Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL mirëpret gjeneratën “ala Snapchat”

“Мë lejoni të prezantohem. Unë jam rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika. Për shumicën prej jush, fjala rektor është fjala e parë e re që e dëgjoni në fillimin e karrierës suaj studentore. Pozita e rektorit është diç ngjashëm me atë të drejtorit të shkollës që keni pasur. Pra, kjo pozitë nënkupton përgjegjësin për të menaxhuar që të gjitha premtimet që i bëjmë në lidhje me jetën dhe studimet në kampus, t’ju përmbahemi, me cilësinë e duhur”, kështu e filloi fjalën e tij rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, në ditën e parë të fillimvitit akademik para studentëve të saporegjistruar në këtë Universitet.

Në këtë takim, të parin, u përçua një mesazh i veçantë, enkas për studentët e pranishëm që ishin në numër të madh në amfiteatër. Sipas rektorit Dika, studentët e Universitetit të Evropës Juglindore, duhet ta ndjejnë veten të veçantë, sepse do të studiojnë në mjedisin më të bukur në rajon, me kushte për studim që ia kanë zili edhe mjaft universitete evropiane, me një përshtatje sipas kërkesave për shërbime “ala Snapchat

“Ju, ashtu siç keni ardhur sot në një ditë të veçantë, ashtu edhe do të ndjeheni të veçantë gjatë gjithë këtyre viteve të studimit, sepse do të studioni në universitetin ku standardet janë më të avancuarat dhe më evropianet në rajon dhe mund të them me krenari se janë të harmonizuara me sistemin që buron nga procesi i ashtuquajtur i Bolonjës – sinonim ky i reformave më të thella të arsimit të lartë në Evropë”, tha ai, duke shtuar se në këtë universitet ligjërojnë profesorë dhe një staf i tërë akademik, që është i përkushtuar dhe i trajnuar për t’i pajisur studentët me dije dhe kompetenca sipas metodologjive më të reja të mësimit, për t’i udhëzuar, udhëhequr, këshilluar dhe ndihmuar që në mënyrë sistematike të përvetësojnë njohuri sa më të thella në fushat e tyre të studimit.

Rektori Dika vuri në pah edhe shërbimet tejet efikase elektronike dhe administrative, të cilat janë të dizajnuara për t’iu përshtatur stilit të jetës së studentëve në mënyrë dinamike, me një dozë të lartë të interaktivitetit.

Studentët, për dallim nga shkollimi paraprak, këtu do të kenë mundësinë e zgjedhjes së lëndëve, me më shumë detyra dhe ushtrime vetanake, si dhe me më shumë mundësi për të bashkëpunuar midis vete si studentë, që vijnë nga qytete, shtete apo edhe kultura dhe gjuhë të ndryshme, duke përdorur mediumet e komunitetit elektronik, me përkrahje totale nga universiteti.

Në fund vlen të theksohet se kjo është java e orientimit, ku studentët e rinj udhëzohen lidhur me mjediset mësimore dhe shërbimet që ofron universiteti, përfshirë edhe rregullimin e orarit, krijimin e profilit elektronik në kuadër të aplikacioneve elektronike, etj.

Google+