Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL kremtoi 13 vjetorin e themelimit-Nazif Destani shpallet Doktor Nderi

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), ka shënuar të enjten (20 nëntor 2014), 13 vjetorin e themelimit të tij në praninë e rektorëve të universiteteve mike, kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ministrit të arsimit, Abdilaqim Ademi, ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari, përfaqësuesve të biznesit, kreut të Misionit të OSBE-së, Ralf Breth, përfaqësuesve të Ambasadës së Gjermanisë, Ambasadës së Francës, Ambasadës së Kinës, ambasadorit të Kosovës,Ylber Hysa, studentëve dhe shumë mysafirë të tjerë.

Në kuadër të shënimit të këtij jubileu, u mbajt edhe ceremonia e ndarjes së titullit Doktor Nderi (Doctor Honoris Causa), z. Nazif Destani, themelues dhe president i kompanisë “Ecolog International” dhe ceremonia e promovimit të doktorëve të shkencave të gjeneratës 2013/2014, të diplomuar në këtë universitet.

Duke bërë një përmbledhje të të arriturave, rektori i UEJL-së Prof. Dr. Zamir Dika, tha se “nga ideja e deri në realizim, nuk ishte aspak e lehtë dhe kaluam sfida të shumta, por bashkë i tejkaluam të gjitha dhe erdhëm këtu ku jemi sot”.

“Sot e para 13 viteve, u zgjodh modeli i krijimit të një institucioni të arsimit të lartë i cili jo vetëm që do zyrtarizojë përdorimin e gjuhës shqipe, por njëkohësisht do ofrojë arsim të lartë e të krahasueshëm me trendet ndërkombëtare të arsimit duke qenë i hapur për të gjithë studentët pa dallim të gjuhës së studimit”, theksoi rektori Dika.

Si sfidë të veçantë të UEJL-së, rektori Dika përmendi modernizimin e Universitetit dhe perfeksionimin e sistemit të nxënies së dijes tek të rinjtë, ku u bëri thirrje të gjithë të rinjve, që të bëhen partnerë të UEJL-së, për të arritur majat e suksesit përmes studimit në këtë universitet.

“Nga komentet tona për një përqindje të madhe të të rinjve të pa-interesuar për të studiuar të gjejmë mënyra për të nxitur potencialin dhe interesin ekzistues të çdo të riu në klasë duke ftuar ata që të jenë partnerët tanë përgjatë rrugës së nxënies së dijeve.” , tha rektori Dika

“Besoj se suksesi i treguar dhe rezultatet në punën me studentët ky universitet do t'i mbajë si brend dhe në të ardhmen dhe se në mënyrë shtesë do të investojë në progresin e më shumë biznes-segmenteve, sepse kusht kyç për përmirësimin e ekonomisë, uljen e papunësisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta.”, tha me këtë rast kryeministri I Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Dennis Farrington, promovi kandidatin për titullin “doktor nderi” z. Nazif Destani, themelues dhe president i kompanisë Ecolog International.

Laureati i titullit doktor nderi, z. Nazif Destani, në fjalimin e tij u shpreh shumë i nderuar me këtë titull, duke theksuar dëshirën e tij që të punoj dhe të mos jetë shumë i ekspozuar. “Ky është një nderë i madh, që më bëhet mua dhe familjes time. Kompania “Ecolog International”, do të vazhdojë të përkrah arsimimin e të rinjve edhe në të ardhmen”, tha laureati Nazif Destani.

Përvjetori i Universitetit, u shënua edhe me lëshimin në përdorim të impiantit më të madh të ngrohjes me biomasë-peleta, i cili do të zëvendësojë naftën si energji për ngrohje. “E përshëndesim vendimin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë që ta promovojë përdorimin e burimeve ripërtëritëse të energjisë, me të cilën edhe praktikisht realizohet një nga aksionet e Planit për kampus me emision të ulët që pritet të kontribuojë, madje edhe simbolikisht për zbutje të ndryshimeve klimatike, për çka nevojiten procedura dhe teknologji inkuadruese inovative”, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Ibrahimi, i cili simbolikisht e përuroi këtë impiant.

Google+