Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt konferencë për shumëgjuhësinë si sfidë e komunikimit gjuhësor, letrar dhe kulturor

Në organizim të Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, të enjten (19 shtator 2019), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, me temë: “Multilingualizmi, sfidë e komunikimit gjuhësor, letrar dhe kulturor”.

Qëllimi i konferencës ishte që nëpërmjet punimeve dhe hulumtimeve shkencore të trajtohet shumë gjuhësia, duke dhënë edhe zgjidhje konkrete për probleme të zbatimit të saj në vend.

Në emër të rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, konferencën e shpalli të hapur prorektori për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Vlladimir Radevski, i cili e lexoi fjalimin e rektorit në gjuhën shqipe.

“Universitet i Evropës Juglindore ka patur rolin e pionierit në ofrimin e mësimdhënies cilësore në arsimin e lartë në të tre gjuhët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe në funksionimin si institucioni në tre gjuhë. Duke ju dëshiruar punë të frytshme dhe të suksesshme, uroj t’i forconi kontaktet, ta rritni bashkëpunimin ndërmjet institucioneve nga të cilët vini , më shumë projekte dhe bashkëpunime të përbashkëta, me qëllim që të ketë edhe më shumë konferencë të tilla.”, thuhet në fjalimin e rektorit Bexheti, drejtuar audiencës së konferencës.

Prorektori Vlladimir Radevski, në fjalimin e tij theksoi se në shoqërinë tonë shumëgjuhësia nuk është vetëm fakt, por edhe sfidë para së cilës çdo ditë hapen tema të reja dhe paraqitet nevoja për punë kërkimore dhe ekspertizë.

“Në Evropë kemi gjithnjë e më shumë shembuj të mbështetjes së shumëgjuhësisë, të cilët duhet t’i ndjekim dhe të frymëzohemi. Politikat dhe kahet e Komisionit Evropian për digjitalizim janë mbështetur financiarisht nga fondet që janë në dispozicion të komunitetit shkencor dhe kërkimor.”, tha mes tjerash prorektori Radevski.

Fjalimet kryesor të konferencës i mbajtën, Prof. Dr. Andrew Goodspeed, nga FGJKK dhe Shefkije Islamaj, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, kurse koordinatore e konferencës ishte Doc. Dr. Meral Shehabi.

Konferenca, do t’i vazhdoj punimet në sesione, ku do të trajtohen tema të komunikimit, gjuhësisë, letërsisë dhe metodologjisë së gjuhës shqipe, maqedonase, angleze dhe gjermane.

Google+