Organizata Joqeveritare “Global Integrity” me seli në Uashington, ka përzgjedhur ta përkrah financiarisht projektin “Simply Visualizing Politics.” me autorw profesorët Adrian Besimi dhe Visar Shehu.
Projekti synon që nëpërmjet analizës së tekstit dhe metodave inovative të jep një pasqyrë të thjeshtë dhe të qartë të situatës politike në Maqedoni.
Projekti ka për qëllim, që duke analizuar të gjitha fjalimet në parlament, të krijohet një platformë e bazuar në ueb, që do të paraqes informata relevante për të gjitha këto fjalime.
“Parlamenti i Maqedonisë me kujdes ka grumbulluar të gjitha fjalimet dhe debatet e mbajtura-ekzistojnë me mijëra dokumente”, thotë Visar Shehu. Ai thotë se kanë përgatitur një mjet, i cili do tu lejojë qytetarëve të Maqedonisë t’i masin fjalimet e politikanëve dhe t’i bëjnë ata më të përgjegjshëm.
“Nga ky projekt do te përfitojnë zgjedhësit, gazetarët dhe organizatat joqeveritare. Në shoqëri, projekti duhet të ndikojë në nxitjen e transparencës dhe përgjegjësisë së politikanëve në Maqedoni”, thotë Shehu.
Projekti, duhet të realizohet në një afat prej gjashtë muajsh, me mundësi për vazhdim dhe rifinancim. Po ashtu janë paraparë të mbahen dy punëtori.
Projekti është përzgjedhur në mesin e pesë projekteve, nga gjithsej 311 që kanë aplikuar.