Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt konferenca e parë shkencore e studentëve të UEJL-së

Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Evropës Juglindore, të shtunën (15 prill 2017), e mbajti konferencën e parë shkencore me studentët e të tre cikleve të studimit.

Në pjesën solemne të konferencës ligjëratë para pjesëmarrësve kishin dy gjykatës, Xhemali Saiti – gjykatës në Gjykatën Supreme të Maqedonisë dhe Ali Aliu – gjykatës në Gjykatën e Apelit të Gostivarit, të cilët së bashku me dy panelistët dekanen e Fakultetit, doc.dr. Emine Zendeli dhe prof.dr. Besa Arifi, para pjesëmarrësve diskutuan rreth sfidave me të cilat përballet sistemi gjyqësor në Maqedoni.

Në fjalën e saj hyrëse, dekania e Fakultetit Juridik, prof. Zendeli, deklaroi se ideja e organizimit të kësaj Konference, e para e këtij lloji në Fakultetin Juridik të UEJL-së, ka për qëllim nxitjen e aktivitetit hulumtues tek studentët, sjelljen e një fryme të re hulumtuese dhe përgatitjen e studentëve që në të ardhmen të jenë të gatshëm të konkurrojnë dijen akademike globale.

Sipas koordinatores së kësaj Konference, PhD asistentes Vedije Ratkoceri, të drejtë pjesëmarrjeje në këtë Konferencë me punimet e tyre shkencore kishin edhe studentët e ciklit të dytë – master dhe të ciklit të tretë – PhD, të cilët hulumtimet e tyre i prezantuan të ndarë në tre sesione, varësisht nga lëmia e punimeve: sesionin penal, sesionin civil dhe sesionin ndërkombëtar.

Punimet e prezantuara në Konferencë, pas përfundimit të procesit të vlerësimit të tyre të dyfishtë nga profesorët e Fakultetit Juridik, do të botohen në Librin e Procedimeve të Konferencës.

Në këtë Konferencë morën pjesë studentë nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët shkëmbyen dhe krahasuan eksperiencat e tyre shkencore në lëminë juridike.

Google+