Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Konferenca për shtyp e fundvitit: Rektori Sadudin Ibraimi theksoi rritjen e qëndrueshme dhe vizionin e qartë të UEJL-së për të ardhmen

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) sot mbajti konferencën tradicionale të fundvitit për gazetarë, ku Rektori i universitetit, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, prezantoi një pasqyrë të detajuar të arritjeve institucionale gjatë vitit, sfidave aktuale dhe objektivave strategjike për periudhën e ardhshme.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm, Asst. Prof. Dr. Xhevair Memedi, Prorektori për Planifikim, Hulumtim dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, Këshilltarja për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi, si dhe Këshilltarja për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Florije Ismaili, të cilët nga këndvështrimi i fushave përkatëse prezantuan të dhëna shtesë për zhvillimet akademike, administrative dhe digjitale në UEJL.

Në fjalën e tij, Rektori Ibraimi theksoi se UEJL po shënon rritje të qëndrueshme akademike, stabilitet institucional dhe avancim të dukshëm në cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke u konsoliduar si një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend dhe rajon.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua punësimit të të diplomuarve, ku Rektori bëri të ditur se rreth 60% e studentëve të UEJL-së punësohen brenda vitit të parë pas diplomimit, ndërsa në disa fakultete, si Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore (CST), kjo normë arrin deri në 80%. Sipas tij, këto të dhëna dëshmojnë lidhjen e ngushtë të programeve studimore me tregun e punës dhe nevojat reale të ekonomisë dhe shoqërisë.

Rektori Ibraimi u ndal edhe te rangimet ndërkombëtare, duke theksuar se sipas QS World University Rankings 2025, UEJL renditet i pari ndër universitetet shqipfolëse në rajon, i treti në Maqedoninë e Veriut dhe i 126-ti në Evropën Juglindore, një arritje që reflekton konkurrueshmërinë dhe reputacionin akademik të universitetit në nivel ndërkombëtar.

Në aspektin e qeverisjes institucionale, u theksua se UEJL është shpallur universiteti më transparent në Maqedoninë e Veriut, sipas studimit të fundit të Forumit për Ndryshim në Arsim 2025, duke konfirmuar përkushtimin e universitetit ndaj llogaridhënies, qeverisjes së mirë dhe komunikimit të hapur me studentët, stafin dhe publikun e gjerë.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua kërkimit shkencor dhe projekteve hulumtuese. Rektori bëri të ditur se gjatë vitit, në kuadër të MVDSI dhe BIC, po zbatohen 16 projekte hulumtuese dhe 3 projekte aplikative, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e njohurive shkencore dhe në ofrimin e zgjidhjeve praktike për sfida shoqërore dhe ekonomike. Po ashtu, UEJL është pjesë e projektit rajonal ChallengeEU, i cili promovon inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, institucioneve publike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Rektori theksoi edhe rezultatet konkrete në produktvitetin shkencor, duke bërë të ditur se stafi akademik i UEJL-së ka realizuar 257 publikime shkencore në periudhën e fundit, të indeksuara në baza ndërkombëtare si Clarivate Analytics dhe Scopus, si dhe në revista, libra dhe konferenca shkencore.

Konferenca tradicionale e fundvitit për gazetarë u zhvillua në frymë transparente dhe dialogu të hapur, duke riafirmuar përkushtimin e Universitetit të Evropës Juglindore për cilësi, inovacion dhe përgjegjësi publike, si dhe për ndërtimin e një universiteti modern, konkurrues dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Google+