COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Hapet laboratori i parë i kriminalistikës në UEJL – unik dhe i pari që funksionon në kuadër të një universiteti

Me prerjen e shiritit nga Rektori, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, sot (20 maj 2021), në një ceremoni solemne u lëshua në përdorim zyrtarisht Laboratori i kriminalistikës i Universitetit të Evropës Juglindore, që funksionon në kuadër të Fakultetit të Drejtësisë.

Rektori Akad.Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i falënderoi studentët, stafin e Fakultetit të Drejtësisë dhe ekspertët e angazhuar në kuadër të këtij fakulteti për përkushtimin dhe angazhimin e tyre që me sukses të hapet dhe funksionojë laboratori. Ai tha se, pas hapjes së Klinikës Juridike dhe tani të Laboratorit të Kriminalistikës, Fakulteti i Drejtësisë po bëhet lider në vend dhe rajon në aftësimin e studentëve në praktikën gjyqësore.

“Synimi ynë, si Universitet, gjithmonë ka qenë që studentët tanë dijen teorike, që me shumë cilësi e marrin gjatë studimeve, të njëjtën të kenë mundësi ta zbatojnë në praktikë. Librat nuk t’i mësojnë të gjitha dhe praktika është ajo që studentin e aftëson profesionalisht”, tha Rektori Bexheti, në fjalimin e tij të rastit.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Adnan Jashari, në fjalimin e tij, e falënderoi Rektorin për mbështetjen e dhënë, si dhe ekspertët e angazhuar në krijimin dhe funksionimin e laboratorit.

“Ky është laboratori i dytë i hapur në kuadër të Fakultetit të Drejtësisë dhe me këtë kemi mbuluar një pjesë të madhe të praktikës juridike. Planet tona janë që të vazhdojmë me pragmatizmin e dijes dhe angazhimin e sa më shumë ekspertëve të fushës”, tha dekani, Prof. Dr. Adnan Jashari.

Përgjegjësja e Laboratorit, Prof. Dr. Blerta Arifi-Ahmedi, tha se hapja e këtij laboratori është një arritje e madhe për Universitetin dhe Fakultetin e Drejtësisë.

“Laboratori do t’i aftësojë studentët tanë për të qenë të dallushëm profesionalisht në tregun e punës”, tha Blerta Arifi.

Studentët e drejtimit Kriminalistik dhe Siguri më pas demonstruan një pjesë të realizimit të praktikës duke përdorur pajisjet dhe mjetet nga Laboratori i kriminalistikës.

Ky është një laboratorë unik, i pari që funksionon në kuadër të Universiteteve në Maqedoninë e Veriut dhe është i pajisur për të kontribuar në aftësimin profesional të studentëve të nevojshëm për tregun e punës.

Google+