Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi dhe Kryetarja e HERA-s, znj. Rumena Kojçevska-Gjerdovska, duke konfirmuar përkushtimin e dy institucioneve për të ndërlidhur njohuritë akademike me praktikën profesionale.
Ky bashkëpunim synon të forcojë kapacitetet akademike dhe kërkimore në fusha si psikologjia, administrata publike, politikat publike dhe shkencat politike, me theks të veçantë në çështje të rëndësishme si dhuna me bazë gjinore, përfshirja sociale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Në kuadër të këtij Memorandumi, studentëve të UEJL-së do t’u mundësohet realizimi i praktikës profesionale dhe vizitave studimore në qendrat këshillëdhënëse të HERA-s, ndërsa stafi akademik do të përfshihet në aktivitete të përbashkëta profesionale, kërkimore dhe edukative. Gjithashtu, palët do të bashkëpunojnë në organizimin e ngjarjeve publike dhe shkencore, si dhe në aplikimin dhe zbatimin e projekteve vendase dhe ndërkombëtare.
