Ngjarjen e hapi Këshilltarja për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare e UEJL-së, Prof. Dr. Besa Arifi, e cila theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të platformave dhe mundësive të aplikimit në NATO.
Përfaqësuesja e NATO-s, Dorka Balla–Johnson, ndau përvojën e saj praktike dhe informacione të detajuara mbi programet e organizatës, përfshirë programin e praktikës (Internship), ndërsa Dr. Blagoj Delipetrov, arkitekt i Inteligjencës Artificiale në NATO, prezantoi përvojën e tij personale në selinë e NATO-s, si dhe elaboroi procesin e rekrutimit, nga aplikimi në portalin e karrierës deri te testet e shkruara dhe intervistat e bazuara në kompetenca.
Në fund të prezantimit u zhvillua një sesion interaktiv pyetje-përgjigje, ku studentët dhe stafi patën mundësi të informohen dhe të marrin këshilla për mundësitë e karrierës në organizatat ndërkombëtare.
