Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Mbahet seminar për studentët e doktoraturës në shkencat kompjuterike dhe teknologjitë e informacionit

Studentë të doktoratës, studiues dhe profesorë i kanë prezantuar punimet e tyre dhe gjetjet e fundit në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjitë e informacionit, në Seminarin e Dytë, që po mbahet sot dhe nesër (22-23 gusht 2019), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Seminari organizohet nga Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, ku përveç prezantuesve nga universiteti, morën pjesë edhe dy studiues ndërkombëtarë, Prof. Heiko Schuldt, nga Universiteti i Bazeli, Prof. Ilir Fetai, arkitekt kryesor i softuerit në Hekurudhat Zvicerane.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij përshëndetës, tha se Universiteti është ndër të vetmit në rajon që ka krijuar traditë për të investuar në hulumtime.

“Shuma e përgjithshme që Universiteti e ndan për hulumtime është 10 herë më e madhe se mesatarja shtetërore dhe synimi ynë është të shndërrohemi në qendër rajonale hulumtuese”, u shpreh rektori Bexheti.

Prorektorja për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Airifi, u shpreh e nderuar për praninë e prezantuesve ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë që ka hulumtimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, që janë prioritete strategjike të universitetit.

Dekani i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, Prof. Dr. Adrian Besimi, e falënderoi stafin e angazhuar për organizimin e suksesshëm të këtij semnari dhe theksoi se qëllimi primar është që stafi dhe studentët e doktoraturës të ndajnë dhe përfitojnë nga përvoja e prezantuesve ndërkombëtarë.

Profesori Heiko Shuldt, prezantoi në temën: Përparësitë Aktuale në Përpunimin e të Dhënave Voluminoze, ku i prezantoi përparësitë në fushën e përdorimit të databazave voluminoze në sfera të ndryshme të veprimtarisë njerëzore.

Prof. Ilir Fetai, prezantoi lidhur me Zbatimin e Inteligjencës Artificiale në Hekurudhat Zvicerane, ku tregoi raste konkrete që aktualisht aplikohen në këtë kompani.

Me punimet e tyre në seminar u prezantuan edhe Prof. Mennan Selimi, Prof. Bujar Raufi, Prof. Adrian Besimi, Prof. Visar Shehu dhe studentë të doktoraturës.

Në Seminar prezantohen punime nga të gjitha fushat kryesore të Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë së Informacionit, si në aspekte teorike ashtu edhe praktike.

Seminari synim kryesor ka sigurimin e një platformë për studentët e doktoratës, studiuesit dhe praktikuesit nga akademia dhe në të ardhmen nga industria, se si t’i përmbushë dhe shkëmbejë zhvillimet e fundit në këtë fushë.

Google+