Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt Ceremonia e inaugurimit të rektorit Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti

Në Universitetin e Evropës Juglindore të mërkurën (12 shtator), u mbajt Ceremonia e inaugurimit të rektorit të ri, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri i Maqedonisë, z. Zoran Zaev, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, kryetarja e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, ambasadori italian Sh.T. Karlo Romeo, përfaqësues të OSBE-së,përfaqësues të USAID-it, përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë, deputetë, përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, rektorët e të gjitha universiteteve në Maqedoni, të Universitetit të Prishtinës, të Universitetit të Pejës dhe Mitrovicës, përfaqësues të komunitetit të biznesit, studentë, staf dhe shumë mysafirë të tjerë.

Në kuadër të Ceremonisë, kryetari i Bordit të Universitetit, Dennis Farington, në mënyrë simbolike Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, ia dhuroi qaforen dhe çelësin e Universitetit, duke inauguruar zyrtarisht rektor të Universitetit të Evropës Juglindore.

“Është kënaqësi e madhe të jem i pranishëm në inaugurimin e rektorit të ri të Universitetit tonë, Universitetit më të njohur jo vetëm në Maqedoni, rajon, në Evropën Juglindore, por edhe me gjerë në Evropë. Është kënaqësi e madhe për mua të jem i pranishëm në këtë akt solemn, t’i urojë rektorit mandat të suksesshëm, të dëshiroj , që t’i ruajë dhe përparojë misionet për të cilat është krijuar Universiteti. Pra, të projektojë veprimtari arsimore e shkencore këtu në Maqedoni, duke ndjekur shembullin e multietnicitetit, që do të shkëlqej në tërë regjionin. Ne e dimë, se UEJL është krijuesi i shoqërisë, të cilën ne ndër vite përpiqemi ta ndërtojmë. Më besoni, si njeri dhe si politikanë kam mësuar shumë nga misioni i dhe qëllimi i ekzistencës së këtij Universiteti. Unë besoj se me rektorin e ri, këshillin e rektorit, profesorët dhe studentët, do ta vazhdoni dhe përparoni këtë mision”, u shpreh kryeministri Zaev.

Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme dhe shumë e nevojshme t’i jepni kuadro, që ju i krijoni. Rinia, të cilës ia lëmë në trashëgimi Maqedoninë, është pasuri e paçmueshme, e cila buron nga Universitetet tona. Dëshiroj që Universiteti të vazhdoj dhe t’i intensifikojë bashkëpunimet me universitetet, jo vetëm në vend, por edhe me ato ndërkombëtare, që të sillni më shumë dije cilësore këtu. Jam i bindur se në periudhën që do të vijë, Universiteti i udhëhequr nga një akademik i njohur dhe i respektuar, si Prof. Bexheti, do të thotë vetëm përparim i cilësisë. Dua të llogaritni në përkrahjen nga qeveria juaj, nga Qeveria e Maqedonisë. Kuptohet ne participojmë me mjete simbolike financiare, por porosia ime dhe e ministrit të arsimit është se na e ktheni edhe me më shumë studentë cilësor, ne do t’i shtojmë edhe më shumë mjetet financiare. UEJL, ka shkëlqyer në të gjitha aspektet, duke prodhuar kuadro të shkëlqyeshme, që sot janë zyrtarë të shkëlqyer në Maqedoni si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. “, tha mes tjerash në fjalimin e tij kryeministri Zoran Zaev.

Rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti i falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe kontribuuar në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit.

“Falënderoj ideatorët dhe themeluesit e Universitetit, fatkeqësisht postmortum, z. Arbër Xhaferi dhe Maks van der Stoel. Falënderoj Rektorin themelues të Universitetit, Akad. Abazin dhe jam shumë i lumtur që është në mesin tonë, akoma kaq aktiv me këshillat e tij të urta. Falënderoj institucionet ndërkombëtare nga ShBA-të, BE-së, Shtete të Evropës joanëtare të BE-së, Fondacionin Soros, Programin DAAD,…etj, për gjitha mbështetjet që nga krijimi i institucionit e deri në ditët e sotme. Pa ata, ky projekt nuk do ekzistonte. Njëkohësisht një falënderim shkon edhe te Qeveria e kohës dhe gjitha qeveritë tjera deri më sot, për vullnetin politik në etablimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që na japin. Falënderoj Qeverinë e Maqedonisë për përkrahjen materiale dhe institucionale, duke e ruajtur statusin specifik të universitetit dhe duke shpresuar në njohjen e interesit publik që e krijojmë në shoqëri, në përgjithësi.”, tha rektori Bexheti. Për ecjen e tij në karrierën akademike, ai i falënderoi edhe profesorët e tij nga Universiteti i Prishtinës, mentorët e tij nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, profesorët nga Fakulteti Ekonomik i Tiranës, si dhe familjen e tij të ngushtë.

Rektori Bexheti e prezantoi edhe vizionin e tij për rrugëtimin e Universitetit në të ardhmen, duke theksuar se fokusi mbetet te standardet e cilësisë-në të dy krahët-mësimdhënie dhe hulumtime.

“Arsimimi liberal si një ,,buqetë,, e instrumenteve intelektuale, krahas përgatitjeve profesionale duhet të krijojë ndjenjën për përgjegjësi më të madhe shoqërore, empati dhe kuptim për jetën më të mirë të njerëzve. Me këto objektiva që krijojnë vlera dhe interes publik, ne do mund të arsyetojmë investimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe asaj vendore njëkohësisht.”, tha rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

“Zonja dhe zotërinj, universitetet janë institucione unike. Nëse nuk keni punuar në një, ju nuk mund të keni konceptin e sfidave me të cilat përballen në mbarë botën ndryshimet demografike dhe efektet e teknologjisë së informacionit. Ato janë vende të transformimit, vende ku ndryshojnë jetët, vendet ku dija krijohet dhe rikrijohet. Dhe vende ku e ardhmja krijohet. Universitetet janë gjithashtu vende që vazhdimisht po riformohen”, u shpreh kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Denis Farington.

Rektori i deritashëm i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, e prezantoi përvojën e tij gjatë tetë viteve sa ka udhëhequr me këtë institucion.

“Për tetë vjet rresht rektor i Universitetit të Evropës Juglindore, falë bashkëpunimit me çdonjërin prej jush – pa përjashtim, duke filluar nga Bordi i universitetit, bashkëmenaxhuesit në Rektorat, ekipit menaxhues të dekanëve dhe prodekanëve dhe udhëheqësve te administratës, falë çdo të punësuari në cilindo nivel dhe vend pune, unë me përulësi e deklaroj publikisht para jush se më dhuruat përvojën më të vlefshme në jetën time dhe ju m’i ofruat momentet më të lumtura që një njeri mund t’i kalojë në një mjedis pune. Për këtë, do t’ju jem falënderues përjetësisht.”, tha Prof. Zamir Dika.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në shenjë respekti i dhuroi rektorit të UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti një pikturë, duke i dëshiruar suksese dhe bashkëpunim sa më të frytshëm.

Google+