Kështu, ky truall edhe sipas Planit detaj urbanistik të komunës së Sarajit, është dedikuar për ndërtimin e objektit për arsimimin e lartë. Ndërkohë, menjëherë pasi të kenë përfunduar punët rreth çështjeve teknike (dokumentacioni, projekti etj), pritet të fillojë edhe ndërtimi i kampusit të Universitetit të Evropës Juglindore.
“Ambiciet tona, që tashmë e sa kohë janë shpalosur”, sipas njeriut të parë të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), akademik Alajdin Abazi, shumë shpejt do të bëhen realitet me ndërtimin e një kampusi të ri universitar në Shkup. “Tashmë, janë krijuar të gjitha kushtet për të ndërtuar një kampus universitar në Shkup, ngjashëm si ai në Tetovë”, shprehet rektori Abazi, duke nënvizuar se projekti rreth ndërtimit të qytezës universitare në Saraj, sipas të gjitha gjasave “do të realizohet në dy faza, ose thënë më mirë në dy pjesë, me ç’rast pjesa e parë, do t’i dedikohet arsimimit formal universitar të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, të strukturuara sipas sistemit të Bolonjës, për të gjitha programet studimore që sot ofrohen në qendrën studimore në Shkup, me një tendencë që oferta të përmbajë sa më shumë programe në gjuhën angleze, por edhe në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Natyrisht rreth asaj se cilat programe në cilën gjuhë do të ofrohen do të varet nga nevojat dhe kërkesat e tregut. Sistemi i mësimdhënies dhe i të të nxënit do të jetë i njëjtë si edhe në Tetovë. Prandaj, edhe vetë objekti (në fazën e parë), do t’i plotësojë të gjitha kushtet e parapara në përputhje me standardet evropiane”.
Sa i përket fazës së dytë, thuhet se në kjo fazë do të ngërthejë në vete, pjesën e dytë të ndërtimit të objektit që do t’i dedikohet trajnimeve dhe edukimit, përfshirë këtu edhe laboratorë të ndryshëm. “Edhe pse ende nuk është precizuar, nëse pjesa e dytë e fazës ndërtimore do të parashihet për çështje nga fusha e energjetikës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, megjithatë ka shumë gjasa reale që këto të jenë dy fushat kryesore në këtë fazë”, u shpreh rektori i UEJL.
Gjithashtu,, për këtë projekt është duke u përgatitur edhe një program më i detajuar. Rektori Abazi pranon se sikur të realizohej plotësisht ky program dhe nëse do të bëheshin të gjitha përgatitjet e parapara në kohë, ekziston mundësia që faza e parë e kampusit të aktivizohet që në vitin e ardhshëm akademik. “Ne, shpresojmë se, kështu do të japim një kontribut të veçantë arsimin e lartë në përputhje me misionin që ka Universiteti ynë, duke shpresuar që të kemi një impakt të konsiderueshëm në pjesën ku edhe do të vendoset kampusi universitar në Shkup, gjegjësisht në komunën e Sarajit”, thekson ndërmjet tjerash, rektori Abazi.