Në takimin tradicional të mirëseardhjes të organizuar enkas për studentët e rinj, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, u dëshirojë atyre mirëseardhje në familjen e madhe të UEJL-së. Ai i porositi studentët e rinj të jenë kërkues dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha resurset që Universiteti i ka vendosur në dispozicionin e tyre.
“Derën e hapur e keni te çdo njësi akademike dhe administrative e deri të unë si Rektor, për çfarëdo informacioni që ju nevojitet, për ndihmë dhe çdo paqartësi, por jo në kalueshmëri, sepse atë do ta fitoni secili sipas meritës dhe përkushtimit individual. Studenti është në qendër të vëmendjes, dhe kjo nuk është retorikë, kjo nuk është deklaratë, por është thelbi që e bënë UEJL-in të rritet çdo vit.”, theksoi Rektori Bexheti.
“I tërë shteti, të gjitha kompanitë, të gjitha institucionet, të gjitha OJQ-të, të gjitha misionet ndërkombëtare janë përplot me studentë të diplomuar të UEJL-së, sepse ata kanë avantazhet që nuk i kanë të tjerët, në shumë aspekte dhe kryesisht në shkathtësitë tuaja teknike dhe teknologjike, ato gjuhësore, interkulturore dhe posaçërisht ato të gjuhës angleze, por edhe në gjuhët lokale. Ju përgatiteni të jeni qytetarë të Evropës së Bashkuar”, tha mes tjerash në fjalimin e tij mirëseardhës Rektori Bexheti.
Në fjalimin e tij, kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Mevlan Ademi, i urojë studentët për fillim të mbarë në këtë etapë të re të jetës së tyre.
“Ju sugjeroj të shfrytëzoni në maksimum kohën tuaj këtu në UEJL. Vitet e studimeve kalojnë shumë shpejtë dhe mos humbisni asnjë mundësi për të krijuar raporte të reja dhe për të përfituar përvoja që do t’ju ndihmojnë gjatë rrugëtimit tuaj studentor”, theksoi Mevlan Ademi.
Takim enkas sot u mbajt edhe me studentët e rinj në Kampusin e UEJL-së në Shkup, në të cilin mirëseardhje u ka dëshiruar Prof. Dr. Veland Ramadani, drejtor i kampusit dhe kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor.
Në kuadër të Javës orientuese, studentëve të rinj u jepen udhëzime që të njihen me infrastrukturën e Universitetit, të pajisen me dokumentet e identifikimit studentor (kartelat ID), ta përpilojnë orarin, si dhe të njihen me këshilltarët për çështje studentore dhe administratën e Universitetit.
