Maqedonia po shndërrohet në vend të të pasurve dhe të varfërve sa i përket standardit jetësor.
Ky ishte konstatimi i përfaqësuesve të UNDP-së dhe UEJL në prezantimin e raportit “ Analizat e përqendruara në mendimet e qytetarëve” i bazuar në projektin “Forcimi i proceseve politike të bazuara në fakte” , që u mbajt të premten (10 prill 2009) në UEJL. Rektori i Universiteti të Evropës Juglindore në Tetovë, akademik Alajdin Abazi, tha se për Universitetin tonë kanë një rëndësi të veçantë të dhënat primare, të cilat janë marr nga anketat e realizuara në nivel kombëtar. Këto të dhëna, tha rektori Abazi, përfaqësojnë një burim të rëndësishëm hulumtimi dhe prezantimi të projekteve shkencore, si dhe për tezat për studimet e magjistraturës dhe doktoraturës për studentët tonë të ciklit të dytë dhe të tretë. Këto të dhëna në të njëjtën kohë paraqesin një mundësi të madhe për ngritjen e kapaciteteve hulumtuese të Universitetit.
“Jam shumë e lumtur, që gjendem në UEJL, sepse ky është vendi më i përshtatshëm për prezantimin e këtij raporti”, tha përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Maqedoni, Maria Luisa Silva Mejias.
Sipas raportit, standardi i ulët është shkaku që qytetarët e Maqedonisë ndjehen më të pakënaqur në rajon sa i përket cilësisë së jetesës. Prezantimi i të njëjtit projekt u be një ditë më parë edhe në Shkup, ku morri pjesë edhe rektori i UEJL-së, akademik Alajdin Abazi.