Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!
Export

Programi:

Studime albanologjike (2012/2013)

Cikli i studimeve: Cikli i dytë (Pasdiplomike)
Fakulteti: Gjuhët, Kulturat dhe Komunikimi
Viti akademik: 2024 / 2025
Titulli: Magjistër i studimeve albanologjike / Drejtimi: Gjuhë ose Letërsi
SETK: 120 (2 vite) Akreditimi
Vendimi:

Programi pasdiplomik për studime albanologjike është dizajnuar me qëllim që studentët të cilët do të përfshihen në këtë program të fitojnë njohuri që i afrojnë kah profesionet të cilat janë të lidhura ngushtë me sferën e gjuhës, kulturës, letërsisë dhe arsimit. Njëherësh studentët fitojnë shkathtësi dhe kompetenca për punësim në nivele më të larta të sektorit publik dhe privat.

Studentët e diplomuar do të mund të punësohen në fusha të shumta të jetës shoqërore dhe profesionale:                                                                                                                                                            

-Mësimdhënie: në shkolla të gjuhës, në gjimnaze, në shkolla fillore dhe të mesme, profesorë universitarë.                            
- Punësim: gjuhëtarë, gazetarë, në ndërmarrje të ndryshme si lektorë, përkthyes dhe interpretues të gjuhës shqipe në ministri dhe institucione të tjera qeveritare, përkthyes/interpretues në gjyqe dhe institucione të tjera të ngjashme,  përkthyes/interpretues në organizatat profesionale,  përkthyes/interpretues në sektorin shoqëror dhe atë privat, përkthyes/interpretues në organizata ndërkombëtare.

Njohuritë dhe të kuptuarit

Me këtë program kandidati fiton njohuri të përgjithshme për shumë fusha gjuhësore dhe letrare, si ato njëdisiplinare ashtu edhe në ato interdisiplinare. Me këto ai fiton njohuri më të reja dhe të rëndësishme bashkëkohore, që do t’i mundësojë të jetë më kreativ dhe më profesional në zgjidhjen e problemeve gjuhësore dhe letrare. 

Aplikimi i njohurive dhe të kuptuarit

Korpusi i njohurive i mundëson studentit punësime të ndryshme që përfshijnë sektorë të shumtë dhe të llojllojshëm të jetës shoqërore dhe profesionale. Njohuritë mund të zbatohen në mësimdhënie duke punuar si profesor në shkollat e mesme dhe si asistent në fakultetet dhe institutet përkatëse; studenti mund të punojë si studiues dhe hulumtues nga fusha e gjuhësisë dhe e folklorit  në institutet e ndryshme albanologjike; mund të punojë si gazetar, redaktor dhe lektor, por edhe  si kritik gjuhësor në media të ndryshme elektronike dhe të shkruara, ku mund të japë kontribut për çështjen e zbatimit të normës letrare; mund të punojë si përkthyes dhe interpretues i gjuhës shqipe në komunat dygjuhësore, nëpër ministri dhe në institucionet tjera qeveritare, në gjyqe dhe institucione tjera të ngjashme, në organizatat profesionale, në sektorin shoqëror dhe atë privat, në organizata ndërkombëtare etj.

Aftësitë për të vlerësuar

Është i  aftë të hartojë dhe të vlerësojë plan-programe mësimore nga fusha e gjuhësisë për shkollat fillore, të mesme dhe universitare; mund të vlerësojë mbajtjen e orëve mësimore nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Ka aftësi të vlerësojë dhe krahasojë përkthimet nga një gjuhë në gjuhë tjetër; mund ta vlerësojë redaktimin dhe lektorimin e teksteve të ndryshme gjuhësore, letrare dhe publicistike, duke vlerësuar shkallën e lartë të lektorimit dhe duke i gjetur gabimet eventuale gjuhësore; mund ta vlerësojë një vepër edhe nga aspekti kompozicional dhe përmbajtjesor, duke veçuar vlerat gjuhësore dhe letrare.  Mund të bëhet anëtar në ndonjë juri profesionale nga fusha e gjuhës dhe letërsisë për të vlerësuar studimet më të mira gjuhësore dhe letrare. Ka aftësi të kyçet në ekipe hulumtuese, të hartojë tekste letrare, publicistike fjalorë leksikorë dhe fjalorë tjerë  të ndryshëm.

Aftësitë e komunikimit

Ka shkathtësi  profesionale për të mbajtur orë mësimore nga letërsia dhe gramatika e gjuhës amtare në përputhshmëri me plan-programet për shkollat fillore, të mesme dhe universitare. Mund të mbajë kurse për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe për të huajt. Mund të përkthejë vepra shkencore, letrare dhe gjuhësore nga gjuhët në kontakt në gjuhën amtare dhe anasjelltas. Mund të marrë pjesë në simpoziume dhe seminare vendore dhe ndërkombëtare dhe me anë të kumtesave mund  të paraqesë rezultate origjinale nga hulumtimet që ka bërë për disiplina të ndryshme letrare dhe  gjuhësore. Mund të shkruajë recensione për vepra të botuara nga fusha e letërsisë dhe e gjuhësisë, pastaj edhe recensione për botimin e studimeve letrare dhe gramatikave siç janë tekstet mësimore. Mund të bëjë hulumtime të pavarura dhe të marrë përgjegjësi për rezultatet e kumtuara. Mund të botojë artikuj shkencorë dhe vepra nga fusha e letërsisë dhe gjuhësisë.

Aftësitë e të mësuarit

Ka aftësi të zgjidhet asistent në institutet albanologjike dhe të ndihmojë në ekspeditat shkencore; mund të paraqitet si udhëheqës në projekte të caktuara nga fusha e letërsisë dhe gjuhësisë dhe të iniciojë ndryshime në institucione të ndryshme. Për të arritur rezultate më të mira mund  të prezantojë njohuri të reja, mund t’i trajnojë të tjerët, duke mbajtur kurse në lëmenj të caktuar, si në: drejtshkrim, lektorim të tekstit letrar, përdorim të metodave dhe teknologjive të reja për mësimdhënie etj.; mund të mbajë trajnime lidhur me përgatitjen e një projekti, shkrimin e  një punimi shkencor etj.;  mund të propozojë risi për t’i plotësuar mangësitë e institucionit përkatës, siç janë: hapja e seksioneve të ndryshme nga letërsia dhe gjuha, hapja e bibliotekës, promovimi i ndonjë vepre letrare dhe gjuhësore etj.; mund të propozojë metoda të reja për mësimin e shqipes sipas niveleve, për të huajt. Gjithsesi, duhet ta vazhdojë arsimimin e mëtejshëm dhe të pajiset me  njohuri të reja, të cilat t’i prezantojë përsëri në institucionin ku punon, por edhe jashtë tij.

Semestri 1

  • [6 SETK] Metodologjia e hulumtimit
    Materiali i këtij programi ka të bëjë me format dhe metodat më të reja të metodologjisë bashkëkohore për studimin e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në fakt këtu përfshihen metodat, format, teknikat, organizimi i punës individuale hulumtuese shkencore me karakteristikat specifike të saj.
  • [6 SETK] Dimensioni ballkanik i folklorit shqiptar
    Është një materie mjaft e pasur dhe e thuktë nga folklori shqiptar dhe ai ballkanik, përmes së cilës veçohet me vlerat e mëdha të kulturës shpirtërore, të trashëguara nga gjeniu popullor, vlera këto që dëshmojnë për bukurinë e krijimtarisë popullore dhe me fuqinë krijuese poetike të krijuesve anonimë, për aftësitë krijuese të tyre në sferat e artit, i cili pasqyron qartë e bukur të kaluarën historike të popullit shqiptar dhe popujve të Ballkanit
  • [6 SETK] Civilizimi shqiptar
    Përmes kësaj lënde zbulohen aspektet më relevante të kulturës, civilizimit kombëtar dhe shoqërisë bashkëkohore shqiptare. Lënda ofron dije themelore përmes disa sferave kyçe, duke e analizuar në mënyrë të gjithanshme letërsinë dhe kulturën në një perspektivë evropiane
  • [6 SETK] Dialektologji-Mikrosistemi në kontakt
    Temat kryesore të kësaj lënde janë: zhvillimi historik i dialekteve, klasifikimi i dialekteve dhe nëndialekteve në të gjitha trojet shqiptare, ndërrimet dialektore nga aspekti fonetik, morfologjik, sintaksor leksikor dhe frazeologjik; transkriptimi dialektologjik.
  • [6 SETK] Lëndë zgjedhore e lirë 1
    • Retorika
    • Multilingualizmi dhe multikulturalizmi
    • Kapituj të zgjedhur të avancuar nga aplikacionet e TI për përpilimin e një punimi shkencor
    • Kapituj të zgjedhur të avancuar nga aplikacionet për përpunimin statistikor të të dhënave
    • Komunikimi profesional
    • Metodologjia e mësimdhënies

Semestri 2

  • [6 SETK] Letërsia moderne shqipe
    Karakteristikat kryesore të modernizmit shqiptar janë tendencat pozitive të modernistëve, kërkesat e tyre në letërsi, gjendja sociale-politike dhe letërsia, motivet dhe subjektet mbisunduese në veprat e tyre, ideja universale, filozofia jetësore, parashikimi i vështirësive, optimizmi i madh jetësor, temat e ngjarjeve historike.
  • [6 SETK] Analiza e tekstit letrar
    Тekstet letrare dhe përfaqësuesit e tyre prezantohеn gjithanshëm, duke u nisur nga analizat e temave dhe motiveve të ndryshme, çështjeve të stilistikës dhe mënyrës së interpretimit të tekstit letrar.
  • [6 SETK] Etnolinguistika
    Kjo lëndë përfshin marrëdhëniet në mes të gjuhëve të popujve, ndikimet e ndërsjella të faktorëve gjuhësorë dhe etnikë në zhvillimin e gjuhës dhe të veçorive të ndryshme të stereotipave. Etnolinguistika ka ndikim në gjuhë, kulturë, onomastikë, letërsi etj.
  • [6 SETK] Fonetika eksperimentale
    Lënda përfshin historinë e fonetikës, të fonetikës eksperimentale, komponentët fonologjikë, fonemat, formimin e tyre dhe mënyrën e ndarjes në grupe e nëngrupe, rolin e elementeve fonologjike, dallimin midis gjuhës së vjetër shqipe dhe gjuhës së sotme standarde.
  • [6 SETK] Lëndë zgjedhore e lirë 2
    • Retorika
    • Multilingualizmi dhe multikulturalizmi
    • Kapituj të zgjedhur të avancuar nga aplikacionet për përpunimin statistikor të të dhënave
    • Komunikimi profesional
    • Metodologjia e mësimdhënies

Semestri 3

  • [6 SETK] Sociolinguistika shqipe
    Lënda përfshin pjesën praktike dhe teorike e cila ka për qëllim konceptet themelore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet gjuhësore dhe me shoqërinë, përkatësisht me mënyrën në të cilën e shfrytëzojmë gjuhën në kontekste të ndryshme shoqërore dhe me shkaqet themelore të varianteve gjuhësore; funksionin e gjuhës në shoqëri, marrëdhëniet midis gjuhës dhe kulturës, shtresëzimin horizontal dhe vertikal të gjuhës, diferencimin, politikën gjuhësore, normimin i gjuhës standarde.
  • [6 SETK] Studime nga proza bashkëkohore shqipe
    Lënda trajton karakterizimin e prozës bashkëkohore shqipe, kthesat e saj dhe prodhimin cilësor në kohën e tashme, kultin e të bukurës në art, fillimin e një epoke të re dhe kulmimin e vlerave artistike dhe letrare, përcaktimin dhe nominimin e koncepteve stilistike.
  • [6 SETK] Studime nga poezia bashkëkohore shqipe
    Zgjedhje poezish nga poetët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë me qasje kritike të krijimtarisë së tyre. Kjo lëndë trajton edhe dukuritë e fenomenit të lirikës intime në krijimtarinë poetike, kuptimin dhe rëndësinë që ka zëri i ri poetik në poezinë bashkëkohore shqipe, rolin e poezisë si zë i ngjarjeve relevante shoqërore dhe problemin e krijimtarisë në tërësi. Përmes literaturës ndihmëse dhe komenteve kritike, studentët i zgjerojnë njohuritë e tyre në lidhje në fushën e poezisë bashkëkohore shqipe.
  • [6 SETK] Stilistika dhe pragmatika
    Përmbajtja: rëndësia pragmatike, kuptimi i porosive të fshehura, mënyra e arritjes së qëllimeve në procesin e komunikimit, përdorimi i elementeve siç janë: porositë kuptimore, porositë dhe paragjykimet që vetëkuptohen.
  • [6 SETK] Lëndë zgjedhore 1
    • Kritika bashkëkohore shqipe
    • Teoritë dhe metodat letrare
    • Gjuhët në kontakt

Semestri 4

  • [30 SETK] Punimi i magjistraturës
    Studentët futen në lëndën e studimit dhe përqendrohen në zgjidhjen e problemit hulumtues për tezën; mbledhin materialin për tezën, bëjnë përzgjedhjen, interpretimin e materialeve teorike dhe empirike nëpërmjet metodave të përparuara cilësore dhe sasiore.
Google+