Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!
Export

Programi:

E drejta penale (2026/2027)

Cikli i studimeve: Cikli i tretë (doktoratë)
Fakulteti: Drejtësia
Kodi i programit: N-PhDLAWCR180C
Viti akademik: 2023 / 2024
Titulli: Doktor i shkencave juridike - Drejtimi: E drejta penale
SETK: 180 (3 vite)
Vendimi:

Qëllimi i programit studimor është të ofrojë module të avancuara dhe të specializuara që do të sigurojnë njohuri të thelluara teorike dhe praktike nga fusha e së drejtës penale, me qëllim përgatitjen e studentëve për punë të lartë profesionale dhe akademike në profesionet juridike që lidhen me këtë fushë. Programi synon të formojë kuadro me kualifikim të lartë, të cilët do të zotërojnë njohuri të qëndrueshme, kritike dhe të sistematizuara për institucionet, teorinë dhe bazat e së drejtës penale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe njohuri krahasuese nga sistemet juridike në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

Si program doktorature, ai u dedikohet kandidatëve që tashmë kanë një bazë solide në fushën e së drejtës dhe që janë të gatshëm të zhvillojnë aftësi të avancuara kërkimore dhe analitike. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore dhe zbatimit të metodologjive bashkëkohore shkencore-kërkimore, programi i mbështet studentët në ndërtimin e qëndrimeve të tyre akademike, në rishqyrtimin kritik të teorive dhe praktikave ekzistuese juridike, si dhe në krijimin e kontributeve origjinale shkencore në fushën e së drejtës penale.

Për më tepër, programi synon t’u përgjigjet sfidave aktuale shoqërore, përfshirë dukuritë e krimit të organizuar dhe atij transnacional, çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në procedurën penale. Në këtë mënyrë, programi i doktoraturës jo vetëm që do të forcojë kapacitetin kërkimor-shkencor të komunitetit akademik, por gjithashtu do të kontribuojë në krijimin e një mase kritike ekspertësh të aftë për veprim shkencor, institucional dhe shoqëror në drejtim të përmirësimit të sistemit juridik në vend dhe më gjerë.

Diploma e programit studimor do t’u mundësojë studentëve të studimeve të doktoratës të aftësohen për punë kërkimore-shkencore në fushën e shkencave juridike penale, si dhe për mësimdhënie në universitete brenda dhe jashtë vendit. Përmes kësaj, ata do të jenë aktivisht të përfshirë edhe në procesin e fuqizimit të kapaciteteve institucionale të pushtetit shtetëror, në funksion të avancimit të procesit të integrimeve euroatlantike të vendit.

Njohuritë dhe të kuptuarit

Ka njohuri të avancuara teorike, empirike dhe krahasimtare për shkencat penale juridike, si dhe njohuri të avancuara për legjislacionin dhe praktikën gjyqësore në sferën e parandalimit të kriminalitetit.

Ka kuptim të jashtëzakonshëm për problemet që lidhen me krimin dhe sanksionet penale, veçanërisht në fushat e të drejtës krahasimtare penale dhe të së drejtës procedurale penale, kriminologjisë dhe penologjisë teorike dhe të zbatuar, krimit të organizuar dhe shkencave forenzike (mjekësia, psikiatria dhe psikologjia gjyqësore).

Ka njohuri specifike për teknikat dhe metodat e avancuara të hulumtimit në sferën e të drejtës penale dhe të procedurës penale.

Aplikimi i njohurive dhe të kuptuarit

Identifikon dhe analizon problemet komplekse në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, kështu që mund të marrë pjesë aktive në të gjitha shkallët e procedurës penale si dhe interpreton çështje të avancuara të ligjdhënies penale (duke përfshirë këtu edhe punën si gjyqtar, prokuror ose avokat, pas fitimit të kualifikimeve të nevojshme sipas legjislacionit të RMV-së).

Përdor njohuritë e fituara përmes punës kërkimore në procesin e zgjidhjes së problemeve me anë të krahasimit të praktikave dhe zgjidhjeve në sferën e parandalimit të kriminalitetit.

Aftësitë për të vlerësuar

Ka mendim më të zhvilluar kritik përmes metodës së analizës dhe të krahasimit.

Zhvillon shkathtësi për zgjidhjen e problemeve përmes praktikës së zgjidhjes së rasteve më komplekse nga juridiksioni dhe praktika gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare.

Aftësitë e komunikimit

Përdor terminologji adekuate për çështje komplekse dhe specifike në sferën e shkencave juridike-penale.

Sjell vendime të avancuara dhe punon në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efektivisht si në fazën parapenale dhe në procedurën gjyqësore.

Angazhohet aktivisht në argumentimin dhe debatin shkencor.

I përdor gjuhët zyrtare të universitetit si dhe ka shkathtësi të avancuara të teknologjive të informimit në punën shkencore.

Aftësitë e të mësuarit

Zhvillon rregullore për punë kërkimore që përdoret në profesionin e tij.

Zhvillon një praktikë të mësimit të vazhdueshëm duke u angazhuar në trajnimin e personave që punojnë në institucionet shtetërore për parandalimin e kriminalitetit.

Semestri 1

  • [DLAW0101] [10 SETK] Metodologjia e Hulumtimit
    Lënda synon që studentët: • Të kuptojnë në mënyrë të thelluar natyrën dhe funksionin e kërkimit shkencor në fushën e së drejtës penale; • Të aftësohen për të formuluar dhe strukturuar një projekt kërkimor shkencor në përputhje me standardet metodologjike dhe akademike; • Të analizojnë, krahasojnë dhe kritikojnë burime primare dhe sekondare juridike; • Të aplikojnë teknika të avancuara për mbledhjen, përpunimin dhe citimin e të dhënave juridike dhe shkencore; • Të demonstrojnë integritet akademik dhe vetëdije për normat etike në kërkimin shkencor.
  • [DCR0102] [10 SETK] E Drejta Penale - Programi i Zbatuar
    Qëllimet e Lëndës 1. Të thellojë kuptimin e studentëve për konceptet dhe doktrinat kyçe ligjore në pjesën e përgjithshme dhe atë të veçantë të së drejtës penale përmes studimit kritik të vendimeve të rëndësishme gjyqësore. 2. Të zhvillojë aftësi analitike të avancuara që mundësojnë klasifikimin e saktë dhe zbatimin e normave të së drejtës penale në skenarë faktikë kompleksë. 3. Të kultivojë kompetenca praktike në analizën dhe zgjidhjen e rasteve penale duke përdorur metodën klinike që lidh teorinë me aplikimin praktik. 4. Të përmirësojë aftësitë e studentëve në arsyetimin ligjor, argumentimin dhe avokatinë duke u angazhuar me materiale autentike rastesh dhe procese të simuluara gjyqësore. 5. Të sigurojë mundësi të mësimit përvojës përmes klinikave të ndihmës ligjore të mbikëqyrura, duke forcuar përgjegjësitë etike dhe aftësitë profesionale në praktikën e drejtësisë penale.
  • [10 SETK] Lëndë zgjedhore
    • [E3093] Kriminologjia
    • [EDCR0102] Viktimologjia
    • [EDCR0103] Kriminalistika
    • [EDCR0104] Delikuenca e të Miturve
    • [EDCR0105] E Drejta Penale Ndërkombëtare
    • [E2986] E Drejta Penale e Krahasuar

Semestri 2

  • [C2879] [10 SETK] E Drejta e Procedures Penale - programi i zbatuar
    E drejta e procedurës penale është disiplinë shkencore që studion normat juridike që rregullojnë pozitën e palëve si dhe kompetencat e palëve dhe subjekteve të tjera pjesëmarrës në procesin penal, si dhe llojin, formën dhe kushtet për ndërmarrjen e veprimeve procedurale. Lëndë studimi është sistemi i mjeteve juridike - të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe procedurat e veçanta. Studentët do të jenë në gjendje që të zotërojnë kuptimin e thellë të parimeve të procedurës penale, të dallojnë përparësitë e zgjidhjeve ligjore procedurale penale, do të zgjidhin shembuj të shumtë, detyra, ushtrime, të përgatisin akte konkrete, raste të simuluara, etj.
  • [C2609] [10 SETK] Penologjia
    Objektivat e lëndës: Lënda “Penologjia” në nivel doktorate synon t’u ofrojë studentëve një kuadër teorik dhe metodologjik të avancuar për analizimin shkencor të dënimeve penale, institucioneve të ekzekutimit të dënimeve dhe efekteve të politikave ndëshkuese në shoqëri. Lënda synon të zhvillojë kompetenca për hulumtim të pavarur dhe kritik në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale, reformës penale, të drejtave të të dënuarve dhe funksionit të sistemit penal në një shtet demokratik të së drejtës.
  • [10 SETK] Lëndë zgjedhore
    • [E3093] Kriminologjia
    • [EDCR0102] Viktimologjia
    • [EDCR0103] Kriminalistika
    • [EDCR0104] Delikuenca e të Miturve
    • [EDCR0105] E Drejta Penale Ndërkombëtare
    • [E2986] E Drejta Penale e Krahasuar

Semestri 3

  • [C2610] [10 SETK] Propozim-Projekt Doktorate
    Ky aktivitet nënkupton përgatitjen e një projekti të pavarur kërkimor nën mentorim, i cili përbën bazën e disertacionit të doktoratës. Studenti fillon procesin e hartimit të planit kërkimor për disertacionin, duke zhvilluar në mënyrë sistematike komponentët kryesorë të tij. Aktivitetet përfshijnë identifikimin dhe shqyrtimin e literaturës relevante, përcaktimin e kornizës teorike dhe hipotezave kërkimore, përzgjedhjen dhe definimin e metodologjisë së punës, si dhe hartimin e planit individual të kërkimit. Procesi përmbyllet me një prezantim të parë publik të projektit kërkimor.
  • [C2611] [20 SETK] Punë Kërkimore-Shkencore
    Në vitin e dytë kandidati vazhdon me veprimtarinë kërkimore-shkencore sipas planit individual të miratuar. Mentori siguron vlerësimin lidhur me këto aktivitete në formën e një raporti drejtuar këshillit mësimor-shkencor të fakultetit.

Semestri 4

  • [C2612] [25 SETK] Publikime I
    Publikimi i aktiviteteve kërkimore-hulumtuese sipas tabelës me rëndësi për mediat për publikim. Aktivitetet dhe sukseset publicistike të kandidatit kontrollohen para audiencës shkencore sipas lëmit dhe rëndësisë së hulumtimit.
  • [C2020] [5 SETK] Mobiliteti i Studentëve
    Gjatë semestrit të katërt studenti është i detyruar të realizojë mobilitet në një institucion shkencor, ose institucion tjetër relevant për fushën e kërkimit jashtë vendit në një kohëzgjatje prej të paktën një javë. Qëllimi i mobilitetit të doktorantëve është të prezantojnë, shkëmbejnë dhe diskutojnë punën e tyre kërkimore me kolegë nga vende të tjera për të përmirësuar cilësinë e disertacionit të tyre. Për realizimin e mobilitetit studenti sjell dëshmi nga institucioni, të cilën ia dorëzon mentorit.

Semestri 5

  • [C2613] [10 SETK] Prezantimi i Rezultateve të Hulumtimit
    Në fund të semestrit të 5-të, pas aktiviteteve kërkimore-hulumtuese sipas planit individual, kandidati do t'i prezantojë publikisht rezultatet e përgjithshme të kësaj faze të punimit dhe të hulumtimit.
  • [C2614] [20 SETK] Publikime II
    Publikimi i aktiviteteve kërkimore-hulumtuese sipas tabelës me rëndësi për mediat për publikim. Aktivitetet dhe sukseset publicistike të kandidatit kontrollohen para audiencës shkencore sipas lëmit dhe relevancës së hulumtimit.

Semestri 6

  • [CR-PhD-THESIS ] [30 SETK] Disertacioni i Doktoratës
    Disertacioni i Doktoratës” është aktivitet akademik i cili përfshin realizimin e një hulumtimi origjinal shkencor në një fushë specifike të studimit. Aktiviteti përfshin identifikimin e një problemi kërkimor të rëndësishëm, zhvillimin e metodologjisë së kërkimit, mbledhjen dhe analizën e të dhënave, si dhe interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në mënyrë sistematike dhe shkencore. Qëllimi është që studenti të demonstrojë aftësi për kërkim të pavarur dhe krijimin e njohurive të reja ose qasjeve të reja në fushën përkatëse. Aktiviteti synon zhvillimin e aftësive për analizë kritike dhe sintetike, për përdorim të metodologjive kërkimore të avancuara, për prezantim shkencor të rezultateve dhe për respektimin e parimeve të integritetit akademik. Gjithashtu, disertacioni përgatit studentin për kontribut profesional dhe akademik në fushën e tij/saj dhe për pjesëmarrje aktive në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Pas përfundimit të disertacionit të doktoratës, nën mentorim, i njejti dorëzohet në Këshillin mësimor-shkencor të fakultetit përkatës, shqyrtohet/pranohet nga Këshilli mësimor-shkencor i fakultetit, u dorëzohet anëtarëve të komisionit dhe fillon procedura e mbrojtjes publike. ]
Google+