Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Universiteti i Evropës Juglindore model autentik i konceptit të një shoqërie

Universiteti i Evropës Juglindore është modeli më autentik i konceptit të një shoqërie, tha rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në diskutimin publik të organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që u mbajt të mërkurën (26 qershor 2019), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në këtë diskutim publik u prezantua projek-teksti i Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e konceptit të një shoqërie dhe interkulturalizmi në Republikën e Maqedonisë Veriore.

“Ky është debati më i duhur në vendin më të duhur, pasi përputhet me konceptin dhe misionin e Universitetit tonë. Ne, fare lehtë merremi vesh në nivelin akademik dhe menaxherial, duke respektuar njëri tjetrin nëpërmjet zbatimit të konceptit të përdorimit fleksibil të gjuhëve. Përdorimi i gjuhëve dhe respektimi i tjetrit kërkon investim dhe ne këtë e kemi bërë. Prandaj këshillat dhe sugjerimet tona në formë të shkruar do t’i dërgojmë në Qeveri që të merren parasysh gjatë miratimit të strategjisë”, tha mes tjerash rektori Bexheti.

Deputeti Rubin Zemun, tha se kemi kaluar në sisteme të ndryshme shoqërore, duke filluar nga mohimi total e deri te koncepti qytetar. Ideja e strategjisë është të jetë më gjithëpërfshirëse dhe shteti të luaj rol më aktiv në nxitjen e interkulturalizmit dhe të krioj mekanizma për mbrojtjen e këtij koncepti.

Prorektorja për hulumtime dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi e theksoi rolin e UEJL-së si shembull tipik të bashkëpunimit multietnik, multikulturor dhe që është funksional.

“Për herë të parë prezantohet një strategji e cila ka plan veprimi dhe kornizë kohore. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë konkretisht me modelin dhe ekspertizën tonë”, tha prorektorja Arifi.

“Strategjia nacionale për zhvillim të konceptit për një shoqëri është dokument që për herë të parë përgatitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe është me rëndësi të veçantë për shkak se duhet të iniciojë aktivitete dhe ti përforcojë proceset e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet kulturave dhe bashkësive të ndryshme në drejtim të krijimit të një shoqërie korrekte dhe të drejtë që i bën qytetarët të barabartë.”, kryetari i trupit koordinues për përgatitjen e Strategjisë nacionale për zhvillim të konceptit për një shoqëri dhe inter-kulturalizmit, Robert Allagjozovski.

Në diskutim me shembuj konkret u përfshinë edhe kryetari i Senatit të UEJL-së, Jonuz Abdullai, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Adnan Jashari dhe profesori Ali Pajaziti si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Google+