Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ishte nikoqir i takimit vjetor të Grupit për Menaxhimin e Projektit (GMP) SATIS - TEMPUS. Përveç institucionit koordinues, Universitetit të Szeged-it dhe përfaqësuesve të UEJL-së, dekani i Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Nexhbi Veseli, Doc. Dr. Brikend Aziri dhe menaxheri lokal i projektit Doc. Dr. Jusuf Zeqiri ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë nga Universiteti “Goce Delcev”-Shtip, Universiteti “Kliment Ohridski”-Manastiri, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Bashkësia e Njësive të Vetadministrimit Lokal dhe Asociacioni i Komunave Shqiptare.
Qëllimi kryesor i takimit ishte për të parë progresin e punëve të cilët janë në realizim e sipër dhe strategjitë e mundshme për një përfundim efektiv të projektit.
Prorektori për hulumtime UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, pasi i përshëndeti dhe mirëpriti mysafirët dhe pjesëmarrësit në këtë takim vjetor të GMP, tha se:
"Universiteti ynë është i nderuar të jet nikoqir i takimit të tretë vjetor të projektit SATIS -TEMPUS. Ne jemi të vendosur për të dizajnuar lëndë, programe studimore dhe eventualisht programe të përbashkëta studimore në agrobiznes dhe turizëm me universitetet pjesëmarrëse në projektin SATIS-TEMPUS - “Përdorimi i burimeve lokale për zhvillimin mirko-rajonal në agrobiznes dhe turizëm të qëndrueshëm në Ballkanin Jugor”. Ekziston nevoja për bashkëpunim rajonal për zhvillimin e programeve dhe strategjive për zhvillim mikro-rajonal. Ky projekt, do t’i ndihmojë të gjithë partnerët të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat e tyre, për të arsimuar studentët, të cilët do të përcjellinë njohuritë në vendet e tyre për përdorimin e burimeve lokale për zhvillimin e agrobiznesit dhe turizmit.”
Të gjithë përfaqësuesit nga universitetet partnere kanë paraqitur përparimin e tyre në arritjen e qëllimeve dhe objektivave të projektit SATIS-TEMPUS. Menaxheri lokal i Universitetit të Evropës Juglindore, Doc. Dr. Jusuf Zeqiri prezantoi arritjet e deritanishme të detyrimeve të UEJL-së dhe gatishmërinë për të filluar me regjistrimin e studentëve në katër programet studimore tashmë të akredituara në agrobiznes dhe turizëm në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve.
