Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Një program masteri, dy universitete, më shumë mundësi: UEJL prezanton programin e ri të Shkencave Kompjuterike

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Offenburg, po e zgjeron ofertën akademike me një program të ri studimesh të ciklit të dytë – Master në Shkenca Kompjuterike, i cili do të realizohet sipas modelit të diplomës së dyfishtë (Double Degree).

Ky program i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe krijimit të mundësive të reja për studentët që synojnë të ndërtojnë karrierë në një nga fushat më dinamike dhe më të kërkuara në tregun e sotëm të punës.

Përmes modelit të diplomës së dyfishtë, studentët do të kenë mundësi të përfitojnë nga ekspertiza akademike dhe profesionale e të dy institucioneve partnere. Ata do të ndjekin një program studimi me dimension të theksuar ndërkombëtar dhe do të fitojnë kualifikime të njohura nga të dy universitetet, në përputhje me rregullat akademike dhe kërkesat e programit.

Ky bashkëpunim është rezultat i angazhimit të përbashkët të universiteteve në kuadër të ChallengeEU – Aleancës së Universiteteve Evropiane, ku të dy institucionet janë anëtare të së njëjtës aleancë evropiane. Përmes ChallengeEU, universitetet partnere zhvillojnë programe të përbashkëta studimi, forma të reja të mobilitetit dhe bashkëpunimit akademik, si dhe mundësi që studentët të përfitojnë nga një mjedis më i integruar evropian për arsimim, kërkim shkencor dhe inovacion.

Prof. Dr. Florije Ismaili, këshilltare për planifikimin akademik dhe digjitalizimin në UEJL, thekson se programi i ri është një shembull konkret se si bashkëpunimi evropian mund të shndërrohet në mundësi të reja për studentët.

“Programi i ri master në Shkenca Kompjuterike është një shembull konkret i vlerës që mund të sjellë bashkëpunimi në kuadër të ChallengeEU. Përmes modelit të diplomës së dyfishtë, studentëve u ofrojmë një përvojë akademike më të gjerë dhe më ndërkombëtare, e cila është e përafruar ngushtë me nevojat e tregut të punës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të ofertës akademike të UEJL-së dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin profesional të studentëve tanë.”

Programi master në Shkenca Kompjuterike vjen në një kohë kur teknologjia, inteligjenca artificiale, zhvillimi i softuerëve, të dhënat dhe transformimi digjital po krijojnë kërkesa të reja për profesionistë me njohuri të avancuara dhe përvojë ndërkombëtare.

Prof. Dr. Xhemal Zenuni, dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore në UEJL, theksoi rëndësinë e partneritetit me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Offenburg, veçanërisht për mundësitë që u ofron studentëve për të fituar përvoja ndërkombëtare të të nxënit dhe për të hapur perspektiva të reja për kërkim të përbashkët shkencor dhe bashkëpunim akademik.

“Presim me kënaqësi gjeneratën e parë të studentëve dhe shpresojmë që ky partneritet të thellohet edhe më tej, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim akademik, kërkim të përbashkët shkencor, veprimtari inovative dhe bashkëpunim ndërkombëtar.”

Për UEJL-në, ky program përfaqëson më shumë sesa zgjerim të ofertës akademike. Ky është një tjetër rezultat konkret i përkushtimit të Universitetit ndaj digjitalizimit, inovacionit, ndërkombëtarizimit dhe përafrimit të arsimit me nevojat e së ardhmes.

Duke theksuar vlerën e këtij bashkëpunimi të ri, Prof. Dr. Elke Mackensen dhe Prof. Dr. Tobias Lauer, përfaqësues të Fakultetit EMI të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Offenburg (HSO), shtuan:

“Jemi të entuziazmuar që programi i ri master me diplomë të dyfishtë në Shkenca Kompjuterike u ofron studentëve një mundësi tërheqëse për të fituar një diplomë të dytë, përmes një semestri studimi jashtë vendit, të njohur plotësisht, dhe një teme masteri të udhëhequr bashkërisht nga të dy institucionet. UEJL, si një universitet me kampus të këtillë ofron një mjedis të shkëlqyer për të nxënit dhe mundësinë për të krijuar shpejt kontakte.”

Në këtë mënyrë, bashkëpunimi i ndërtuar përmes ChallengeEU po shndërrohet drejtpërdrejt në mundësi akademike për studentët, duke e forcuar më tej rolin e UEJL-së si universitet i hapur ndaj partneriteteve evropiane dhe zhvillimeve të reja në arsimin e lartë.

Google+