Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Cilësia brendi kryesor i UEJL-së

Universiteti ynë është i vetmi në rajon dhe në Evropë, që ka shënuar rritje të numrit të studentëve të regjistruar në krahasim me vitin e kaluar, tha në fjalimin e tij gjatë takimit tradicional me mediat, rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, që u mbajt të mërkurën (23.12. 2015), në Tetovë.

“Këtë vit arritëm të regjistrojmë 10 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ky është motivimi kryesor për të ecur rrugës së cilësisë së mësimdhënies, hulumtimit shkencor dhe bashkëpunimit me tregun e punës në kuadër të një strategjie të ndërkombëtarizimit. “, tha rektori Dika. Ai, theksoi faktin se deri më tani në UEJL kanë diplomuar 11 500 studentë, kurse aktualisht studiojnë mbi 4 000 studentë. Këtë vit janë ofruar 15 programe në ciklin e parë të studimeve, 26 në ciklin e dytë dhe 12 programe në ciklin e tretë.

“Risi për vitin e ri akademik janë dy programe studimore: Shkencat Kompjuterike të Zbatuara në bashkëpunim me Universitetin Koventri dhe programi studimor Ekonomia dhe Menaxhmenti në Bashkëpunim me Universitetin e Londrës.”

“Në kuadër të Institutit të Ambientit Jetësor, Universiteti në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit Jetësor është duke realizuar projektin për ndërtimin e stacioneve mobile të matjes së parametrave të ajrit në rajonin e Tetovës. Me këtë, do të kontribuohet me të dhëna shkencore lidhur me ndotjen e ajrit në rajonin e Pollogut. Në këtë drejtim tashmë vazhdon të realizohet plani aksional ekologjik, ku është ndërtuar impianti i vetëm ekologjik i nxehjes qendrore dhe panelet diellore ekologjike për prodhimin e energjisë elektrike”.

Për planet në të ardhmen rektori Dika, tha “Do të vazhdojmë me nxitjen e hulumtimit shkencor - Horizon 2020; me revidimin e jashtëm ndërkombëtar të programeve studimore; si dhe me promovimin e programeve studimore të integruara me praktikën një model i ri i studimeve në RM i përkrahur nga Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ (Oda Ekonomike Gjermane)

Këshilltari i rektorit për marrëdhënie me publikun dhe komunikim, Demush Bajrami i falënderoi gazetarët për punën e tyre dhe informimin e drejtë që e kanë bërë për Universitetin tonë.

“Tek ne, ngjarjet edhe në këtë vit, të cilin po e lëmë pas, ishin të shumta, falë jush, pra medias, që na keni ndjekur në çdo hap.”, tha Bajrami.

Google+