Panairin e shpalli të hapur rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, duke e vlerësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme.
"Me këtë organizim dëshmojmë se ndërtojmë standarde për të konkurruar në tregun global të punës. Ne, si universitet, do të vazhdojmë rrugëtimin e përbashkët me bashkësinë e biznesit për ta pajisur me dije dhe shkathtësi, studentin si aset i përbashkët”, tha rektori Dika.
Në ceremoninë e hapjes, ishte i pranishëm ministri i arsimit i Maqedonisë, z. Abdilaqim Ademi, i cili tha se Panairi i karrierës jep kontribut në bashkëpunimin e ndërsjellë, universitet dhe biznese.
"Në UEJL shkollohen kuadro të përgatitura dhe të aftë për nevojat e tregut global", tha ai.
Panairin e përshëndeti edhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, z. Menderos Kuçi, i cili tha se dita e mbajtjes së panairit përkon me 10-të vjetorin e themelimit të OEMVP dhe pjesëmarrja jonë këtu tregon rëndësinë që i japim këtij panairi.
Në kuadër të Panairit të karrierës Qendra e karrierës organizoi tryezë të rrumbullakët për fakultetin e Biznesit edhe Ekonomisë me përfaqësues të kompanive, përfaqësues të UELJ dhe studentë.
Qëllimi i këtij organizmi ishte të merret informacion kthyes nga punëdhënësit, studentët edhe përfaqësuesit e fakultetit për atë cilat janë segmentet që mund të përmirësohen në atë që mësojnë studentët.
Panairi i karrierës ishte një mundësi e mirë për studentët që të takohen me punëdhënësit potencial dhe të diskutojnë rreth mundësive për ‘tu punësuar, për t’u angazhuar si praktikantë dhe për të diskutuar rreth përshtatshmërisë së kualifikimeve dhe aftësive të tyre me kërkesat e tregut të punës apo kompanisë në fjalë.
Në Panairin e karrierës në UEJL morën pjesë rreth 40 kompani të njohura nga Maqedonia.
