COVID-19 Information

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Mbahet edicioni i njëmbëdhjetë i trajnimit të stafit - Rektori Bexheti: Bashkëpunimi sinergjik ndëruniversitar model për tu përballur me sfidat

“Cilësia mbi të gjitha” është tema e edicionit të 11 të trajnimit tradicional të stafit, që po mbahet nga 22-24 janar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Të hapur trajnimin e shpalli këshilltarja për cilësi, Prof. Dr. Veronika Kareva, e cila tha se kjo formë e trajnimit është bërë shenjë dalluese e cilësisë së kulturës institucionale që njihet jo vetëm në vend por edhe me gjerë në rajon.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, fillimisht e informoi stafin që krahas përmbajtjes programore të trajnimit, tanimë tradicional, nënvizoi se kjo është edhe një mundësi e mirë për llogaridhënie transparente të menaxhmentit të Universitetit ndaj të gjithë stafit. Ai, nën sloganin e tij ,,Me hapa te vogla përballë sfidave të mëdha” e shfrytëzoi rastin ta falënderojë të gjithë stafin për përkushtimin institucional dhe sukseset e përbashkëta që kemi arritur.

Duke folur për temën boshte, rektori Bexheti u përqendruar në disa shtylla kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë dhe suksesin e institucionit, si: trendet aktuale të arsimit të lartë në Evropë dhe ato ndërkombëtare; cilësia si qasje strategjike, roli kyç i teknologjisë në mësimdhënie; aktivitetet dhe sfidat, mjedisi i arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe emigracioni.

Lidhur me trendët ndërkombëtare në arsimin e lartë, rektori Bexheti, tha se brengë kryesore është aplikimi i metodave aktuale në mësimdhënie dhe se modeli më i mirë për të përballur sfidat është bashkëpunimi sinergjik ndëruniversitar.

Mjedisin aktual të arsimit të lartë në RMV, rektori Bexheti e vlerësoi tepër sfidues, pasi edhe pas një viti nga miratimi i Ligjit të arsimit të lartë, nuk janë themeluar tre trupat kryesore rregullatorë.

Për hapat e ardhshme të Universitetit, akademik Bexheti, tha se tashmë ka përfunduar rikonstrumi vertikal dhe se nevojën e programeve studimore katërvjeçare e kanë vërejtur edhe studentët aktual dhe tashmë mbi 70% e tyre janë regjistruar në këto studime.

Në të ardhmen, UEJL, do të përqendrohet në ofrimin e programeve të reja studimore edhe atë kryesisht në fushën e teknologjive të aplikuara.

Emigracioni mbetet kërcënim dhe sfidë serioze për institucionet e arsimit në RMV, në të cilin nuk mund të ndikojmë drejtpërdrejtë, por që në të gjitha projeksionet tona e konsiderojmë si faktorë të rëndësishëm për të ardhmen e Universitetit.

Rektori Bexheti theksoi se rritja e numrit të bursave ka dhënë rezultate konkrete dhe këtë vit rreth 1/3 e studentëve të regjistruar në vitin e parë janë me sukses të shkëlqyeshëm 5.00. Ai e falënderoi stafin për kontributin dhe angazhimin që këtë vit Universiteti shënon rritje në numrin e regjistrimit të studentëve, që këtë vit është numër katërshifror.

Kryetari i Bordit, Prof. Dr. Dennis Farrington, foli për procedurën e zgjedhjes së kryetarit të ri dhe zëvendësimit edhe të dy anëtarëve të tjerë të Bordit. Ai falënderoi rektorin për vështrimin lidhur me zhvillimin e Universitetit, posaçërisht me kujdesin për buxhetin e balancuar.

U zhvilluan trajnime të specializuara në fushën e mësimdhënies, menaxhimit dhe performancës, edhe atë: prorektori për Çështje Akademike, Prof. Dr. Vladimir Radevski, prezantoi në temën “Gjendja e çështjeve akademike – (Kompletimi akademik, oferta e re, studimet e magjistraturës,…etj)”, prorektorja për Hulumtim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi dhe stafi i IMVS, Prof. Dr. Veli Kreci dhe Prof. Mennan Selimi, prezantuan për “Aktivitetet hulumtuese të bazuara në projekt”, këshilltarja për cilësi Prof. Dr. Veronika Kareva për “Zhvillimin e shkathtësive të buta dhe cilësisë në mësimdhënies”, Elira Palloshi, nga Zyra për hulumtime, prezantoi për “Marrjen dhe raportimin e shënimeve në mënyrë profesionale, Prof. Artan Luma, prezantoi për “Online siguria dhe siguria kibernetike”, kurse për “Kontrollin e brendshëm” prezantoi auditori i brendshëm Lirim Hamiti, ndërsa për temën “Transparenca, mobingu dhe korrupsioni në arsimin e lartë”, prezantoi Prof. Dr. Mentor Hamiti. Për temën “Kultura organizative”, prezantoi Prof. Dr. Izet Zeqiri. Dita e parë e trajnimeve u mbyll me temën “Zhvillimi i të menduarit kritik”, që e prezantuan Zeqir Zeqiri dhe Bujar Raufi.

Në ditën e dytë të trajnimit u prezantuan temat: “Marketingu operacional (bazuar në përvojën, të dhënat dhe dëshmitë)”, nga këshilltari për marketing dhe marrëdhënie me publikun, Prof. Gadaf Rexhepi, “Angazhimi i stafit dhe përkushtimi (shembuj të mirë dhe jo aq të mirë)”, nga prorektori për Ndërmarrësi, Prof. Dr. Besnik Fetai, “Ligjëratat bashkëkohore dhe motivimi i studentëve”, nga Prof. Brikena Xhaferi dhe Prof. Agim Poshka, “Teknikat e të folurit publik”, nga Prof. Demush Bajrami dhe Prof. Liljana Siljanovska, “Procesi i prokurimit: shërbimet dhe funksionimi “, nga Besnik Xheladini, udhëheqëz i Zyrës juridike dhe të prokurimit, si dhe Mentor Emini, drejtor i Shërbimit të TI-së, “Mediat sociale në vendin e punës - avantazhet dhe disavantazhet”, nga Prof. Dr. Memet Memeti (dekan i FSHSHB) dhe Prof. Dr. Ali Pajaziti, “Përmirësimi i jetës sociale të studentëve në kampus”, nga kryetari i Parlamentit Studentor, Arjon Fejzullahu, dhe Prof. Hajrulla Hajrullahu, “Përmirësimi i cilësisë së studimeve të magjistraturës dhe doktoraturës (aspekti organizativ dhe mësimor) “, nga Prof. Dr. Adnan Jashari (Dekan i Fakultetit të Drejtësisë) dhe Prof. Dr. Lejla Abazi, drejtore e Shkollës së doktoraturës dhe “Krijimi i Google forms “, nga Prof. Jusuf Zeqiri.

Fotografi nga dita e parë

Fotografi nga dita e dytë

Google+