Duke folur për botimin e kësaj përmbledhje rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, e theksoi rëndësinë e botimeve të këtilla, pasi përshtypja e parë që të imponohet është nevoja e domosdoshme e gjeneratave të reja për të mësuar një histori objektive, e shkruar me kompetencë të palëkundur shkencore dhe argumente relevante që i bëjnë ballë çdo kohe.
“Autorët e prezantuar në këtë përmbledhje vinë nga fusha të përafërta, por jo domosdoshmërisht homogjen në pikëpamje e këndvështrime, sepse vetëm në këtë formë ndërtohet metodologjia e njëmendët e vrojtimit të së kaluarës, e cila kur kalon nëpër diopotrinë aktuale, domosdoshmërisht kërkon një racionalitet dhe distancë joemocionale ndaj historisë dhe ngjarjeve që ajo katapulton në vitet dhe dekadat e mëvonshme.”, tha rektori Dika.
Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Blerim Reka, shprehu kënaqësinë e botimit të këtij edicioni special të “SEEU Review” për një ngjarje kaq të rëndësishme historike për shqiptarët, në të cilën Shqipëria u njoh ndërkombëtarisht si shtet, por shqiptarët u ndanë si komb.
“Në këtë përmbledhje për të parën herë gjykimin e tyre shkencor e dhanë jo vetëm autorë shqiptarë dhe maqedonas, por edhe studiuesit e huaj dhe diplomatë nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Polonia dhe Bullgaria”, tha prof. Reka.
Këshilltari i rektorit, Demush Bajrami, tha se botimet në këtë përmbledhje punimesh shkencore reflektojnë mbi zhvillimet e një ngjarjeje madhore që do të vendosë për fatin ballkanik.
“Në këtë mënyrë, rendi gjeopolitik i vendosur në Kongresin e Berlinit më 1878, në Londër do të zëvendësohej me një marrëveshje të re.”, tha Demush Bajrami.
I ftuar special në këtë ngjarje të rëndësishme, ishte profesori nga Universiteti i Indianës, Prof. Bernd J. Fischer, i cili u shpreh i nderuar që me punimin e tij është i pranishëm në botimin e kësaj përmbledhje dhe për rolin e tij si redaktor.
“Sot, çështja kombëtare shqiptare përfaqëson njërën ndër çështjet më të mëdha etnike në Evropë”tha prof. Fisher.
Botimi i kësaj përmbledhje shkencore ishte rezultat i një pune dyvjeçare hulumtuese shkencore e 40 studiuesve vendor e ndërkombëtar.
