojë njohuri të përgjithshme teorike të përgjegjësisë korporative sociale në ekonomitë moderne dhe të analizojë reflektimin e përgjegjësisë korporative sociale në funksionimin e përgjithshëm të ndërmarrjes.
-
[EF999] Gjuhë frënge 1-2-3
Qëllimi i kësaj lënde është që studentët t’i forcojnë bazat dhe aftësitë gjuhësore, si dhe t’i zhvillojnë katër kompetencat e komunikimit, veçanërisht në fushat e mëposhtme:të jenë në gjendje të shprehin një mendim,
• të jenë në gjendje t’i shprehin ndjenjat,
• ta kuptojnë thelbin e një shprehje, mendimi apo ideje,
• të jenë të aftë të argumentojnë dhe mbrojnë mendimin e tyre.
• të gjinden në situata të ndryshme,
• të mbajë një fjalim të thjeshtë dhe koherent,
• të rrëfejnë një ngjarje,
• të rrëfejnë një ëndërr ose përvojë,
• të paraqesin arsyet për një projekt ose ide,
• të komunikojnë në mënyrë spontane.
-
[BSIL3010] Gjuhë italiane 1-2-3
Qëllimi i mësimdhënies është që studentët të njihen me kulturën italiane, civilizimin Italian dhe gjuhën italiane. Ideja është që studentët të njohin një realitet tjetër, i cili do t’u ndihmojë në formimin e një ego të vetes, po ashtu edhe në krijimin e një fotografie për veten dhe të ardhmen e tyre. Në përputhje me nivelin (nga A1 deri B2), të cilën studentët do ta zgjedhin, ose nivelet, që do t’i ndjekin në semestrat që i kanë në dispozicion si një lëndë zgjedhore, materia thellohet në mënyre progresive. Në nivelin e parë fillohet me të dhënat bazike, si p.sh: drejtshkrimi, shqiptimi, terminologjia për menaxhimin me situatat e ndryshme gjuhësore të përditshmërisë (prezantimi i vetes, prezantimi i të tjerëve, orientim në hapësirë dhe kohë, shprehje komunikuese në ndonjë lokal, në restorant, supermarket, në treg), ndërsa arrihet deri në konstruksione më të ndërlikuara në nivelet në vazhdim, që kanë të bëjnë me dhënien e një qëndrimi, dëshire, nevoje, sqarimi të ndodhive të shkuara, të folur të ndodhive të ardhshme, etj. Gramatika prezantohet në mënyrë induktive (nëpërmjet vetëdijesimit nga situatat (audio incizime, video filma, tekste) dhe sjellje të konkluzioneve), në të cilën rolin kryesor e kanë vetë studentët, me pjesëmarrjen e tyre aktive në ligjërata.
-
[EFE-102] Të Shkruarit Akademik në Gjuhën Angleze
Në këtë lëndë do të zhvillohen shkathtësitë akademike të të shkruarit të studentëve në mënyra të ndryshme. Studentët, do të aftësohen t’i komunikojnë idetë e tyre në mënyrë të qartë, të rrjedhshme dhe efektive që të prodhojnë një pjesë të shkruar. Gjithashtu, studentët do të njoftohen me rregullat e citimit dhe parafrazimit dhe do të vetëdijësohen se çka është plagjiatura. Informata kthyese e një pjese të shkruar, do të përfshijë vetëkorrigjimin, korrigjimin e njëri-tjetrit dhe korrigjimin nga ana e mësimdhënësit të përmbajtjes, organizimit dhe gabimeve gjuhësore gjatë procesit të të shkruarit.
-
[EDOL-03] Arsimim Online dhe Digjital
Lënda Arsimimi Online dhe Digjital, është lëndë një-semestrale me 3 orë në javë, e cila ofrohet në studimet deridiplomike. Lënda është e përpiluar në bazë të nevojave të studentëve dhe në vete ngërthen shkathtësi të ndryshme të shekullit 21, të cilat janë të lidhura me përdorimin efektiv të teknologjisë. Lënda përmban tri kategori të shkathtësive të shek 21. Pas mbarimit të lëndës, studentët do të jenë në gjendje të kërkojnë dhe të kenë qasje në informatat online, duke përdorur vegla të ndryshme digjitale, të vlerësojnë në mënyrë kritike vërtetësinë e materialeve online dhe të bëjnë dallim mes burimeve të vërteta dhe të rrejshme, të tregojnë mirëkuptim për problemet etike në kontekstin akademik, të kuptojnë si përdoren citatet në mënyrë të drejtë, të mësojnë si kryhet komunikimi profesional në mënyrë efikase, t`i kuptojnë gjërat bazike të sigurisë në internet, si dhe aspektet pozitive dhe negative të krijimit të identitetit online, ta hetojnë shqetësimin-sajber dhe t`i identifikojnë zgjedhjet e mundëshme për zvogëlimin e online shqetësimeve.
-
[ECE-02] Gjuhë angleze për bashkëbisedim
Gjuhë Angleze për Bashkëbisedim është lëndë një-semestrale e hartuar për folësit e gjuhës angleze të nivelit të mesëm dhe më lartë. Lënda, do të jetë në dispozicion për studentët në të gjitha semestrat. Anglishtja është një gjuhë ndërkombëtare, që e lehtëson komunikimin në kontekste të ndryshme në mbarë botën, duke filluar nga takimet e biznesit dhe transaksionet në bisedat e rastësishme midis miqve dhe ndërveprimeve gjatë udhëtimit. Anglishtja, në bisedë, do të ndërtojë aftësitë e të dëgjuarit dhe të folurit e studenteve, duke ofruar gramatikë, fjalorin, shqiptimin dhe praktikën e rrjedhshmërisë së nevojshme për llojet e zakonshme të ndërveprimeve të folura angleze. Lënda do të mbulojë tema që lidhen me bisedën profesionale, bisedat e rastësishme dhe ndërveprimet e përditshme, duke u siguruar studentëve besimin e bisedave në një kontekst të ndryshëm. Biseda profesionale, do të përfshijë lloje formale dhe të sjellshme të fjalimit të përdorura në kontekste të tilla, si takime pune, ose diskutime me kolegët. Biseda e rastësishme, do të përfshijë praktikën me gjuhën e përdorur gjatë shoqërimit me miqtë, ose familjen dhe situata të tjera joformale dhe do të përfshijë zhargon dhe fjalim joformal. Ndërveprimet e përditshme, do të përfshijnë biseda në dyqane, gjatë udhëtimit dhe duke kërkuar ndihmë. Metodat e të mësuarit, do të fokusohen në praktikë dhe do të përfshijnë aktivitete dëgjimi, dialogë, role , simulime, debate dhe diskutime.
-
[E2529] Shkathtësi komunikuese në kontekst profesional në anglisht
Qëllimi i lëndës është të zhvillojë aftësitë e komunikimit që janë thelbësore për funksionimin efektiv në botën profesionale në anglisht. Objektivat e lëndës përqendrohen në një gamë të gjerë mjedisesh dhe çështjesh profesionale. Studentët, do të hulumtojnë procesin e analizës së situatave të ndryshme të komunikimit dhe në përputhje me rrethanat do t'i kuptojnë ato.
-
[E2530] Beletristike dhe Argëtim
Lënda synon të eksplorojë një sërë tekstesh tërheqëse dhe të njohura letrare (romane, fragmente, lektyra dhe tregime të shkurtra), në mënyrë që të kuptohen dhe shijohen karakteristikat e zhanreve të ndryshme të njohura, duke përfshirë trillimet shkencore, letërsinë për të rinj dhe fantastikën. Ndër objektivat e lëndës, mund të përfshihen me sa vijon: të zhvilluarit e vetëbesimit të studentëve, rrjedhshmërisë dhe interesit për të lexuar në anglisht, të lexuarit e llojeve të ndryshme të romaneve dhe dhënies së përgjigjeve të logjikshme dhe të mprehta, me gojë dhe me shkrim, duke krijuar një lidhje midis përvojës personale, njohurive globale dhe/ose burimeve të tjera (leksioneve, teksteve të leximit, filmave) dhe tekstit të caktuar. Për më tepër, qëllimet janë transferimi i aftësive të përparuara të leximit në klasën e gjuhës së dytë dhe zhvillimi i këtyre aftësive, duke i bërë studentët lexues më të mirë në të dy gjuhët. Shkathtësitë e të lexuarit përfshijnë: përshkimin, skanimin, parashikimin, të qëlluarit e fjalëve nga konteksti dhe leximin për një kuptim më të hollësishëm.
-
[E2531] Letërsi Angleze dhe Filmi
Qëllimet e lëndës janë, si vijon:
- të ndihmuarit e studentëve të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik përmes analizës së filmit;
- diskutimi, vlerësimi dhe përpilimi i komenteve kritike;
- analiza kritike e teksteve letrare dhe informuese;
- diskutimi dhe analiza e punës së studentëve dhe vlerësimi nga kolegët/shokët;
- paraqitja e perspektivave të ndryshme, mbështetja e pretendimeve, përdorimi i gjuhës shqisore.
-
[E2540] Gjuha Maqedonase për Terminologji Juridike dhe të BE
Qëllimi i lëndës është t’i aftësojë studentët për kompetencë dhe performancë gjuhësore në fushën profesionale (d.m.th. në fushën e të drejtës dhe BE-së).
Bëhet fjalë për një koncept të përqendruar te studenti (learner-centered approach), e që thekson zhvillimin e aftësive të komunikimit në fusha specifike, d.m.th. thellimin dhe përforcimin e aftësive për shprehje të përparuar me shkrim dhe me gojë në gjuhën standarde maqedonase. Materiali i synuar përfshin përmbajtje në lidhje me disiplinat profesionale, si dhe dokumente dhe materiale autentike. Vëmendje e veçantë i kushtohet zotërimit të terminologjisë profesionale dhe zbatimit të saj në kontekst të përshtatshëm gjuhësor dhe zhvillimit të aftësive digjitale. Studentët pritet të bëhen më autonomë në mësimin e gjuhës dhe të jenë në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike për një larmi temash, si dhe të fitojnë aftësinë për të komunikuar në gjuhën maqedonase në një mjedis shumëgjuhësh dhe multikulturor.
-
[E2739] Etika në institucionet publike
Qëllimet e planprogramit të lëndës :
- Të ketë njohuri dhe ta kuptojë semantikën dhe konceptet e moralit e të etikës, standardet e sjelljes, arsyetimin moral dhe filozofinë morale.
- Të zhvillojë qëndrim për pozitën e moralit në jetën profesionale.
- Të formojë qëndrime të qarta për të drejtat dhe detyrimet e të punësuarve në administratën publike dhe atë shtetërore.
- Të ketë aftësi për t’u ballafaquar me situata problematike etike.
- Ta ketë ndjenjën e karakterit të nevojshëm në profesionin e administratorit.
- Të njihet me literaturë për etikën në sferën a e institucioneve publike.
- Të ketë gatishmëri për të përdorur mjete të komunikimit dhe të respektojë standardet etike në punën në institucionet shtetërore dhe aktorëve publikë.