Konferenca, krijoi një hapësirë të rëndësishme për dialog dhe reflektim mbi zhvillimet e 25 viteve të fundit, duke trajtuar tema që lidhen me përballjen me të kaluarën, qeverisjen, përfaqësimin politik, kohezionin shoqëror, si dhe rolin e artit dhe kulturës në proceset e transformimit pas konfliktit.
Në emër të Universitetit të Evropës Juglindore, fjalë përshëndetëse mbajti Këshilltarja për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi. Në fjalën e saj, ajo vuri në dukje simbolikën e veçantë të vitit 2026, kur UEJL shënon 25-vjetorin e themelimit, në të njëjtin vit kur shënohet edhe 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Prof. Dr. Arifi theksoi se UEJL përfaqëson një model institucional të ndërtuar mbi respektimin e diversitetit dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve, duke e cilësuar diversitetin si një nga përparësitë dhe karakteristikat themelore të kulturës së Universitetit.
Kontribut të rëndësishëm në konferencë dhanë edhe përfaqësuesit e UEJL-së në panelin „Qeverisja, përfaqësimi dhe konteksti politik“. Në cilësinë e ekspertëve morën pjesë Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe drejtori i Institutit „Max van der Stoel“, Prof. Dr. Veli Kreci, ndërsa si folëse kryesore mori pjesë Dr. Albulena Halili, bashkëpunëtore hulumtuese në Institutin „Max van der Stoel“.
Në mbarëvajtjen e konferencës kontribuuan edhe studentët e UEJL-së nga Kampusi në Shkup, të cilët ishin të angazhuar në organizimin teknik të kësaj ngjarjeje ndërkombëtare, duke dëshmuar edhe një herë përfshirjen aktive të studentëve në aktivitetet akademike dhe institucionale të Universitetit.
Gjatë dy ditëve të punimeve, pjesëmarrës nga akademia, institucionet publike dhe shoqëria civile diskutuan mbi arritjet, mangësitë dhe sfidat e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe mbi hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe ndërtimit të një shoqërie më kohezive, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë.
