Duke shpreh kënaqësinë për hapjen e këtij objekti, i cili gjendet në objektin e quajtur “Ura”,rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, theksoi:
“ Projekti i Universitetit të Evropës Juglindore “Ura”, përveç misionit tradicional akademik përbën edhe një komponentë unike në hapësirën e arsimit të lartë në vend. Bëhet fjalë për një projekt në të cilin diversitetet integrohen në një mjedis që ofron standardet më të avancuara të dijes bashkëkohore dhe ndërkombëtare. Diversiteti nuk është vetëm i karakterit gjuhësor, kulturor por edhe arkitektonik. Ky objekt ndodhet në zemrën e arkitekturave ballkanike apo edhe historike Forcimi i këtij universiteti dhe vendosja e tij në këtë pozitë, do të nxitë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe gjallërimin e Çarshisë së Vjetër.”
“Gjithnjë ura lidh dy anë. Anën e majtë dhe anën e djathtë. Kjo urë e bashkon Komunën Qendër me Komunën e Çairit. Dy bashkësitë më të mëdha etnike që jetojnë në qytetin e Shkupit, pra shqiptarët dhe maqedonasit”, u shpreh Safet Neziri, zëvendësministër i Arsimit.
“Jo rastësisht ky universitet mban këtë emër që e ka jo për shkak të anëve të botës, por për shkak të ambicieve që i ka”, tha kryetari i Bordit të UEJL-së, Denis Farington.
“Simbolika e këtij objekti e këtij universiteti është përtej simbolikës së urës sepse përfaqëson edhe lidhjen mes SHBA-ve dhe BE-së”, tha në fjalimin e tij përshëndetës, kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
“Ky universitet është sinonim i cilësisë dhe standardeve të larta. Prandaj vendosja në këtë objekt nuk do të kishte zgjidhje tjetër më të qëlluar”, tha kryetari i Komunës së Çairi-it, Izet Mexhiti
Pas vetëm 3 muaj punimesh, objekti i ish “Urës” është përshtatur dhe është bërë gati të mirëpresë 900 studentë, që studiojnë në 25 drejtime të ndryshme.
