“Është privilegj dhe kënaqësi të jesh në mesin e atyre, të cilët pak nga pak me angazhimin e tyre, me punën e tyre kanë vendosur nga një tullë në ndërtimin e asaj që kemi sot, këtë model të arsimit të lartë, siç është Universiteti ynë”, u tha rektori Zamir Dika.
Duke folur për Ditën e Alfabetit , rektori Dika, theksoi: "Historia troket tek ne përmes ngjarjeve që kujtohen sa herë që duam të mos i harrojmë ato vlera e procese që na bëjnë të jemi të veçantë si popull. Ndoshta është krejt rastësi, por ja që ditëlindja e Universitetit tonë është pikërisht në muajin nëntor, duke përkuar me këto ngjarje madhore të kombit tonë - siç është alfabeti i gjuhës shqipe që ishte rrjedhojë e Kongresit të Manastirit. Që në themelim është gdhendur qartë misioni i Universitetit të Evropës Juglindore, duke ngërthyer në vete përkushtimin për të promovuar gjuhën shqipe në arsimin e lartë, krahas përpjekjeve për arritjen e përsosmërisë në mësim dhe hulumtim. Pa këto përpjekje zatën ne nuk do të mund të flitnim sot për krijimin e mundësive të barabarta në një mjedis të hapur dhe me perspektivë ndërkombëtare shumëgjuhësore dhe shumëkulturore”.
“Do të ndaj bashkë me ju një moment reflektimi, për një takim që patëm këto ditë me disa vlerësues nga Kroacia, të cilët u takuan me studentët e Fakultetit Juridik, ku të gjithë kuptoheshin, në cilëndo gjuhë që flitej, pra shqip, maqedonisht, anglisht, kroatisht, turqisht. Kjo është vlerë dhe meritë e të gjithëve”, tha kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Denis Farington.
Në kuadër të këtij manifestimi, u mbajt ceremonia e betimit të anëtarëve të sapozgjedhur të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor dhe Avokatit Studentor.
