Konferenca do të zhvillohet në format hibrid, në kampusin e UEJL-së në Tetovë dhe online, me pjesëmarrjen e studiuesve, profesorëve universitarë, ekspertëve ndërkombëtarë dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë.
Nën temën “Reformat në drejtësi dhe integrimi evropian: Forcimi i sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor”, konferenca synon të krijojë një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe diskutimin e sfidave bashkëkohore juridike, me fokus në reformat ligjore, integrimin evropian dhe forcimin e sundimit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor.
Programi i ditës së parë, më 18 nëntor, do të përfshijë prezantime dhe diskutime në fusha të ndryshme të së drejtës, përfshirë të drejtën kushtetuese, penale, civile, tregtare, familjare, të drejtat e njeriut, integrimin evropian, si dhe çështjet që lidhen me digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale.
Dita e dytë, më 19 nëntor, do t'i kushtohet temës “Migrimi, lëvizshmëria dhe arsimi përtej kufijve”, me fokus në migracionin, mobilitetin, arsimin përtej kufijve, njohjen e kualifikimeve dhe lëvizshmërinë akademike e profesionale.
Folës kryesor të Konferencës janë dy ekspertë të njohur ndërkombëtarisht: Prof. Jan De Groof, studiues i së drejtës së arsimit dhe ish-Chargé de Mission i UNESCO-s për të Drejtën për Arsimim, i cili do të marrë pjesë në të dyja ditët e Konferencës dhe Prof. Dirk Vanheule, profesor i së drejtës së migracionit në Universitetin e Antwerpit dhe i Grupit Kërkimor për Qeverisjen dhe të Drejtën, i cili do të kontribuojë në ditën e dytë.
Konferenca organizohet nën koordinimin e Prof. Dr. Albana Metaj-Stojanova, në bashkëpunim me Dr. Federica Torta.
Më shumë informacion: ISCLS ’26 – Faqja zyrtare e Konferencës
