COVID-19 Information

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt Konferenca për Beneluksin ekonomik ballkanik në UEJL

Në ndërtesën e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, u mbajt konferenca me temë “Tregjet e hapura për Beneluksin Ballkanik – Integrimi ekonomik rajonal si përgjigje e krizës ekonomike” organizuar nga Instituti për studime politike dhe ndërkombëtare në Shkup në partneritet me Qendrën Ekonomike Austriake (Austrian Economic Center) dhe Universitetin e Evropës Juglindore.

“Proceset integruese rajonale përfaqësojnë një reagim pozitiv ndaj presioneve të pashmangshme të globalizimit. Tendencat bashkëkohore të integrimit çojnë në integrimin ekonomik rajonal, duke i kontribuuar në masë të madhe hapjes ekonomike ndërkombëtare. Pra, kur flasim për tendencat zhvillimore, instrumentet dhe politikat ballkanike karshi atyre globale, atëherë duhet reflektuar përmes një qasjeje shkencore në marrëdhëniet e vendeve të Bashkimit Evropian me vendet kandidate dhe vendet në tranzicion”, tha në hapje të konferencës, Rektori i UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika. Sipas tij, këto konferenca duhet të jenë në kërkim të modeleve që i përgjigjen trendëve të zhvillimit rajonal ekonomik, si nevojë dhe përgjigje ndaj ndjeshmërisë sociale dhe paradigmave moderne ekonomike. Fakti se perspektiva e zhvillimit të Ballkanit varet nga zhvillimet ndërkombëtare dhe vendore, e obligon këtë të fundit që të ndërmarrë aktivitete konkrete në drejtim të krijimit të një ambienti të përshtatshëm për investime të jashtme si dhe në standardizimin e produkteve dhe kapaciteteve vendore. Rritja e besimit tek investitorët është vendimtare për Ballkanin Perëndimor për të rigjallëruar ekonominë lokale. Stabiliteti i ekonomisë së këtyre vendeve është i nevojshëm për hyrjen në një treg unik rajonal. Ndërkaq, tregu unik kontribuon në rritjen e konkurrencës në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe krijon konkurrencë për mallrat dhe shërbimet”, theksoi ndërmjet tjerash rektori Dika.

Në mesin e shumë personaliteteve shkencore e politike ishte i pranishëm edhe princi i Lihtenshtajnit Michael.

Në këtë konference folën edhe njohës të tjerë të kësaj çështje, si ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Talat Xhaferi, prorektori për hulumtime në UEJL, Prof. Dr. Blerim Reka, drejtori i Institutit për studime politike dhe ndërkombëtare Ylber Sela, prorektori për ndërmarrësi në UEJL, Prof. Dr. Miroljub Shukarov, kryesuesi i reformës tatimore evropiane, Günther Fehlinger, ish-zëvendësministër i Integrimit në Qeverinë e Shqipërisë, Edmond Hoxha, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti etj.

Google+