Nisur nga 11 marsi i këtij viti, me transformimin e mësimdhënies nga ajo klasike në mësimdhënie online, studentët e kanë pranuar dhe masivisht i janë bashkëngjitur kësaj mënyre të mësimdhënies. Nga zyra e Prorektorit për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Vladimir Radevski, informojnë se në javën e tretë ndjekja e lëndëve online nga studentët është më e madhe se ajo gjatë mësimdhënies klasike dhe arrin në 85% dhe se të gjitha lëndët në të gjitha programet studimore zhvillohen në bazë të orarit paraprak.
“Qëllimi është që shërbimi ndaj studentëve të jetë i plotë dhe në kohë si në aspektin e mësimdhënies cilësore, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve administrative në kohë. Shumica e aktiviteteve realizohen, duke përdorur me intensitet të shtuar zyrat virtuale (chat room), për t’iu përgjigjur në kohë të gjitha kërkesave të studentëve. Po ashtu, komunikimi me email dhe nëpërmjet telefonit nuk është ndërprerë, por studentët dhe të gjithë të interesuarit këtë shërbim e marrin në kohë dhe si në gjendje pune në kushte normale.”, thotë prorektori Radevski.
Nga Zyra e prorektorit për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, po ashtu informojnë se gjatë tre javëve të kaluara, në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit janë zgjidhur rreth 50 kërkesa nga studentët, kryesisht për riregjistrim, rregullimin e dokumentacionit për diplomim, dhënien e transkripteve, vërtetimeve për njohjen e gjuhëve, rregullimin e dokumentacionit për projekte Erasmus, zhbllokim të llogarive të studentëve dhe të ngjashme.
Me intensitetet të ngjashëm është punuar dhe në Fakultetin e Drejtësisë, ku online janë organizuar 7 mbrojtje të magjistraturës dhe 1 mbrojtje e doktoratës. Në këtë fakultet, gjithashtu janë dhënë edhe 4 vendime për kryerjen e studimeve të doktoratës dhe 25 vendime për kryerjen e studimeve të magjistraturës. Mbrojtja e doktoratave dhe magjistraturave është bërë në përputhje me direktivat e Qeverisë për distancim social, ku një pjesë e komisionit ka qenë i pranishëm fizikisht, kurse një pjesë e anëtarëve të komisioneve mbrojtjen e kanë mbikëqyrur nga distanca nëpërmjet platformave online.
Ngjashëm është vepruar edhe në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore.
Përveç anës akademike edhe administrata është përshtatur dhe ka realizuar të gjitha shërbimet ndaj studentëve të të gjitha cikleve të studimit.
“Kërkesat vijnë kryesisht me email, procedohen në formë elektronike përmes platformës Student Information Sistem (SIS) dhe me këtë shërbimet funksionojnë pa ndërprerje. Po ashtu, konfirmimet zyrtare, vërtetimet, certifikatat dhe transkriptat lëshohen pa ndërprerje, në formë elektronike.”, informon drejtori i Shërbimeve Studentore, Abaz Selmani.
Gjatë periudhës tre javore nga fillimi i gjendjes së krizës me virusin korona, dekanatet, zyrat administrative në fakultete, shërbimet studentore, menaxhmenti, administrata e rektoratit, financat, burimet njerëzore, shërbimi i mirëmbajtjes dhe të gjitha shërbimet tjera punën e tyre e kanë organizuar, duke realizuar kujdestari dhe duke respektuar protokollet e distancimit social.