Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Trajnim për përgatitjen e provimit të judikaturës në Fakultetin e Drejtësisë në UEJL

Fakulteti i Drejtësisë në UEJL-së në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së RM-së, duke filluar prej 12 prill 2018, do të fillojë me realizimin e Programit “Trajnim për përgatitjen e provimit të judikaturës”.

Trajnimi është i akredituar nga Bordi për akreditim dhe evaluim të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë dhe paraqet një inovacion në Fakultetin e Drejtësisë-UEJL, duke e veçuar atë nga fakultetet tjera juridike në vend e më gjerë.

Provimi i judikaturës si një provim profesional, paraqet një investim më shumë që juristët e diplomuar të aftësohen për realizimin e detyrave, për kryerjen e të cilëve kërkohet dhënia e këtij provimi.

“Andaj, duke ndjekur trendet e Fakulteteve juridike bashkëkohore, të cilët prioritet i japin pjesës trajnuese dhe praktike, e konsideruam të arsyeshme që për studentët dhe kandidatët tjerë të interesuar të ofrojmë trajnim për dhënien e provimit të judikaturës.”, thotë Prof. Dr. Emine Zendeli, dekane e Fakultetit të Drejtësisë.

“Trajnimi do të ndahet në dy sesione: pjesa teorike dhe pjesa praktike. Për pjesën teorike të trajnimit do të angazhohen profesor të dëshmuar në lëminë përkatëse juridike, ndërkaq për pjesën teorike do të angazhohen ekspertë nga praktika juridike (gjykatës, prokurorë, avokat, përmbarues, noter, etj).”, thotë, Doc. Dr. Arta Selmani, koordinatore e trajnimit.

Studentët dhe kandidatët që do të ndjekin trajnimin, do t’i kenë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme bazuar në programin për dhënien e provimit të judikaturës të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Kandidatëve, gjithashtu, do të ju ofrohet qasje pa pagesë në burimet online për të gjitha aktet juridike, gjatë periudhës së trajnimit. Në çdo kohë do të mund të drejtohen për këshilla me profesorët, ekspertët si dhe koordinatorin e trajnimit në periudhën sa zgjat trajnimi, por edhe gjatë periudhës së dhënies së provimit të judikaturës në Ministrinë e Drejtësisë. Afati i fundit për aplikim në këtë trajnim është deri më 11 prill 2018.

Trajnimi do të ofrohet për studentët e ciklit të dytë të Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së, si dhe për të gjithë kandidatët tjerë të interesuar.

Google+