Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi dhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Azir Aliu, nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Rektori Ibraimi theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre shtetërore, veçanërisht në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në shëndetësi. Nga ana e tij, ministri Aliu vlerësoi rolin e Universitetit të Evropës Juglindore në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në përgatitjen e kuadrove profesionale për sistemin shëndetësor.
Në kuadër të vizitës në Universitet, ministri Aliu vizitoi edhe Fakultetin e Shkencave Shëndetësore, ku u prit nga dekania Doc. Dr. Danijela Vojtikiv Samoilovska dhe stafi akademik i fakultetit. Gjatë kësaj vizite u prezantuan kapacitetet mësimore dhe teknike të fakultetit, si dhe ambientet dhe pajisjet që shfrytëzohen në procesin mësimor dhe praktik.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe anëtarët e Menaxhmentit të Universitetit, stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.
