Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Gjenerata e 22-të e UEJL-së festoi suksesin në Ceremoninë e Absolventëve

Universiteti i Evropës Juglindore organizoi të shtunën (6 qershor 2026) Ceremoninë solemne të Absolventëve të Gjeneratës së 22-të, një ngjarje tradicionale që mblodhi studentë, familjarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, partnerë, ish-rektorë dhe mysafirë të shumtë.

Në atmosferë festive, para të pranishmëve parakaluan studentët e shtatë fakulteteve të Universitetit, ndërsa për herë të parë pjesë e procesionit akademik ishin edhe studentët e Fakultetit të Shkencave Teknike, duke shënuar një moment të veçantë në historinë e Universitetit.

Ceremoninë e hapi Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, i cili ndërlidhi simbolikën e Gjeneratës së 22-të me misionin e Universitetit.

“Numri 22 konsiderohet si një nga numrat më të fuqishëm që mund t'i kthejë të gjitha ëndrrat dhe dëshirat në realitet. Kjo reflektohet bukur në misionin e UEJL-së: Bringing knowledge to life – Jetëso dijen tënde. UEJL ka shumë vite që trajnon të rinj të talentuar në një gamë të gjerë disiplinash dhe i përgatit ata për karrierën e tyre të ardhshme. Me njohuritë e fituara në UEJL, të gjithë studentët dhe anëtarët e stafit mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, tha Prof. Dr. Tochtermann.

Duke iu drejtuar absolventëve, Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, theksoi rëndësinë e kësaj gjenerate, e cila diplomon në prag të jubileut të madh të Universitetit.

“Gjenerata 22 është një gjeneratë e veçantë. Ju diplomoni në një vit shumë të rëndësishëm për Universitetin e Evropës Juglindore. Në muajin nëntor, universiteti ynë do të shënojë 25 vjet të ekzistencës së tij. Ky është një çerek shekulli i arsimit cilësor, i punës akademike, i zhvillimit institucional dhe i përkushtimit ndaj studentëve”, tha Rektori Ibraimi, duke nënvizuar se UEJL-ja është ndërtuar mbi vlerat e dijes, gjithëpërfshirjes, dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Të pranishmëve iu drejtua edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila përgëzoi studentët për arritjet e tyre dhe i inkurajoi të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

“Ju uroj këmbëngulje dhe sukses në tejkalimin e sfidave të ardhshme. Edhe Universiteti, edhe ne, presim kontributin tuaj në formësimin e së ardhmes së këtij vendi. Kjo do të thotë që të rrini këtu dhe mundësinë për sukses ta kërkoni këtu, dhe unë jam e sigurt se do ta gjeni atë”, tha ministrja Janevska, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për profesorët dhe kontributin e tyre në avancimin e arsimit dhe shkencës.

Në emër të studentëve të dalluar, nga secili fakultet, foli Studenti i Gjeneratës nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, Ilir Dushku, i cili ndau emocionet dhe mirënjohjen për familjen, miqtë dhe kolegët.

“Kjo diplomë dhe ky vlerësim nuk janë vetëm të miat; ato janë fryt i dashurisë, sakrificës dhe besimit që më keni dhuruar gjatë gjithë kësaj kohe. Falënderoj gjithashtu miqtë dhe kolegët e mi, me të cilët kemi ndarë jo vetëm provimet, por edhe sfidat, gëzimet dhe kujtimet më të bukura të jetës studentore”, tha Dushku.

Ceremoninë e moderoi Arbra Sulejmani, ndërsa për atmosferën festive u kujdesën këngëtari tetovar Rilind Alimani, profesori i UEJL-së dhe këngëtari i njohur Agim Poshka, i cili interpretoi këngën e Universitetit “Zëri i dijes”, si dhe Jeton Pustina së bashku me korin e qytetit dhe trion e muzikës klasike.

Ceremonia e Absolventëve e Gjeneratës së 22-të konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Universitetit të Evropës Juglindore për të përgatitur profesionistë të suksesshëm, të gatshëm për t’u përballur me sfidat e së ardhmes dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.

Google+