Me këtë rast studentët që do të ndjekin këtë program studimor, gjatë shkollimit 50 përqind do të kenë mësim praktik në këto kompani, 50 përqind mësim teorik në Universitet ndërsa pas mbarimit të studimeve do të jenë të angazhuar në kompanitë që kanë financuar këtë projekt.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, prof. Dr. Zamir Dika, tha se kjo është hera e parë që nënshkruhet marrëveshje konkrete me kompanitë më të njohura të rajonit në fushën e arsimimit të kuadrove profesioniste.
”Me këtë marrëveshje, hapet një perspektivë si për studentët që mbarojnë studimet në universitetin tonë, sepse do të kenë vendin e punës të siguruar, ashtu edhe për vet kompanitë sepse ata në të ardhmen do të kenë kuadër adekuat për atë biznes që e zhvillojnë”, tha rektori Dika.
Universiteti i Evropës Juglindore dhe kompanitë së bashku me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore e kanë kuptuar idenë dhe rëndësinë e krijimit të kuadrove të përgatitura në lëmitë për të cilat ka nevojë tregu, tha kryetari i OEMVP, Menders Kuçi.
“Deri më tash mekanizmat shtetërore kanë qenë të politizuara dhe ne nuk kemi pasur mundësi të veprojmë kurse tash përmes këtij programi do të ndihmojmëkompanitë, por edhe studentët që në të ardhmen të kenë kuadër cilësor për një zhvillim më të mirë ekonomik”, tha Kuçi.
Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë në ofertën e tij studimore për vitin e ri akademik 2013/2014 ka përgatitur dhe akredituar edhe tre programe studimore të integruara. Ata janë: MENAXHMENTI BASHKËKOHOR BANKAR, MENAXHMENTI BASHKËKOHOR I NDËRMARRJEVE DHE INFORMATIKA E APLIKUAR PËR KOMPANITË TI.
Këto programe janë zhvilluar së bashku me Agjencinë gjermane për bashkëpunim afarist (GIZ), në pajtim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe do të ofrohen në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore.
