Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Kompania globale “Siemens” e përzgjodhi alumnin e UEJL-së Blerton Zejneli-n

Blerton Zejneli, është alumni i UEJL-së, i cili është përzgjedhur nga kompania globale “Siemens” (e renditur në 500 kompanitë më të njohura globale) për të punuar si student bashkëpunëtor në departamentin e Marketingut të njësisë operative Industritë Digjitale. Ai ka përfunduar studimet në drejtimin Sistemet Informative dhe Menaxhment, që ofrohet si program i përbashkët i Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë të UEJL-së dhe London School of Economics nga Londra. Në përfundim të studimeve në UEJL, Blertoni është përzgjedhur në mesin e studentëve më të mirë të gjeneratës së tij. Në kompaninë Siemens është përzgjedhur nga stafi i departamentit të marketingut të Industrive Digjitale, pas një procesi transparent dhe shumë konkurues të përzgjedhjes ku kanë marrë pjesë studentë nga universitete të ndryshme.

“Jam pjesë e departamentit të marketingut që operon në kuadër të qendrës globale (global headquarter), të njësisë operative Industritë Digjitale (Digital Industries) në qytetin e Nyrnbergut, e cila është njëra ndër njësive themelore operative të kompanisë “Siemens”. Puna në këtë pozitë më ofron jo vetëm mundësinë unike për të mësuar nga përvojat dhe njohuritë e ekspertëve të ndryshëm gjerman dhe të huaj, por edhe mundësinë për të aplikuar njohuritë dhe aftësitë e fituara në zgjidhjen e sfidave dhe problemeve të ndryshme. Përballja me detyra të reja dhe puna me njerëz të ndryshëm nga të gjitha vendet dhe fushat e veprimit më ofron mundësinë për të mësuar jo vetëm më shumë por edhe për të qenë në hap me trendet globale të biznesit dhe teknologjisë.”, thekson Blerton Zejneli.

Të studiuarit në UEJL më kanë dhënë përvojë dhe shkathtësi, që ishin shumë të rëndësishme edhe gjatë procesit të përzgjedhjes sime në këtë pozitë. Njohuritë e fituara në këtë Universitet, më ndihmojnë në zgjidhjen e shumë sfidave, me të cilat përballem gjatë punës, duke i zbatuar dijet dhe metodologjitë të cilat i kam mësuar gjatë studimeve.

“Studimet deridiplomike në programin Sistemet Informative dhe Menaxhment në UEJL më kanë ofruar mundësinë unike për të zhvilluar njohuri dhe aftësi edhe në fushën e menaxhmentit edhe në atë të teknologjisë informative. Me bindje të plotë them që edhe për kundër sfidave të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, kam pasur privilegjin të kem profesorë dhe ligjërues të mrekullueshëm, shumë prej tyre me përvojë ndërkombëtare, që e kanë përgatitjen dhe vullnetin e duhur për arsimimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja. Nga profesorët e mi në UEJL kam mësuar jo vetëm mësime profesionale por edhe për qasjen ndaj sfidave në jetë dhe karrierë.”, shprehet Blertoni.

Ai studimet e masterit i vazhdon në Universitetin e Nyrnbergut (FAU), në Gjermani, ku i krijohet mundësia të zgjeroj njohuritë, por edhe të ketë mundësi të bëjë krahasime sa është i përgatitur për të sfiduar veten në një universitet tjetër.

“Edhe përkundër sfidave të shumta, baza e njohurive dhe metodologjive mësimore të mara nga studimet deridiplomike në UEJL më ka ndihmuar që të jem konkurrues dhe me sukses të përfundoj të gjitha angazhimet akademike deri më tani.”- shprehet ai.

Studentët aktual dhe të ardhshëm të UEJL, Blerton Zejneli, i porositë të punojnë me shumë përkushtim dhe disiplinë në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, duke e sfiduar veten vazhdimisht në përvetësimin e aftësive dhe njohurive të reja, si dhe të bashkëpunojnë mes veti dhe me profesorët e tyre. “Besoj që sfidat e botës moderne nuk mund të përballohen vetëm nga individë të përgatitur mirë por nga ekipe të përgatitura mirë dhe që punojnë bashkë dhe me përkushtim drejtë qëllimeve të përbashkëta”-shprehet ai.

Google+