Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Konferencë ndërkombëtare për rivalitetet rajonale në Ballkanin Perëndimor

Nga 25 deri 27 shtator, Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), në bashkëpunim me Institutin për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut nga Universiteti i Kolumbisë dhe Universiteti i Antverpit në Strugë, organizoi konferencën me temë: “Rivalitetet rajonale dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”.

Në konferencë morën pjesë studiues të njohur nga Maqedonia dhe rajoni, por edhe nga vendet e BE-së dhe SHBA-së.

Konferencën e shpalli të hapur rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, i cili u uroj mirëseardhje dhe i shpalosi qëndrimet e tij lidhur me temën e konferencës.

Udhëheqja e konferencës u bë nga përfaqësuesit e tre Universiteteve: Prof. Dr. Blerim Reka nga UEJL, Prof. Dr. Dejvid Filips, nga Universiteti i Kolumbisë dhe Prof. Dr. Tom Soer nga Universiteti i Antverpit.

Konferenca punimet i zhvilloi në tre panele diskutimi.

Paneli i parë u përqendrua në temën “"Mes paqes dhe pajtimit të papërfunduar dhe integrimit në BE dhe NATO". Dane Taleski, këshilltar për punë të jashtme i kryeministrit të Maqedonisë, Prof. Dr. Hanes Svoboda, kryetar i Institutit për Paqe në Vjenë dhe Ema Hakala nga Universiteti i Helsinkit i prezantuan punimet e tyre, kurse u sigurua lidhje e drejtpërdrejtë nëpërmjet Skype me King Pol nga selia e NATO-s.

Metju Rods nga Qendra Xhorxh S. Marshall, Prof. Dr. Fatos Tarifa, rektor i Universitetit Nju Jork të Tiranës dhe Prof. Dr. Jan Mus nga Universiteti Vitsula punimet e tyre i prezantuan në panelin e dytë të diskutimeve, të titulluar “Ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë: Ndryshimet gjeopolitike dhe efektet në Ballkan”.

Paneli i fundit i diskutimeve u përqendrua në temën “Ndikimi i Turqisë në Ballkan”. Gajtë konferencës, Prof. Dr. Dejan Joviq nga Universiteti i Zagrebit, Prof. Dr. Arlina Rustemi dhe Naim Rushiti nga Grupimi Ballkanik i Hulumtuesve nga Prishtina i prezantuan temat e tyre.

Tom Soer, tha se përderisa Ballkani Perëndimor dëshiron të integrohet, BE duhet të vazhdoj me përpjekjet për integrim.

Metju Rods, tha se ekzistojnë ndikime të jashtme në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të bëhen përpjekje për t’u minimizuar këto ndikime.

Hanes Svobod, tha se çdoherë ekzistojnë alternativa. Ai tha se duhet të ketë integrim politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithmonë pritet që në këtë drejtim të ketë përmirësime. Svoboda hapi diskutim lidhur me pyetjen; Nëse nuk do të kishte interes nga BE për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor çfarë do të ndodhte atëherë? Ai është ithtarë i i idesë së analizimit të mendimeve të ndryshme dhe prezantimin e këtyre opsioneve për opinionin më të gjerë.

Dejvid Filips, tha se gjatë konferencës u identifikuan qëllimet, si bashkëpunimi dhe integrimi, duke theksuar se këto secilit i jepen sipas meritës. Për këtë shkak duhet të plotësohen kriteret. Ai shtoi se “ne duam integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ata kanë probleme politike, siç është ndikimi i jashtëm, që duhet të zgjidhet”. Prof. Filips, tha se konferenca nuk duhet të përfundoj këtu, por duhet të organizohet në format më të gjerë dhe në ndonjë shtet të BE-së, duke i adresuar këto tema në vende ku do të kishin më shumë ndikim.

Vërejtjet e fundit i prezantoi Prof. Dr. Blerim Reka, i cili i veçoi tre elemente:

Duhet të ketë konsensus të përgjithshëm se integrimi është qëllim strategjik i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rajonit.

BE-ja duhet të vazhdoj me politikën e aderimit për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë serioze, dhe

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të transformohen nga shoqëri pas-konfliktuoze dhe pas-korruptuese.

Prof. Reka shtoi se pa ndryshime strukturore vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë pjesë e BE-së.

Google+