Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt prezantimi për risitë e programit Erasmus+

Njohja me risitë që ofron programi Erasmus+, ishte tema boshte e prezantimit për studentët dhe stafin, që u organizua të hënën (28 tetor 2019), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, nga Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet dhe Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Universitetit.

Astrit Rexhepi, koordinator i Agjencisë për arsimin e lartë , në prezantimin e tij, i potencoi hapat kyç që duhet t’i ndjekin studentët dhe të jenë përfitues të Erasmus+. Ai tha se shumë studentë kur kthehen nga Erasmus+ kanë eksperienca të reja, të domosdoshme për karrierën e tyre.

“Universiteti i Evropës Juglindore është përfitues më i madh i granteve të ndara nga Agjencia, por edhe i mobiliteteve të realizuara”, tha Rexhepi.

Lidhur me risitë të programit Erasmus plus për këmbimin e stafit akademik dhe administrativ, prezantoi Bujar Sinani, përgjegjës i Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare i UEJL-së. Ai tha se kemi rritje të interesit të stafit për të marrë pjesë në programin e këmbimit, ku vetëm vitin e kaluar janë realizuar gjithsej rreth 14 këmbime.

“Profesorët, të cilët arrijnë marrëveshje për të ligjëruar në universitetet evropiane më pas eksperiencën e tyre e ndajnë me studentët gjatë ligjërimit, duke aplikuar metodologjinë e mësimdhënies të krahasueshme me Universitet ku ata kanë qenë në mobilitet.”, tha Sinani.

Nga granti i fituar për vitin e kaluar, në këmbim studentor në kuadër të programit Erasmus Plus, gjithsej nga Universiteti i Evropës Juglindore kanë qëndruar 50 studentë edhe atë kryesisht në Universitete të njohura, si: Universiteti i Hajdelbergut dhe Bambergut (Gjermani), Geteborgut (Suedi) , Lubjanës (Slloveni), Bolonjës dhe Kalabrisë (Itali), Aveiros(Portugali), Metropolitan (Çeki), Zilina (Sllovaki), Osjekut (Kroaci) dhe universitete të tjera.

Për vitin e ri akademik 2019-20, nga Komisioni Evropian për Universitetin e Evropës Juglindore janë ndarë 105 grante për mobilitet studentor dhe të stafit, ku nga ky numër 65 janë për shkëmbim studentor, 15 grante për realizim të punës praktike dhe 25 grante për shkëmbim të stafit.

Google+