Vetëm gjatë vitit 2020, UEJL ka dhuruar gjithsej 46 kompjuterë Dell, 5 printerë dhe një projektor për shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Zhelinës, në Komunën e Bërvenicës, në Komunën e Gostivarit dhe në Komunën e Bogovinës. Kompjuterë dhe pajisje TI, gjatë viteve të kaluara UEJL ka dhënë donacion edhe në Komunën e Kumanovës, në qytetin e Shkupit, në Strugë dhe shkolla të tjera në Maqedoninë e Veriut.
Përveç pajisjeve të teknologjisë informatike, gjatë këtij viti, Universiteti i Evropës Juglindore , i dhuroi Organizatës së Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut në Shkup, veturën Jeep Compass 2.2 CDR Sport 4X2, e cila deri tani është përdorur në kuadër të projektit të USAID dhe LCIF për fëmijët me pengesa në të pamurit.
Në kuadër të misionit për kontributin dhe ndikimin shoqëror, Universiteti i Evropës Juglindore gjatë këtij viti disa shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut u dhuroi pajisje në vlerë mbi 100 mijë euro. Pajisjet janë siguruar nga USAID dhe LCIF, në kuadër të projektit “Përmirësimi i shikimit të fëmijëve me pengesa në të pamurit”.