Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, tha se akademik Alajdin Abazin e kemi konsideruar gjithnjë si pjesë të mjedisit tonë, prandaj edhe zgjedhja e tij anëtar i jashtëm i Akademisë sonë u prit dhe u vlerësua lart në qarqet shkencore hulumtuese, akademike dhe intelektuale të Kosovës dhe më gjerë.
“Puna shkencore dhe profesionale e akademik Alajdin Abazit është multidiciplinare. Nisur nga publikimet, ligjëratat, prezantimet dhe projektet shkencore, në veprimtarinë e tij mund të veçohen këto lëmi: Elektroteknika teorike, Materialet elektroteknike, Energjia dhe mjedisi dhe Arsimi i lartë. Ai ka publikuar një varg punimesh shkencore e profesionale dhe disa tekste universitare për nevojat e studentëve. Ka marrë pjesë në një numër të madh të projekteve shkencore –hulumtuese në Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë”, tha akademik Islami.
Duke folur për biografinë e akademik Alajdin Abazit, kreu i Akademisë Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se pushteti serb nuk arriti ta mposhtë vullnetin e fortë të Alajdin Abazit, por përkundrazi e motivoi më me ngulm vazhdoi punën për të kontribuuar në jetën akademike, shkencore dhe shoqërore në mjediset shqiptare në Maqedoni dhe veçanërisht u shqua në çështjet organizative rreth formimit dhe ngritjes së Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Ai përmendi edhe qëndrimin e ashpër të Akademik Abazit, ndaj Enciklopedisë Maqedonase, ku fyheshin rëndë shqiptarët, qëndrim ky që ndikoi në tërheqjen e saj dhe fillimin e punëve për hartimin e enciklopedisë së re.
“Zgjedhja ime anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka një domethënie të veçantë për mua, pasi me dekada të tëra kam qenë profesor në Universitetin e Prishtinës. Kjo është një mirënjohje e madhe për mua”, tha akademik Alajdin Abazi, i cili në detaje prezantoi ligjëratën inaugurimit.
Akademik Alajdin Abazi është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Ai po ashtu mban titullin Doctor Honoris Causa të Universitetit të Evropës Juglindore.