Në kuadrin e takimeve me përfaqësuesit e Fakultetit të Teknologjisë, Zyrës së marëdhënieve me jashtë dhe në veçanti me Rektorin e Universitetit Linnaeus, Prof. Stephen Hwang, u shkëmbyen përvojat e ndryshme të të dy Universiteteve si dhe mundësitë e intensifikimit dhe zgjërimit të bashkëpunimit të mëtejshëm sidomos në fushën e hulumtimit. Prof. Hwang shprehi kënaqësinë që në muajt në vazhdim të vizitojë Universitetin e EJL për nënshkrimin e një memorandumi gjithëpërfshirës për bashkëpunim të ndërsjellë.
Fakulteti i Teknologjive i Universitetit Linnaeus dhe Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore i UEJL, kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në kuadrin e projektit “Linnaeus-Palme” (shkëmbim i studentëve dhe stafit akademik). Gjatë një periudhe disa vjeçare, më shumë se 20 studentë të Universitetit të EJL-së kanë mbaruar ose vijojnë studimet master në këtë universitet, ndërsa 3 prej tyre edhe studimet e doktoraturës.
Falë përkushtimit të anëtarit të stafit akademik të FSHTB, Prof. Arianit Kurtit, tashmë anëtar i stafit të Universitetit Linnaeus, shumica e këtyre studentë kanë arritur suksese në studime dhe janë bërë tashmë ambasadorë të Universitetit të EJL-së.
Vizita gjithashtu u shfrytëzua edhe për takime me të gjithë Alumni të Universitetit tone, që studiojnë në Universitetin Linnaeus, për të treguar kujdesin nga ana jonë për këta ambasadorë dhe për të marrë një “feedback” për përvojat, sfidat dhe mundësitë e ndryshme që kanë patur dhe kanë këta studentë.