Në këtë ceremoni mori pjesë zëvendësministri i arsimit dhe shkencës i Maqedonisë, Safet Neziri dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi.
“E veçanta e këtij centrali fotovoltaik qëndron në faktin se është i pari i këtyre përmasave në universitetet nërajon dhe kjo na bën tëndjehemi krenar si universitet pasi që edhe konkretisht po realizojmë kontributin tonë shoqëror. Ky projekt ka më shumë qëllime pasi që panelet mbulojnë edhe një pjesë të parkingut për automjete. Dëshirojmë në këtë mënyrë të kontribuojmë për ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.
“Shembulli i UEJL-së duhet të ndiqet edhe nga Universitetet e tjera në vend, por edhe institucionet dhe qytetarët, pasi që në këtë mënyrë kontribuohet për zvogëlimin e shpenzimeve për ngrohje dhe mbrojtje më të madhe të mjedisit jetësor”, tha zëvendësministri i arsimit dhe shkencës i Maqedonisë, Safet Neziri.
“Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua jo vetëm si kryetare e Tetovës, por edhe si ish-pjesëtare e stafit të këtij Universiteti të jem e pranishme në inaugurimin solemn të centralit fotovoltaik, i cili do të përdoret për prodhimin e energjisë së përsëritshme elektrike duke shfrytëzuar energjinë diellore.”, tha kryetarja Tetovës, z-nja Teuta Arifi.
Centrali solar në nivel vjetor do të prodhojë 125 megavat orë energji elektrike për nevojat e Universitetit. Kjo përputhet edhe me planin veprues që deri në vitin 2020 kampusi të ketë zero për qind emetim të dyoksid karbonit.