Hapjen e kësaj konference e bëri rektori i UEJL-së, prof. dr. Zamir Dika, duke vazhduar më tej me drejtuesit e tjerë të këtij Universiteti, si Dennis Farrington, president i Bordit të UEJL-së dhe prorektori për hulumtime dhe bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Blerim Reka.
“Ekzistenca e popujve, të cilët e karakterizojnë edhe sot e kësaj dite Ballkanin, meritojnë të dinë se çfarë ka ndodhur përgjatë këtij shekulli, siç do të dëshiroja ta quaja unë “Shekulli ballkanik”!”, tha në fjalwn e tij rektori Prof. Dr. Zamir Dika.
“Kjo është konferenca e parë ndërkombëtare që njohu ndërkombëtarisht në mënyrë kolektive shtetin e parë shqiptar, por nga ana tjetër kjo njohje e shtetit shqiptar u bë me një çmim tejet të lartë apo tejet të shtrenjtë. Ky shtet u njoh kombëtarisht i gjymtuar dhe territorialisht i pjesëtuar”, tha në kumtesën e tij, prorektori, Prof. Dr. Blerim Reka.
Pjesëmarrësve të kësaj konference, me një fjalë rasti për rolin e Britanisë së Madhe në sjelljen e paqes në Ballkan, iu drejtua edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Shkëlqesia e tij Christopher Yvon, i cili theksoi se një shekull më parë Mbretëria e Bashkuar ishte thellësisht e interesuar për stabilitetin në Ballkan. Edhe sot Mbretëria e Bashkuar mbetet mbështetësja më e madhe e sigurinë dhe prosperitetin e rajonit.
Në këtë konferencë u analizuan pasojat e reflektuara në Ballkan si dhe reformat në përcaktimin e gjeopolitikës së tyre.
“Në Ballkan ende jetohet me pasojat e Konferencës së Londrës dhe shumica e këtyre pasojave kanë qenë negative, me vetë faktin që çështja shqiptare mbetet si çështje që mbeti e pazgjidhur si pasojë e mungesës së përkrahjes diplomatike nga Fuqitë e Mëdha”, u shpreh profesori nga Universiteti i Indianas, Bernad Fisher.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin ambasadorë, studiues e profesorë eminentë nga vende të ndryshme të botës, si Bernd J.Fischer nga Indiana University (SHBA), James Pettifer nga Universiteti i Oxfordit, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, Charles Ingrao, profesor në Universitetin Purdue (SHBA), Miranda Vickers, shkrimtare dhe analiste nga Britania e Madhe, Robert Wilton, shef i misionit të OSBE-së në Shqipëri, etj.
