Duke iu drejtuar studentëve, rektori i UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika, tha se “Ju po dilni nga dyert e këtij universiteti dhe po futeni në dyert e mëdha të jetës. Mirëpo, Ju përsëri nuk do të jeni vetëm. Do të jetë UEJL, një bashkudhëtar besnik i Juaji, i cili do të dijë të mbajë gjallë dritën e orientimit në shtegtimin tuaj të mëtutjeshëm. Fryma e këtij universiteti do të jetë brenda aspiratës suaj për më shumë përvojë dhe dije”.
Gjithashtu, rektori në këtë mesazh drejtuar studentëve, më tej tha: “Bashkë me diplomën tuaj, ju po bartni me vete edhe famën e një institucioni që tashmë është dëshmuar si prodhuesi më cilësor i vlerave. Më lejoni t’ua përkujtoj se ky emër dhe kjo famë nuk u arritën rastësisht. Na u deshën shumë ditë e net pa gjumë për të ngritur dhe mbajtur këtë projekt, i cili më mirë se kushdo tjetër po e verifikon në praktikë frymën tonë Perëndimorë, modelin më të avancuar të sistemit arsimor Evropian e Amerikan. Prandaj, ju sot duhet të ndjeheni mirë, sepse edhe ju kontribuuat që emri i këtij universiteti të shtrihet përtej linjës që krijon diferencën e vlerave”. Kryetari i Bordit të UEJL, Denis Farington tha se“Ne kemi adoptuar praktikat dhe politikat evropiane të cilat dallojnë dukshëm nga modeli tradicional i arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë. Kjo është absolutisht thelbësore për suksesin e universitetit tonë. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë si ne zhvillimin e lëndëve të reja dhe mundësive të reja për studim në Tetovë dhe Shkup.”
Ambasadori i OSBE_së, në Maqedoni, Ralf Breth, tha se Universiteti I Evropës Juglindore, që ishte nismë e komisarit të ndjerë të OSBE-së, Maks van der Shtul, arriti ta shndërrojë Tetovën në qytet të vërtet akademik.
“Tregu i punës aktualisht është shumë i vështirë, jo vetëm në Maqedoni e rajon, por edhe më gjerë. Porosia ime është që Ju mos kërkoni arsyetime, por shfrytëzoni mundësitë që u ofrohen.”, tha ambasadori Breth.
Edhe këtë vit, tradicionalisht u zgjodhën studentët më të mirë të gjeneratës, të cilët janë: Liridona Veliu, Arlinda Rushiti, Herolind Ramadani, Mimoza Musliu, Mila Damjanovska, Vjosa Shaqiri, Sabri Hetemi, Majlinda Demiri, Gentijana Zhuta dhe Xhenisa Hasani.
Në emër të studentëve më të mirë të gjeneratës të pranishmëve iu drejtua Liridona Veliu, e cila mes tjerash tha:
“Si një institucion model që na përgatiti denjësisht të ecim me vetëbesim drejt sfidave të botës globale, ne e dimë që ky universitet do të qëndrojë me ne dhe do të ndjek suksesin tonë edhe pasi ne sot të hedhim kapelat lart për të simbolizuar lirinë”.
Për anën artistike të ceremonisë u përkujdes tenori i njohur shqiptarë Kastriot Tusha, Kori i qytetit të Tetovës, kuarteti i instrumenteve frymore dhe këngëtari, njëherësh dhe ligjërues në UEJL, Dr. Agim Poshka.
