Në këtë konferencë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të shkollave të mesme, u trajtuan probleme të ndryshme, të cilat më së shumti i prekin shkollat e mesme dhe se në çfarë mënyre Universiteti ynë mund t’i ndihmojë ata.
Rektori i UEJL, akademik Alajdin Abazi, kërkoi nga përfaqësuesit e shkollave, që ata të bashkëpunojnë më ngushtë me Universitetin, me qëllim të përparimit dhe përmirësimit të cilësisë së nxënësve, të cilët e vazhdojnë arsimin sipëror.
“Një ndër përparësitë që e dallon Universitetin e Evropës Juglindore nga universitetet tradicionale në vend dhe në rajon, është aftësia për zhvillimin e vazhdueshëm të programeve studimore sipas një procesi të integruar mirë, i cili ndjek rekomandimet e standardeve ndërkombëtare të përshkruara në dokumentet që bazohen në Deklaratën e Bolonjës si dhe në praktikat më të mira të universiteteve më të suksesshme ndërkombëtare”, tha rektori Abazi. Ai shtoi se, Universiteti i Evropës Juglindore me statusin e tij ligjor si universitet privat-publik jofitimprurës, sipas strategjisë zhvillimore të Bordit, në misionin e tij, mbetet i pandryshuar, duke vazhduar synimet për dhënien e kontributit në arsimin sipëror në gjuhën shqipe, bazuar në një politikë ”fleksibile” të përdorimit të gjuhëve.
Drejtorja e shkollës së mesme ekonomike “8 Shtatori”. në Tetovë, Zana Hismani, në fjalimin e saj, tha se ndjehet xheloze, që nxënësit e shkollave të mesme nuk i kanë kushtet për mësim, ashtu siç i kanë studentët e këtij Universiteti. Shkollat e mesme përballen me probleme të shumta, duke filluar nga kushtet për mësim e deri te ngarkesa e plan-programeve.
Drejtori i studimeve të doktoraturës në UEJL, Prof. Dr. Hasan Jashari, foli për specifikat socio-kulturore të arsimit sipëror dhe në veçanti të UEJL.
“Kampusi universitar i UEJL nënkupton vendosje, mësimdhënie dhe mundësi kërkimore-shkencore, rekreacion, jetë shumë të gjallë dhe shumë të pasur, shikuar nga aspekti kulturor e sociologjik”, tha Prof. Jashari.
Po ashtu në kuadër të këtij takimi u zhvillua një debat i rëndësishëm, ku u fol për probleme të ndryshme të arsimit të mesëm dhe atij sipëror. Përfaqësuesit e shkollave të mesme patën mundësi që të vizitojnë edhe Qendrën e karrierës, bibliotekën universitare dhe Qendrën për trajnim dhe kërkime shkencore.