Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Akademik Rexhep Qosja promovoi vëllimin e librave me titull “Ditar – Dëshmitar në kohë historike”

Akademiku dhe studiuesi i njohur shqiptar, Rexhep Qosja, të hënën në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, promovoi vëllimin e librave me titull “Ditar – Dëshmitar në kohë historike”. Në kuadër të këtij promovimi u shfaq edhe dokumentari kushtuar Akademkut Qosja, që është prodhim i kompanisë Dixhitalb “Rilindësi i fundit”.

Prorektori për marrëdhnënie ndërkombëtare i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, e cilësoi praninë e Prof. Rexhep Qosja, si ngjarje të veçantë, duke e cilësuar atë “figure emblematike e shqiptarisë”.

Shefi i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe e UEJL-së, Prof. Dr. Zeqir Kadriu, tha se Rexhep Qosja është dhe mbetet njëri nga personalitetet më të shquara shqiptare, i cili gjatë gjithë jetës së tij është marrë me shkrime dhe vepra për çështjen shqiptare.

“Sot promovojmë pesë libra nga jeta e akademikut Rexhep Qosja. Këto libra, do të mbeten ditarët më të mëdhenj jo vetëm nga vëllimi, por edhe nga periudha kohore”, u shpreh Akademiku Xhevat lloshi, i pranishëm në këtë promovim.

Akademiku Rexhep Qosja, në fjalën e tij të rastit foli për qëllimin e shkrimit të këtij ditari. “Teknologjia e bënë të veten. Dorëshkrimet e mia të shkruara me stilolaps kanë filluar të zbehen dhe mos lexohen. Kjo më shtyri t’i boitoj dhe rishkruaj, pasi vlerësoj se ka shumë dëshmi për një periudhë të gjatë kohore. Në këto libra nuk kam gjykuar, apo paragjykuar dikënd, por vetëm kam kritikuar dhe qortuar per veprat e bëra dhe i kam lavdëruar të njëjtët kur kanë bërë vepra të mira dhe të rëndësishme kombëtare”, theksoi R. Qosja.

“Ditar – Dëshmitar në kohë historike”, përfshinë periudhën kohore nga viti 1966 dhe pritet të ketë edhe katër vëllime të tjera, kurse të drejtën e botimit e ka shtëpia botuese “Toena”, nga Tirana.

Google+