Konferenca u organizua nga Instituti Maks van der Shtul, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Qendrën Wilfried Martens për Studime Evropiane nga Brukseli dhe Qendrën për hulumtime dhe krijimin e politikave në Shkup. Konferenca u organizua në kuadër të serisë së konferencave “Dialog për politikat e BE-së”.
Në këtë konferencë me kumtesat dhe të arriturat e tyre shkencore u paraqitën ekspertë në fushën e politikave të BE-së, si dhe disa nga profesorët e UEJL-së që marrin pjesë në hulumtimet e grupeve kërkimore për studimet evropiane dhe qeverisjen e mirë të Institutit Maks va nder Shtul.
“Bashkimi Evropian po hyn në një fazë të re kur realisht mund të pritet intensifikimi i kërkesave të Brukselit që një nivel i aksioneve reformuese nga vendet e Ballkanit duhet të zbres prej kategorisë së populizmit (për grumbullimin e sa më shumë votave dhe ruajtjen e pushtetit), në kategorinë e reformave konkrete sidomos në segmentin e politikave publike, përballë kritereve për integrime”, u gjatë fjalimit hyrës Prof. Dr. Veton Latifi, drejtor i Institutit të UEJL-së “Maks van der Shtul”.
“Për çdo vit me radhë kemi vërejtje të njëjta që na vijnë nga Komisionit Evropian, duke nisur nga zbatimi i politikave që kanë të bëjnë me kriteret politike sundimi i të drejtës, shteti ligjor, raportet ndëretnike dhe raportet me shtetet fqinje”, tha Prof. Dr. Abdulla Azizi, profesor në UEJL dhe anëtar i grupit kërkimor për studimet evropiane në Institutin Maks va nder Shtul.
Për profesorin Goran Iliq nga Universiteti i Manastirit, situata nuk është dhe aq e zezë. Sipas tij problemi i emrit është pengesa e vetme më e madhe për integrimin e vendit.
Dekani i Kolegjit të Menaxhmentit Ndërkombëtar dhe Biznesit në Budapest Prof. Dr. Tamás Szemlér paraqiti rezultatet e hulumtimit të tij shkencor lidhur me politikat publike të BE-së në sferën e buxhetit për periudhën 2014-2020 duke e konsideruar atë si një përgjigje e duhur ndaj sfidave reale dhe komplekse të BE-së.
Pjesëmarrësit në konferencën shkencore mbi politikat publike të BE-së u bënë thirrje qeverive të rajonit që t’i trajtojnë seriozisht vërejtjet që vijnë nga Brukseli në fushën e politikave publike.
