Kjo konferencë nxori në pah forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet Kosovës, rajonit dhe më gjerë në fushën e arsimit të lartë dhe Kërkimit Shkencor.
Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, rektorët e universiteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, në mesin e të cilëve edhe rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Zamir Dika, i cili në prezantimin e tij u fokusua në modelet ekzistuese financiare dhe dilemat, duke përdorur qasjen krahasuese, siç është menaxhimi i pagesave të shkollimit të studentëve në SHBA. Ai prezantoi edhe objektivat e Evropës në lidhje me financimin e arsimit të lartë nëpërmjet procesit të Bolonjës dhe strategjive të Komisionit Evropian.
Sipas rektorit Dika, pas prezantimit të të dhënave adekuate, është biseduar lidhur me atë se sa nga këto qëllime janë arritur deri më sot, duke sjelle perceptimet e universiteteve evropiane në këtë drejtim, gjetjen e strategjive që do të sigurojnë qëndrueshmëri financiare të universiteteve. Po ashtu, janë prezantuar mesazhet kryesore strategjike, që rrjedhin nga shumë studime të kësaj teme, si dhe një krahasim i shkurtër i situatës në rajonin tonë, si pikë për diskutim në të ardhmen.
Reformat në arsimin e lartë, format dhe modelet e financimit të cilat paraqesin zhvillim dhe ofrim të cilësisë, format dhe modelet e qeverisjes së institucioneve të arsimit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë ndërlidhjen e aktivitetit të mësimdhënies dhe të të nxënit me hulumtimin shkencor, janë disa nga temat kyçe që u diskutuan e të cilat ndërlidhen ngushtë me dimensionin e arsimit të lartë cilësor dhe kontributin e tij në zhvillim ekonomik dhe social.
